Fjala e Ambasadorit Delawie në përmbyllje të Javës Kundër Korrupsionit me homologët e Kuintit dhe të BE-së, 9 dhjetor 2017
Këtë javë, gjatë rrjedhës së 35 ngjarjeve dhe debateve e diskutimeve të shumta, morëm një qëndrim të përbashkët në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Dua në veçanti të falënderoj Koalicionin e OJQ-ve që ka punuar zellshëm me javë të tëra që Java Kundër Korrupsionit 2017 të ketë sukses. Po ashtu dua t’i falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, mediat dhe, mbi të gjitha qytetarët e Kosovës, që ndihmuan për të hedhur dritë në shumë çështje kritike. Siç e kam thënë në fillim të kësaj jave, bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ndihmuar – por kjo luftë vërtet ju takon juve.
Këtë javë, në seanca publike kemi parë zyrtarë qeveritarë, deputetë të Kuvendit dhe aktorë të shoqërisë civile në debate konstruktive rreth legjislacionit që do të shënojë hapa të mëdhenj përpara në luftën kundër korrupsionit. Kemi dëgjuar për procesin e Ministrisë së Drejtësisë për rishikimin e kodit penal – përfshirë kontributin e shoqërisë civile dhe të bashkësisë ndërkombëtare – për t’i eliminuar mangësitë e rrezikshme. Gjithashtu kemi dëgjuar zotime se puna në reformimin e ligjeve, që rrisin disiplinën në gjyqësor, do të ecën përpara shumë shpejt. Kur të arrihen këto, Kuvendi duhet t’i miratojë ndryshimet menjëherë.
Të sigurohemi që një bashkëpunim si ky – midis aktorëve qeveritarë, legjislativë dhe qytetarë – vazhdon gjatë tërë vitit dhe bëhet pjesë e rëndomtë e jetës qytetare.
Të shpresojmë që ngjarjet dhe bisedat e kësaj jave ishin shumë më shumë se veç fjalë – ishin katalizatorë. Në të vërtetë, tashmë po ecim përpara me disa projekte që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, duke ulur mundësitë për korrupsion në të ardhmen:
Së pari, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me USAID-in, me të cilin forcohen reformat e prokurimit publik, përfshirë zbatimin e sistemit të prokurimit elektronik. Këto reforma mund të sjellin ndryshime të mëdha në Kosovë, por do të nevojitet angazhimi i çdo komune dhe i çdo niveli të qeverisjes për ta realizuar atë. Është thelbësore që kjo të jetë përparësi e agjendës së kësaj qeverie për reforma.
USAID-i gjithashtu lëshoi indeksin e konkurrencës në komuna, i cili ofron një vështrim të hollësishëm për klimën e biznesit në nivel lokal dhe në qeverisjen lokale të Kosovës, si dhe i identifikon fushat për përmirësim për ta rritur investimin, për të krijuar vende pune dhe për ta nxitur transparencën dhe konkurrencën. Është shenjë e shkëlqyer që shumë komuna kanë pritur me padurim lëshimin e Indeksit.
Dhe puna vazhdon. Më vonë gjatë ditës do t’i bashkohem një TechCamp-i që është duke i trajnuar pjesëmarrësit nga mediat, qeveria dhe shoqëria civile si t’i aplikojnë mjetet digjitale pa pagesë dhe me kosto të ulët për ta rritur transparencën dhe për ta ndaluar korrupsionin. Pres t’i takoj të 40 qytetarët e Kosovës që marrin pjesë në këtë TechCamp, bashkë me 20 pjesëmarrës të tjerë dhe trajnerë nga Ballkani, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo ishte një javë e madhe dhe mund të krenohemi me të arriturat tona, por puna nuk ndalet me deklarata përmbyllëse dhe se lufta kundër korrupsionit nuk është rast i veçantë. Siç e kam thënë edhe më përpara, korrupsioni fshihet në errësirë, prandaj hidhni dritë mbi të. E çka është më e rëndësishmja, udhëheqni me shembullin tuaj: refuzoni favore të posaçme dhe ujdi që vënë lidhjet mbi aftësitë. Meritat kanë rëndësi, prandaj vini ato mbi çdo gjë. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë me të gjithë ata që janë të përkushtuar për reforma në prokurim, reforma gjyqësore dhe me çdo përpjekje kundër korrupsionit që e liron potencialin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj për të arritur të ardhmen e ndritur dhe të begatshme që e meritojnë.
Ju faleminderit dhe #Bashkendreqim!