Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e Ditës së FSK-së

Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e Ditës së FSK-së, 25 nëntor 2016

Ju faleminderit, Gjeneral Rama.

Më vjen shumë mirë që jam këtu për ta kremtuar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.  E kuptoj sa e rëndësishme është kjo ditë dhe e çmoj mundësinë për ta festuar këtë ngjarje me juve.

Prej themelimit të saj në vitin 2008, FSK-ja mendoj se e ka fituar reputacionin si një prej institucioneve më të besueshme dhe më të respektuara në Kosovë.  FSK-ja është e përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë dhe të mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky vit ka qenë edhe një vit i hatashëm në atë aspekt dhe kam kënaqësinë që mund ta përgëzoj FSK-në për të gjitha të arriturat.

Një e arritur, për të cilën të gjithë janë tepër krenarë, është hapja para ca kohësh e Qendrës për trajnim për kërkim dhe shpëtim afër Prizrenit, të cilin shpresoja ta shihja sot, por moti nuk ishte në të mirën tonë.  Megjithatë, shpresoj që do të kem rastin ta vizitoj së shpejti.

Sukses tjetër i spikatur është medalja e artë që skuadra nga Kosova e fitoi në ushtrimin patrollues britanik “Cambrian Patrol 2016”.  Kjo është e arritur me të vërtetë e jashtëzakonshme, veçanërisht nëse merret parasysh që Kosova mori pjesë në këtë garë për herë të parë.

Në fund, dëshiroj të përmend suksesin e hatashëm që FSK-ja po shënon në krijimin e një force të sigurisë më të larmishme.  Kjo theksohet nga emërimi në FSK të oficerëve të parë nga radhët e pakicës boshnjake dhe serbe – që të dy besoj se janë këtu sot (Togeri Deniq dhe Togeri Zoraniq).

Veçanërisht më inkurajon përparimin që e shoh rreth çështjes së larmisë.  Përparimi në këtë front është thelbësor sepse FSK-ja do të jetë në gjendjen më të mirë vetëm nëse tërheq talentët nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare dhe e di që Ministri Demolli dhe Gjeneral Rama e ndajnë këtë mendim.

E me këtë në mendje, më vjen mirë që po dëgjoj që ata po i shtojnë përpjekjet e tyre për të sjellë më shumë pjesëtarë nga pakicat e përfaqësuara më pak në FSK.  Mendoj se të gjithë pajtohemi se përbërja e FSK-së duhet ta pasqyrojë shoqërinë kosovare.  Në të njëjtën kohë, është po aq e rëndësishme që në FSK të krijohet mjedis i tillë që promovon besimin dhe respektin e dyanshëm në mesin e të gjithë atyre që bartin uniformën e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Mendoj se po i afrohemi ditës kur kjo gjë njëmend do të bëhet realitet.

Ky ishte vit i shkëlqyeshëm për FSK-në dhe jam i bindur se përpara jush e keni të ardhmen edhe më të ndritur.

Është me të vërtetë kënaqësi që po shohim kaq shumë pjesëmarrës nga komuniteti këtu, si dhe pjesëtarë të talentuar të FSK-së.  Ju faleminderit, Gjeneral Rama, si dhe falënderojmë FSK-në për organizimin e kësaj ngjarjeje të mirë.

Ju faleminderit dhe gëzuar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës!