Lancimi i Partneritetit për zhvillim ekonomik në internet

Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e çeljes së Partneritetit për zhvillim ekonomik në internet, 1 shkurt 2017

Më vjen shumë mirë që jam sërish në Gjirafë.  Më duhet të them se kjo njëmend është ndër ngjarjet që më pëlqejnë më së shumti këtu në Kosovë për arsye se jo vetëm po nisim diçka pozitive së bashku, por edhe po festojmë ngapak.  Përveç kësaj, si kalifornias, ndjehem si në shtëpinë time me shpirtin e Luginës së Silikonit (Silicon Valley) për përparim dhe inovacion, që gjithkush e ndjen kur hyn në Gjirafë.  Natyrisht që ende na duhet të punojmë që edhe moti të jetë si në Kaliforni.  Ndoshta ky mund të jetë projekti ynë i radhës.

Një ndër gjërat më të jashtëzakonshme për shërbimin tim në Kosovë është se çdo ditë i shoh inovacionet e ndërmarrësve kosovarë, si dhe përkushtimin e shumë prej jush që po e shtyni përpara zhvillimin ekonomik.  E këtu janë gjithë këta njerëz të ndryshëm, isha në Bonevet në Gjakovë para disa muajve dhe edhe atje e pata të njëjtën ndjenjë.  E Gjirafa, dhe ju Mërgim, si dhe i tërë ekipi juaj është shembull i jashtëzakonshëm i kësaj.

Siç e dini, para pak viteve USAID-i iu bashkua disa investitorëve të hershëm, të cilët besuan në potencialin e Gjirafës, në potencialin e idesë për një makinë kërkimore në gjuhën shqipe, e cila do të lulëzonte dhe do të rritej dhe që do të plotësonte një nevojë që nuk e kishim kuptuar më parë.  Ju e keni kthyer këtë ide në shtytës të rritjes ekonomike dhe të krijimit të vendeve të punës, e ndoshta çka është edhe më me rëndësi, jeni përkushtuar ta shpaguani të mirën.  Prandaj, jemi kaq krenarë që sërish jemi partnerë përderisa ju po ua ktheni të mirën ndërmarrësve të tjerë të sektorit të teknologjisë informative, përmes mentorimit dhe investimeve të drejtpërdrejta, si dhe duke qenë inkubator i ideve të reja.

E di se përderisa vazhdoni ta ndërtoni ekonominë rajonale të internetit, do të krijoni më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës në Kosovë.  Po ashtu, do të jeni shembull, jo vetëm përderisa arrini sukses gjithnjë e më të madh, por edhe për shkak se do të tregoni se çka do të thotë të investosh në njerëzit dhe në vendin tuaj.

Në asistencën tonë zhvillimore, ne flasim shumë rreth kapitalit njerëzor dhe zhvillimit dhe edukimit të fuqisë punëtore, si dhe për nevojën për ta ngritur gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve të Kosovës.  Por, natyrisht, kjo varet nga ajo që përfituesit e investimeve tona i kthejnë ato të mira prej përfitimeve individuale në të mirën e përgjithshme, duke kaluar prej përfituesve në prijës.

Më duket e përshtatshme, pasi që jemi këtu në Gjirafë, të përmend një thënie të Steve Jobs-it: “Inovacioni bën dallimin ndërmjet prijësit dhe përcjellësit”.  Mendoj se Gjirafa ka qenë inovatore – dhe prijëse – qysh prej fillimit.  Kam besim të plotë në partneritetin tonë më të ri dhe kush e di, ndoshta prijësit e ardhshëm të Kosovës do të dalin nga mbështetja juaj dhe nga sektori në rritje i teknologjisë informative në Kosovë.

Mezi s’po pres të shoh se çka do ndodhë më vonë dhe ju faleminderit për punën tuaj të palodhshme dhe për këtë përzierje të posaçme të pragmatizmit dhe idealizmit që ju ka sjellë kaq shumë sukses deri tash.

Ju faleminderit shumë.