Fjala e Ambasadorit Delawie në Konferencën Ndërkombëtare të Institutit Amerikan të Arkitektëve (AIA)

Fjala e Ambasadorit Delawie në Konferencën Ndërkombëtare të Institutit Amerikan të Arkitektëve (AIA), 6 prill 2018

Më vjen mirë që jam këtu me të gjithë ju. Vërtet jam i lumtur që AIA zgjodhi vendin e duhur për të ardhur për takimin e vet evropian, pra Prishtinën, Kosovë. Është kënaqësi që jam këtu me ju për të biseduar për një temë kaq emocionuese – roli i të rinjve në transformimin e hapësirave urbane, për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ndonëse diplomacia është puna ime e vërtetë, vërtet kam një interes të veçantë për arkitekturën. Babai im ishte arkitekt në Kaliforninë Jugore, në San Diego, dhe, natyrisht, ishte anëtar i AIA-s, dhe bashkëpunëtor i AIA-s që nga viti 1972. Ai kaloi shumë kohë në transformimin e hapësirave urbane për të rinjtë dhe të tjerët. Ai bëri edhe projektimin e ndërtesave edhe planifikimin urban dhe shumë prej përpjekjeve të tij janë bërë hapësira publike ikonike në San Diego. Puna e tij gjithmonë bazohej në idenë që hapësirat urbane të bëheshin “miqësore për njerëzit”.

Prishtina është një qytet shumë interesant, plot me ide të gjalla dhe të rinj të etur për ta sjellë Kosovën më afër të ardhmes euroatlantike të cilën të gjithë e dëshirojmë për ta. Megjithatë, mendoj që do të shihni se ka sfida të mëdha infrastrukturore që duhet të adresohen në vitet në vijim. Jam i gëzuar t’i dëgjoj idetë e përbashkëta në këtë konferencë rreth mënyrës se si njerëzit po përpiqen të përparojnë në këto çështje. Arkitektët mund të japin kontribut thelbësor në trajtimin e disa prej këtyre sfidave.

Do të tregoj për dy mënyra në të cilat Ambasada jonë i ka mbështetur këto përpjekje. Në Mitrovicë, e kemi sponsorizuar një ekspert vizitues nga Shtetet e Bashkuara për të folur për planifikimin, dizajnimin dhe menaxhimin e hapësirave publike, një ide për të cilën jam i sigurt që ju të gjithë jeni të informuar. Besojmë që përpjekja për t’i ribërë hapësirat urbane jo vetëm që kërkon shumë pikëpamje artistike dhe arkitekturale, por gjithashtu mund të jetë mundësi e mirë për komunitetet e shumta të Kosovës për të punuar bashkë dhe përtej vijave etnike. Çdokush dëshiron të jetojë në qytete të cilat punojnë për nevojat e tyre. Gjithashtu na vjen mirë që e mbështesim Festivalin e Animacionit Anibar, i cili çdo verë mbahet në një qytet perëndimor të quajtur Pejë. Vitin e kaluar, tema e Anibarit ishte “Riktheje qytetin”. Organizatorët e festivalit dhe aktivistët e rinj po punojnë me udhëheqësit e qytetit për t’i mbrojtur hapësirat e përbashkëta publike dhe për t’i kthyer ato në diçka nga e cila përfiton i gjithë komuniteti. Këta janë vetëm dy shembuj të shumë projekteve që tashmë janë duke u zhvilluar dhe jam i sigurt që do të dëgjoni shumë më tepër gjatë kësaj konference.

Përveç shikimit drejt të ardhmes, mbrojtja e të kaluarës unike të Kosovës përmes ruajtjes së trashëgimisë kulturore duhet të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë. Jam krenar që gjatë viteve Ambasada jonë ka dhënë shumë grante për ruajtjen e vendeve, objekteve dhe koleksioneve kulturore dhe formave të shprehjes tradicionale kulturore. Së voni kemi përfunduar projektin e rinovimit në Kalanë e Prizrenit, të përfunduar nga partnerët tanë të shkëlqyer, Trashëgimia Kulturore pa Kufij.

Dëgjoj që shumë prej jush do ta vizitoni kalanë dhe mendoj se do të shihni që ky është një shembull i shkëlqyeshëm i historisë së Kosovës dhe si t’i bëni thirrje sektorit të turizmit në rritje e sipër në Ballkan, i cili çdo vit po bën gjithnjë e më shumë për t’u treguar vizitorëve se çfarë ka Kosova për të ofruar.

Është edhe një ndërtesë moderne për të cilën dua të flas, e kjo është Ambasada jonë e re, e cila do të përfundohet më vonë këtë vit. Prej themelit e lart, ndërtesa jonë do të jetë miqësore për mjedisin. Orientimi i ndërtesës do të na lejojë ta shfrytëzojmë dritën dhe nxehtësinë natyrore gjatë ditës. Shpresojmë që ndërtesa jonë do ta arrijë nivelin e certifikimit “LEED Gold”, me karakteristika si ngrohja dhe freskimi gjeotermal, që do ta zvogëlojnë ndotjen, akumulimi i dritës së diellit, që do ta përmirësojë efikasitetin e energjisë, dhe përdorimi zero i ujit përmes sistemeve të ujitjes dhe trajtimit të ujërave të zeza brenda ndërtesës. Brenda Ambasadës, arti i ri i krijuar posaçërisht për hapësirën tonë në bashkëpunim me artistët vendës do ta pasqyrojë mirëkuptimin e fortë ndërkulturor midis SHBA-së dhe Kosovës, si dhe trashëgiminë unike kulturore të Kosovës. Jemi krenar që Ambasada jonë do të jetë pjesë e qytetit novator të Prishtinës që të gjithë shpresojmë ta shohim në të ardhmen, dhe mendoj që do të jetë diçka për të cilin të dy vendet tona mund të krenohen.

Me këtë, unë do t’ju lë të gjithë juve t’i shijoni diskutimet dhe prezantimet interesante që do të pasojnë gjatë disa ditëve në vijim. Për ata që për herë të parë e vizitojnë Kosovën, e di që do t’ju pëlqejë ta njihni këtë vend të mrekullueshëm dhe të takoni shumë të rinj novatorë të cilët po bëjnë gjëra të mrekullueshme këtu.

Ju faleminderit shumë!