Fjala e Ambasadorit Delawie në panairin e arsimit për alumni në kolegjet e SHBA-së

Fjala e Ambasadorit Delawie në panairin e arsimit për alumni në kolegjet e SHBA-së16 nëntor 2017

Është mrekulli të jesh këtu sot në Hotelin Sirius dhe t’i shohësh gjithë këta të rinj entuziastë, të interesuar për të studiuar në Shtetet e Bashkuara. E përgëzoj Qendrën Amerikane për Këshillim për organizimin e këtij panairi për alumni. Ky është vetëm njëri prej shumë aktiviteteve që i kemi planifikuar për Javën ndërkombëtare të arsimit.

Aktivitetet e kësaj jave janë mundësi e madhe për të mësuar më shumë për të gjitha mundësitë e ndryshme për studim në Shtetet e Bashkuara. Programet e Ambasadës, si Global UGrad dhe Fulbright, vazhdojnë të sjellin të rinj nga Kosova në Shtetet e Bashkuara.

Përveç programeve tona, atje ka edhe shumë më tepër mundësi. Qendra Amerikane për Këshillim mund t’u ndihmojë studentëve ta gjejnë programin e duhur akademik dhe mundësi për bursa. Jam krenar për punën që bëjnë gjatë tërë vitit për të ofruar këshillim, përgatitje për testim dhe ndihmë për aplikim për studentët anembanë Kosovës. Dëshiroj ta inkurajoj çdo student që ëndërron të studiojë në Shtetet e Bashkuara që t’i përdorë resurset e shkëlqyeshme që ofrohen – shumë prej tyre falas – nga Qendra Amerikane për Këshillim.

Arsimi ndërkombëtar ia hap dyert rinisë së Kosovës. Ajo i lidh ata me shokët e tyre nga mbarë bota dhe u lejon ta zhvillojnë perspektivën globale që u nevojitet për t’i trajtuar sfidat e ndërlikuara. Dhe kur studentët kthehen në shtëpi, në Kosovë, pavarësia e tyre dhe aftësitë e tyre të mëdha të të menduarit kritik u ndihmojnë të bëhen udhëheqës në komunitetet e tyre këtu.

Vitin e kaluar rreth 250 qytetarë të Kosovës kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara. Qendra Amerikane për Këshillim dhe Ambasada janë këtu për t’ju ndihmuar që t’u bashkoheni radhëve të tyre.

Ju faleminderit shumë.