Mirëdita të gjithëve. Faleminderit, Presidente Jahjaga, për mikpritjen e veçantë që ju dhe stafi juaj ma ofruat sot.
Kam nderin që përfaqësoj presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtu në Kosovë.
Jam krenar që po i bashkohen listës së gjatë të zyrtarëve amerikanë që mund t’ju quajnë juve – dhe Kosovën – miq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë miq të palëkundur të Kosovës që prej hapjes së Zyrës Informative në vitin 1996. Tash, përderisa po bëhemi gati që me zell ta shikojmë ndërtimin e ambasadës së re gjatë mandatit tim, bashkëshortja ime Vonda, fëmijët tanë, Torrence dhe Fred dhe unë jemi shumë të lumtur që jo vetëm do ta kemi rastin t’i shohim vendet historike dhe kulturore në Kosovë, por edhe t’i shijojmë bukuritë e saj natyrore. E e kam në plan që të zhytem në këtë menjëherë gjatë kësaj fundjave.
Po ashtu, i pres me padurim bisedat me prijësit qeveritarë, grupet afariste dhe me shoqërinë civile. E di se do të dëgjoj shumë për sfidat e shumta me të cilat përballeni, por edhe idetë tuaja të mira për vazhdimin e partneritetit tonë të fuqishëm përmes së cilit mund të arrijmë edhe më shumë suksese dhe të arritura.
Jam i bindur se duke punuar së bashku, udhëheqësit kosovarë mund ta vazhdojnë ta çojnë përpara sundimin e ligjit, të ndërtojnë institucione të fuqishme demokratike dhe ta vazhdojnë punën e rëndësishme për të ofruar mundësi ekonomike për të gjithë.
Po ashtu, pres me padurim t’i takoj të rinjtë e Kosovës, për të mësuar nga gjenerata e prijësve të ardhshëm rreth sfidave me të cilat përballet vendi.
Ishte kënaqësi dhe nder që mora pjesë në këtë ceremoni sot, e cila shënon fillimin zyrtar të punës sime me Qeverinë e Kosovës.
Mezi s’po pres që t’ia filloj punës. Ju faleminderit shumë.