Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e ceremonisë së hapjes së Javës së Gruas, 20 mars 2017
Mirëmëngjesi. President Thaçi, ish-presidente Jahjage, z-nja kryetare e komunës, z-nja Bryan, kolegë të korit diplomatik, mysafirë të nderuar.
Jam me të vërtetë i nderuar që po ndihmoj në ceremoninë e hapjes së ngjarjes së përvitshme të “Javës së gruas” në Kosovë, që mbahet për herë të pestë, dhe më vjen shumë mirë që po i shoh kaq shumë udhëheqëse së bashku për tu përqendruar në çështje të rëndësishme për të gjithë.
Në këtë javë që përqendrohet në fuqizim dhe përfshirje, duket se është më se e përshtatshme që tema e ngjarjeve të këtij viti është integrimi evropian. Gjatë tërë kësaj jave, ngjarjet do të përqendrohen në sfidat e edukimit, kujdesit shëndetësor dhe krijimit të vendeve të punës që janë shumë thelbësore për çdo qytetar të Kosovës dhe për përparimin e Kosovës drejt synimeve të saj evro-atlantike.
Nuk ka ndonjë të arritur apo shenjë të caktuar me të cilën do të arrihet ky integrim. Që kjo të bëhet realitet kërkohen përpjekje dhe talenti i të gjithë qytetarëve kosovarë në një varg të gjerë të sektorëve.
Por, e dimë njërin ndër elementët më thelbësorë: e dimë se pjesëmarrja më e madhe e grave në shoqërinë civile të grave, politikë dhe ekonomi sjell begati dhe siguri më të madhe.
Po ashtu, e dimë se kur gratë fuqizohen për pjesëmarrje pa frikë prej dhunës apo kërcënimit prej ndëshkimit, ato marrin pjesë më me efikasitet në bashkësitë e tyre. E kur gratë kanë zë më të fuqishëm, vetë institucionet ka gjasa të jenë më të përgjegjshme ndaj nevojave të komunitetit si tërësi.
Besoj se pika qendrore e këtij nocionit të përfshirjes dhe fuqizimit është idea e pranimit, e dëgjimit të zërit tuaj. Sepse si mund t’i përfshijmë – e lëre më t’i çojmë përpara – ato të cilat nuk i pranojmë?
Kohëve të fundit pata rastin ta shihja filmin “Figurat e fshehta” [Hidden Figures], që bazohet në ngjarjen e vërtetë të disa afrikano-amerikaneve që kanë punuar në NASA gjatë garës për hapësirë dhe rreth kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në historinë dhe shkencën amerikane në përballje të poshtërimit të përditshëm dhe racizmit institucional.
Është tregim i fuqishëm, tregim frymëzues dhe shpresoj që do të shfaqet edhe në Kosovë. Ky tregim të bën t’i thirrësh ndërgjegjes përderisa mendojmë sa e sa kontribute të tjera të jashtëzakonshme – të individëve, grupeve, kombeve të tëra – kanë kaluar pa u vërejtur për kohë tepër të gjatë dhe pa u treguar nga historia.
Këtu në Kosovë, në këtë vend të ri plot me sfida e premtime, e dini shumë mirë domethënien e pranimit.
E përderisa punoni për pranim politik, ju vazhdoni të punoni, ashtu siç bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët tuaj, për t’i kuptuar nevojat dhe të drejtat e komuniteteve tuaja të shumta. Për ta pranuar rolin thelbësor që gratë e luajnë dhe do të vazhdojnë ta luajnë në formimin e të ardhmes suaj dhe të ardhmes së brezit të ri.
Kemi pasur privilegjin për ta mbështetur këtë përpjekje në Kosovë prej vitit 1999 në partneritet me grupet e shoqërisë civile, komunitetet vendore dhe udhëheqësit qeveritarë.
Jemi krenarë që bashkëpunojmë me të gjithë ju që përkrahni fuqizimin ekonomik të grave, që forconi komunitetet dhe shkollat e Kosovës, që ua mësoni të tjerëve shkathtësitë e reja për punë, që krijoni vende pune dhe që në shumë mënyra i frymëzoni vajzat kosovare për të ëndërruar çdo ditë sa më lart që munden.
Dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Do të vazhdojmë ta përkrahim Institutin Demokratik Kombëtar dhe të gjithë të tjerët që kanë ide të mira për të ndihmuar në zhvillimin e shkathtësive të kandidatëve politikë, si dhe për të punuar me degët e grave dhe të të rinjve të partive politike për zhvillimin e brezit të ri të udhëheqësve.
Të udhëheqësve, por edhe të atyre që janë shembuj dhe mentorë thelbësore që të gjithëva na duhen për t’na prirë dhe inkurajuar, si dhe për të siguruar që çdo vajzë që rritet në Kosovë e sheh që gratë mund të jenë partnere të barabarta të burrave, si dhe që të gjitha rrugët janë të hapura për to.
Tubimet si kjo e sotmja, që bëjnë bashkë një grup të larmishëm të grave, janë thelbësorë për këtë përpjekje. Jam në veçanti i lumtur që këtë vit po përfshijmë edhe burra në Javën e Gruas. Fundja, ne, burrat, jemi në mënyrë të barabartë përgjegjës për të siguruar që gratë dhe vajzat në Kosovë i kanë zgjidhjet, mundësitë dhe të drejtat që i meritojnë. Që potenciali i tyre ushqehet dhe që kontributi i tyre pranohet plotësisht.
Fuqizimi, barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë e nuk ndodhin brenda natës, por ia vlejnë. Ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright ka thënë: “Më është dashur shumë kohë për ta arrirë këtë zë, e tash që e kam atë, nuk do të rri e heshtur”.
Ta përsëris. Ajo ka thënë: “Më është dashur shumë kohë për ta arrirë këtë zë, e tash që e kam atë, nuk do të rri e heshtur”.
Jam i bindur se të gjithë do të bëni punë të shkëlqyeshme këtë javë për tu përsiatur me çështjet që do të ndihmojnë në fuqizimin e grave në Kosovë, në zhvillimin e zërit të tyre për ta çuar vendin përpara në rrugën evropiane.
Ju faleminderit shumë të gjithëve.