Fjala e Ambasadorit Delawie Programi për punësimin e të diplomuarve në bujqësi

Fjala e Ambasadorit Delawie Programi për punësimin e të diplomuarve në bujqësi, 29 janar 2018

Mirëmëngjesi të gjithëve.  Dekan Kaçiu, z. Gergely, të diplomuar. Pothuajse para dy viteve të plota, ambasadori Martusz dhe unë ishim këtu për të ndihmuar në fillimin e punës së Qendrës së Karrierës të Fakultetit të Bujqësisë dhe është kënaqësi që sot jemi sërish këtu për t’i shënuar të arriturat e saj.

Gjithmonë më vjen mirë kur kam mundësinë të flas për bujqësinë në Kosovë dhe përnjëmend më gëzojnë mundësitë që ky sektor ia sjell ekonomisë së Kosovës dhe popullit të saj. Në dy vite të shkurta prej fillimit të punës së Qendrës së Karrierës, tashmë kemi parë shtytje të madhe në interesimin për bujqësi si karrierë ndër të rinjtë kosovarë. Në të njëjtën kohë, sektori po e vazhdon transformimin e pabesueshëm prej fermave të vogla familjare të kulturave tradicionalë në sektor të llojllojshëm të kulturave të reja fitimprurëse, teknologjive të reja, ekonomisë së re të tregjeve të shkallës së lartë dhe edhe më të mëdhenj.

Prej ardhjes sime në Kosovë, jam takuar me agrobiznese dhe bujq lokalë të panumërtë dhe e kam parë me sytë e mi se si me punën e tyre të mundimshme e kanë ndryshuar jetën dhe të ardhurat e tyre. Kjo është frymëzuese dhe jam shumë krenarë për partneritetin tonë përderisa punojmë për të sjellë fitim më të madh prej investimeve, për të arritur te tregjet e reja, për të përmirësuar standardet e cilësisë – dhe mbi të gjitha – për të krijuar vende të reja pune për kosovarët.

Këto përparime janë të mundshme sepse kemi parë ndryshim transformues në sjellje nga ndërmarrjet në sektorin e bujqësisë dhe në mesin e vetë të diplomuarve të ri. Bujqësia nuk shihet tash vetëm si mjet për të siguruar bukën për familje dhe për të grumbulluar tepricën e shitur në tregun lokal. Sektori i bujqësisë së Kosovës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm si punëdhënës dhe burim i të ardhurave, duke kontribuar edhe në rritjen e gjerësishme të ekonomisë. Përderisa sektori përjeton këtë ndryshim fundamental, është thelbësore që agrobizneset të kenë qasje në të diplomuarit me shkathtësi dhe përkushtim për t’i çuar këto ndërmarrje – dhe këtë sektor kritik – në nivel më të lartë. Kjo do të thotë cilësi të përmirësuar të prodhimeve, prodhimtari më të lartë, inovacion, qasje në tregjet e reja dhe të llojllojshme – të gjitha këto të domosdoshme për përmirësimin e jetesës anembanë Kosovës.

Qendra e Karrierës luan rol kritike në kohë kritike, duke i pajisur studentët me shkathtësitë dhe njohuritë teknike të duhura dhe duke iu mundësuar ta kryejnë praktikën në vend pune që do t’i përgatisë për nevojat dinamike të tregut të punës. Ky sektor duhet të ketë aftësinë për të tërhequr studentët më të mirë dhe më të zgjuar për të studiuar në këtë fakultet dhe kjo nënkupton që këta studentë duhet ta dinë se do të kenë mundësi t’i zbatojnë njohuritë, dijen dhe entuziazmin e tyre në vend të punës.

Sot në mëngjes pata rastin të takohem me disa studentë, të cilët kanë gjetur punë me orar të plotë dhe shpresoj që ky trend do të vazhdojë. Dëshiroj t’i uroj të gjithë të diplomuarit që janë këtu sot dhe shpreh mirënjohjen time të sinqertë për 35 ndërmarrjet që kanë marrë pjesë në këtë program deri tash. Tashmë keni parë drejtpërdrejt përfitimet e rritjes së talenteve të reja. Asnjë industri nuk qëndron statike dhe ju nxis të vazhdoni të krijoni mundësi që këta ekspertë të ri me idetë e tyre të reja të gjejnë vend në bizneset tuaj në rritje.

Sërish, është privilegj që jam këtu me partnerët tanë nga ambasada hungareze. E çmoj shumë mbështetjen tuaj të vazhdueshme për studentët kosovarë përmes programit tuaj të bursave, që ka qenë thelbësor për shumë shkollarë nëpër sektorë të ndryshëm në Kosovë.

Gjithashtu, dëshiroj t’i shpreh mirënjohje Fakultetit të Bujqësisë për përjekjet për ta përshtatur planprogramin dhe metodat mësimore në përputhje me ndryshimet në industri dhe duke i mbështetur të diplomuarit tuaj përmes kësaj Qendre të shkëlqyeshme të karrierës. E dimë çfarë sfide është qëndrueshmëria e programeve të tilla dhe jemi të përkushtuar t’i përkrahim përpjekjet tuaja për zgjerimin e tij vitin e ardhshëm. Shpresoj që edhe kolegët nga komuniteti i donatorëve do t’më bashkohen në këtë.

Prej shpargullit, bimëve medicinale dhe aromatike e deri te mjedra – kultura ime personale e parapëlqyer – bujqësia komerciale tash shihet si zgjidhje e mençur për karrierë që mund të sigurojë jetesë të mirë. Por, duhet të bëhet edhe më shumë për ta rritur këtë sektor dhe për ta vënë Kosovën fuqimisht në hartë si vend i origjinës për ushqim të sigurtë dhe me cilësi të lartë.

Bizneset dhe të diplomuarit e ri këtu janë pararoja e kësaj përpjekjeje dhe ju dëshiroj sukses përderisa vazhdoni ta transformoni bujqësinë e Kosovës dhe t’iu sillni mundësi të reja bashkëqytetarëve tuaj dhe tërë vendit.

Ju faleminderit shumë.