Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e çeljes së konferencës “Siguria kibernetike dhe privatësia”, 24 janar 2018
Ju faleminderit shumë. Më vjen shumë mirë që jam këtu. E dini, para disa dekadave ishte një film i ri i quajtur Tron. Ishte filmi i parë me grafika kompjuterike, si këto. Derisa po qëndroj këtu lart, më duket sikur jam personazh i filmit Tron, që ishte interesant për atë kohë. Mund të them se askush nuk mund ta kuptonte se për çka bëhej fjalë në të, por me të vërtetë ishte mahnitës për ta parë.
Më vjen shumë mirë që jam sot këtu. Ambasada e Shteteve të Bashkuara fuqimisht i mbështet përpjekjet e Kosovës për t’i rritur kapacitetet e sigurisë kibernetike, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat. Jam i lumtur që po shoh se ka shumë njerëz që e kanë po këtë përkushtim, veçanërisht kryeministri, kryetari i Kuvendit, anëtarët e tjerë të Qeverisë së Kosovës, shoqëria civile, bizneset private. Më vjen shumë mirë që jam me të gjithë juve këtu.
Në 2018-tën, ekspertët e sigurisë kibernetike parashohin zhvillime dhe rreziqe të llojllojshme të reja të gjërave si virusët pengmarrës, inteligjenca artificiale dhe të tjera. Gjatë dy-tri ditëve të ardhshme do të diskutoni dhe debatoni për tema të ndryshme si siguria kombëtare, edukimi kibernetik, ngucakeqja kibernetike dhe lajmet e rrejshme. Të gjitha këto tani janë tema jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të spikatura. Këto çështje kanë ndikim të thellë në jetën tonë të përditshme dhe do të formësojnë të ardhmen e fëmijëve tanë. Ato janë jetike për perspektivën ekonomike, politikën tonë dhe zhvillimin dhe çiltërsinë e shoqërive tona civile.
Për shkak të rëndësisë së kësaj çështjeje dhe efekteve gjithëpërfshirëse, SHBA-ja është e përkushtuar që siguria kibernetike të jetë prioritet kryesor dhe të kontribuojë për një internet globalisht më të sigurtë dhe më të qëndrueshëm.
Sot dëshiroj të përqendrohem në lidhjen ndërmjet sigurisë kibernetike dhe sundimit të ligjit, çështje kjo që mendoj se është jashtëzakonisht relevante këtu në Kosovë. Përderisa përparimet teknologjike realizohen dhe teknologjia bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, kemi parë se si kriminelët shpejt e kapin hapin dhe zhvillojnë mënyra të reja për të eksploatuar dobësitë. Kjo veçanërisht vlen për botën kibernetike.
Të gjithë ne llogarisim në qasjen në internet dhe shërbime digjitale, por besimi ynë në teknologji shtrihet shumë përtej këtyre shërbimeve. Sot, madje edhe bukëthekësi apo frigoriferi mund të lidhen në internet. Madje mund të përcillni edhe ushtrimet e përditshme të qenit tuaj. Teknologjia është e pranishme në pothuajse çdo gjë që përdorim përditë. Veçanërisht në shtetet si SHBA dhe Kosovë ku depërtimi në internet është aq i lartë.
Pa marrë parasysh a është kjo gjë e mirë apo jo, megjithatë kështu krijohen mundësitë për eksploatim nga ana e kriminelëve. P.sh. në 2016-tën, kemi parë se si një rrjet i marrë peng i mjeteve të lidhura përmes internetit pamundësoi përkohësisht qasjen në një numër të madh të uebfaqeve të profilit të lartë, gjë që njihet si sulm i “refuzimit të shërbimit”.
E këtu vjen në pah rëndësia e sundimit të ligjit. Nuk mund të përparojmë nëse nuk i kemi veglat e duhura për ta trajtuar dhe penguar krimin kibernetik dhe veprimtaritë e tjera të shëmtuara kibernetike, siç janë radikalizimi dhe ngucakeqja përmes internetit. Marrë parasysh përdorimin e gjerësishëm të teknologjisë dhe rëndësinë e saj, duhet të veprojmë për tu mbrojtur kundër këtyre aktorëve dashakeqas dhe për t’i ndjekur penalisht ata që e përdorin internetin për të kryer krime ose për të nxitur terrorizëm apo trazira.
Duhet të besojmë që qeveria jonë, zyrtarët tanë të zbatimit të ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët tanë i kanë veglat e nevojshme për t’i luftuar këto lloje të krimeve. Duhet po ashtu të sigurojmë që ata i kanë burimet dhe qëndrueshmërinë për të çuar rastin në fund përmes ngritjes së akuzave dhe dënimit të atyre që i përhapin këto krime.
Mendoj se Kosova po punon mirë në këtë aspekt. Dëshiroj t’i përgëzoj të gjitha institucionet kosovare për sukseset e deritashme në arrestimin dhe ndjekjen penale të kriminelëve kibernetikë gjatë disa viteve të fundit.
Natyrisht, duhet të punohet edhe më shumë. Kosova duhet të vazhdojë të thellojë përkushtimin e saj për të siguruar që policia, prokuroria dhe gjyqtarët i kanë veglat dhe trajnimet e domosdoshme për t’i ndjekur penalisht këto krime të ndërlikuara. Këto vepra janë shumë më të zorshme për tu ndjekur se p.sh. veprat për vjedhje të banesës. Megjithatë, këto përpjekje duhet të shkojnë krah për krah me përkushtimin tonë të përhershëm për përmirësimin e sundimit të ligjit, për çka flas shumë shpesh këtu.
Siç e kam thënë edhe më parë, bota po ndryshon dhe Kosova duhet të ndryshojë bashkë me të. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të humbin përqendrimin ose të harrojmë rolin e rëndësishëm që sundimi i ligjit luan në përpjekjet tona për siguri kibernetike dhe privatësi. Ambasada amerikane në Kosovë është e përkushtuar për ta ndihmuar qeverinë për të punuar në këto çështje dhe për vazhdimin e përmirësimit të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët kosovarë. Jemi të gatshëm dhe kemi vullnet për të punuar me qeverinë e Kosovës për trajtimin e këtyre sfidave.
Dëshiroj ta përmbylli fjalën time me diçka që ndërlidhet me atë që e thashë në fillim. Mos u bëni si Troni. Sigurohuni që e dini se për çka bëhet fjalë para se të largoheni nga këtu. Mos u largoni nga kjo sallë pa e ditur saktë çka ju personalisht mund të bëni për t’i mbrojtur sistemet, kompjuterët dhe institucionet tuaja nga krimi kibernetik dhe qasja e paautorizuar në sistem.
Ju faleminderit shumë.