Fjala e ambasadorit Delawie në Konferencën për shtyp gjatë hapjes së javës kundër korrupsionit

Fjala e ambasadorit Delawie në Konferencën për shtyp gjatë hapjes së javës kundër korrupsionit, 4 dhjetor 2017

Mirëmëngjesi.  Ju faleminderit që na jeni bashkuar në hapjen e Javës kundër korrupsionit.  Shpesh e them se luftimi i korrupsionit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit janë prioritetet e mia kryesore gjatë mandatit tim në Kosovë dhe siç po e shihni, nuk jam i vetëm në këtë.  Të gjithë ne nga komuniteti diplomatik, institucionet ndërkombëtare dhe OJQ-të jemi këtu të bashkuar prapa një përkushtimi të përbashkët për luftimin e korrupsionit për hir të të ardhmes së Kosovës.

Mposhtja e korrupsionit është sfidë afatgjatë e Kosovës, por tejkalimi i asaj sfide kërkon veprim të menjëhershëm.  Për këtë arsye Java kundër korrupsionit është kaq e rëndësishme.  Nën udhëheqjen e shoqërisë civile kosovare, shumë prej nesh që punojmë për t’i dhënë fund korrupsionit jemi këtu për ta ngritur zërin tonë, për të propozuar ide dhe për të kërkuar veprim.

Frymëzohem kur i shoh gjithë këta qytetarë të Kosovës nga i tërë vendi.  Bashkësia ndërkombëtare luan rol të rëndësishëm duke sygjeruar zgjidhje dhe duke nxitur ndryshim, por në fund të fundit, kjo është lufta juaj.  Ju jeni ata që keni sakrifikuar aq shumë për ta bërë Kosovën siç është sot dhe ju jeni ata që do t’i detyroni prijësit e Kosovës që t’i përmbushin standardet që i keni vënë.

Dëshiroj ta theksoj një veprim që mendoj se është veçanërisht jetik: ka ardhur koha të miratohet Ligji i përditësuar për Prokurorin Disiplinor.  Ky do të jetë hap jetik në forcimin e kontrollit të ndërsjellë të pushtetit dhe të llogaridhënies në sistemin e drejtësisë së Kosovës.  Sigurimi se personeli i sektorit të gjyqësorit i përmbahet standardeve më të larta të disiplinës dhe llogaridhënies është thelbësore për të ndërtuar besimin e opinionit publik në këto institucione.

Ky ligj, për disiplinën dhe sjelljen në gjyqësor, si dhe reformat përcjellëse janë rezultat i punës së mundimshme nga ana e shërbyesve publikë të përkushtuar, bashkësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile të Kosovës.  Le të ecim përpara pa ndonjë ndryshim ose vonesë.  Ky ligj duhet të jetë gati para fundit të këtij viti dhe Kuvendi duhet ta nxjerrë në rastin e parë.

Sado që mund të duket që s’ka ndonjë lidhje me çështjen e sotshme, reforma e prokurimit publik paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në mposhtjen e korrupsionit.  Mbi 40 për qind të buxhetit të Kosovës shkon përmes prokurimit publik.  Korrupsioni në këtë fushë ka pasoja të shumëfishta, duke penguar investimet ekonomike, ofrimin e shërbimeve komunale, qasjen në kujdes shëndetësor dhe edukim.  Qeveria ka bërë përparim inkurajues në reformën e kësaj çështjeje, por qytetarët kosovarë meritojnë më shumë.  Le të sigurohemi që kalimi në prokurimin elektronik në tërë qeverinë të përfundojë para janarit të vitit 2018.

Qeveria amerikane, përmes USAID-it dhe agjencive të tjera, do të vazhdojë të mbështesë qeverinë në reformën e prokurimit, të sektorit të drejtësisë dhe një varg tjetër të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit.  Por, përkushtimi më i gjerë dhe më i fuqishëm – prej nivelit komunal deri te ulëset më të larta të pushtetit – është është absolutisht thelbësor.

Ju faleminderit edhe njëherë që jeni sot me ne dhe për krejt çka bëni çdo ditë për luftimin e korrupsionit.  Pres me padurim t’i dëgjoj idetë tuaja dhe të punojmë së bashku gjatë kësaj jave për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të punuar, investuar dhe jetuar – tash dhe në të ardhmen.

Ju faleminderit!