Fjala e ambasadorit Delawie në konferencën për të drejta pronësore të grave në Kosovë
Ministre Hoxha, gjyqtare Rama, zëvendës-ministra, të nderuar kolegë. Ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje, si dhe ju faleminderit që po i prini kësaj çështje, përfshirë edhe përmes legjislacionit të ri thelbësor që do ta paraqitni në fillim të muajit të ardhshëm.
Përparimi për çështjen e të drejtave pronësore të grave është ndër prioritetet e mia, si dhe është çështje për të cilën kam ndjenja të forta. Prandaj jam i lumtur që po ju flas sot.
Kjo temë sjell në pah shumë çështje tjera thelbësore për të cilat shqetësohemi: fuqizimin ekonomik të grave, përfshirjen sociale, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, e të mos e përmendim rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës. Për mua, çështja sa kanë mundësi që gratë të lulëzojnë në sistemin ekonomik të Kosovës paraqet indikator të rritjes ekonomike të Kosovës në tërësi.
E kur e shohim se vetëm 4% e grave në Kosovë trashëgojnë tokë, se vetëm 19% kanë tokë në pronësi të tyre, atëherë e dimë se kemi shumë punë para nesh. Natyrisht, kjo çështje është shumë më shumë personale për të qenë vetëm punë e statistikave.
Stafi im ma ka treguar një ngjarje të një kosovareje të ekipit tonë, e cila me sukses ka blerë pronë, por që kur ka shkuar në komunë është përballur me zyrtarët, të cilët e kanë shkurajuar fuqishëm që të mos e regjistrojë pikërisht atë pronë. Zyrtari komunal ka argumentuar me të rreth të drejtave të saj dhe është munduar ta bindë që të mos e regjistrojë pronën. Ironikisht, argumenti i tij ishte se një ditë do të trashëgojë pronë nga babai i saj, kështu që nuk kishte nevojë që vetë të blente tokë.
Ajo ishte me fat. Ajo i dinte të drejtat e saj dhe këmbënguli për to. Por nuk mund t’ia kërkojmë çdo gruaje në Kosovë për të luftuar kaq fuqishëm.
E ky nuk ishte dështim i ligjit. Kosova veçse ka ligje të mira në letër që ua garantojnë grave të drejta të barabarta për pronë dhe unë ju përgëzoj për këtë. Por, mendoj se të gjithë shqetësohemi nga shkalla e moszbatimit të këtyre ligjeve në mënyrë të vazhdueshme.
Disi do të ishte më lehtë nëse problemi do të zgjidhej vetëm me korrigjim të ligjit. Por, kjo gjë është më e thellë. Është më e thellë sepse e drejta për të poseduar dhe trashëguar pronë – këto nuk janë beneficione dytësore ekonomike – por të drejta fundamentale të njeriut, të domosdoshme për barazi dhe fuqizim.
Po ashtu, këto nuk janë të rëndësishme vetëm për gratë e Kosovës, por për të gjithë qytetarët kosovarë. E dimë se kur gratë fuqizohen, ato marrin pjesë në mënyrë më efektive në komunitetin e tyre, në ekonomi, si dhe në diskursin shoqëror dhe politik. E kur gratë kanë zë më të fuqishëm, vetë institucionet e komunitetit janë më përgjegjëse ndaj nevojave të komunitetit si tërësi.
Njëmend, kjo mund të jetë çështje nacionale, por i mbetet secilës komunë, komunitet dhe familje që ta ndryshojë këtë status quo.
Në korrik të këtij viti isha në Viti për nisjen e fushatës nacionale të USAID-it për Programin për të Drejta Pronësore përmes veprimtarive në bazë e në komunitet. Këto veprimtari mëtojnë të promovjnë ndryshimin e qëndrimeve dhe sjelljeve sociale që ende iu shkaktojnë pengesa grave për ta ushtruar lirisht të drejtën në pronë.
Kjo ka filluar si fushatë mediale, me një numër të reklamave në televizor dhe radio në mbështetje të të drejtës së grave për të pasur dhe poseduar pronë.
Faza e dytë e fushatës nacionale nisi në verë, duke përfshirë pano, ngjarje për informim të komunitetit, performanca aktive teatrore dhe veprimtari tjera për informimin e të rinjve.
Bashkë me nismat rreth politikave siç është hartimi i Strategjisë nacionale për të drejtat pronësore, këto programe të komunitetit janë thelbësore për t’iu dhënë fund praktikave joformale të pengimit të grave për tu shënuar si trashëgimtare të ligjshme, përjashtimit të tyre nga pjesëmarrja në procedurat ligjore për trashëgimi, detyrimi për të hequr dorë nga e drejta për pronë në të mirë të trashëgimtarëve meshkuj, ose parandalimi nga regjistrimi ose bartja e pronës pas blerjes.
Miq, kjo duhet të ndalojë.
E këtë nuk po e them vetëm unë. Këtë e dëgjoj gjatë bisedave me udhëheqës të komunitetit, pronarë biznesesh, si dhe grupet e shoqërisë civile anembanë Kosovës.
Fundja, e dimë se këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin për Trashëgimi. Prandaj, për mua, në thelb, respektimi i këtyre të drejtave ka të bëjë me aftësinë e Kosovës për ta respektuar sundimin e ligjit.
Siç e kam thënë para dy javësh në Forumin ekonomik të grave, mungesa e përparimit në këto çështje shumë thjesht gërryen mundësitë e Kosovës për ta rritur ekonominë e saj, për të përparuar dhe – në mënyrë kritike – për ta bartur atë te gjenerata e ardhshme. Sepse dëshmitë anembanë botës tregojnë qartë se pjesëmarrja më e madhe e grave në ekonominë e një vendi luan rol të madh në atë që sjell përparim më të madh. E dimë thellë në shpirt se kjo është e vërtetë. Po ashtu, e dimë se përjashtimi i grave nga mundësitë dhe përparimi nuk duhet të vazhdojë.
E dini se edhe në vetë vendin tim është dashur të kalojë më shumë se një shekull prej pavarësisë e deri te e drejta e grave për të votuar. Madje edhe tash, pothuajse një shekull të plotë pas asaj të arriture, ende kemi mjaft punë.
Çdo vend, si dhe çdo komunitet ka ende mjaft punë. Por Kosova thjeshtë nuk mund t’ia lejojë vetes të mos arrijë përparim në këtë. Dhe atë shpejt.
E di se shumë prej jush po punoni me mund për të bërë ndryshime të njëmendta, për t’i eliminuar pengesat për ushtrimin e plotë të së drejtës për pronë të grave dhe ne jemi krenarë që jemi partnerët tuaj në këtë.
Fundja, Presidenti Obama ka thënë: “Mënyra më e mirë për ta parë nëse një vend do të zhvillohet apo jo është nga mënyra se si i trajton gratë”.
Ju faleminderit për përpjekjet tuaja dhe së bashku e di se mund të arrijmë edhe më shumë.