Është me të vërtetë madhështore të shohësh që Asambleja Parlamentare e NATO-s mban konferencën e vet Rose-Roth këtu në Prishtinë për herë të parë.
Vetëm më vjen keq që nuk kemi delegacionin e Kongresit të SHBA-së këtu për të marrë pjesë. Por siç disa prej jush mund të keni dëgjuar, ne i kemi zgjedhjet më 8 nëntor, dhe çdo anëtar i Kongresit është i angazhuar plotësisht me fushatën zgjedhore në këtë çast. Jam i sigurt që të gjithë anëtarët e zgjedhur të parlamentit që janë këtu sot mund ta kuptojnë plotësisht atë obligim.
Por vetëm të jem i qartë, mungesa e delegacionit amerikan nuk ka absolutisht asnjë reflektim në Kosovën apo vlerën që Kongresi ynë vë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Unë e çmoj mundësinë për të qenë këtu sot për të folur në temën e NATO-s dhe të Ballkanit Perëndimor.
Për 25 vjet, Aleanca ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë së Ballkanit – ndonëse si shënim anësor, duhet gjithashtu ta njohim rolin shumë të rëndësishëm dhe plotësues që Bashkimi Evropian ka luajtur në forcimin e stabilitetit rajonal duke përdorur mekanizmat e vet, siç dëgjuam dje nga Ambasadorja Apostolova.
Prej operacionit të vet paqeruajtës në Bosnje në vitet 1990-të deri në rolin aktual të KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurt në Kosovë — NATO ka luajtur rol të rëndësishëm në kalimin e tërë këtij rajoni nga gjakderdhja dhe konflikti etnik drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të ndritshme.
Dhe, siç e dinë pothuaj të gjithë në këtë sallë, NATO nuk do të shkojë askund. Ajo do të mbetet në rajon për një kohë të gjatë.
Askush nuk duhet të dyshojë që Aleanca mbetet plotësisht e zotuar për stabilitetin dhe sigurinë e ardhshme të Ballkanit Perëndimor, si dhe për t’i mbështetur aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit.
Kjo shihet qartë nga fakti se në Samitin e Varshavës, shefat e shteteve dhe të qeverive e ngarkuan Këshillin e Atlantikut të Veriut me hartimin e një raporti mbi angazhimin dhe marrëdhëniet e NATO-s në rajon. Raporti pritet të jetë gati për takimin e ministrave të jashtëm që do të mbahet në dhjetor.
Shtetet e Bashkuara marrin pjesë aktivisht në diskutime lidhur me fushëveprimin e këtij raporti dhe plotësisht pres që produkti përfundimtar të shërbejë për t’i udhëhequr dhe forcuar edhe më tej marrëdhëniet e Aleancës në rajon.
Anëtarët aktualë të NATO-s
Tri vende nga rajoni tashmë janë, natyrisht, anëtare të NATO-s.
Sllovenia ishte vendi i parë në rajon për t’iu bashkuar NATO-s në vitin 2004, e pasuar nga Shqipëria dhe Kroacia në vitin 2009.
Sot, që të tria këto vende qëndrojnë të sigurta brenda Aleancës dhe përpjekjet e tyre i kontribuojnë stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në botë.
Ia vlen të përmendet, për shembull, se të tria këto vende janë duke i kontribuar misionit të KFOR-it në Kosovë, dhe që të tria gjithashtu i kanë kontribuar misionit për mbështetjen e NATO-s në Afganistan.
Mali i Zi
Natyrisht, Mali i Zi së shpejti pritet të bëhet vendi i katërt nga Ballkani Perëndimor që do t’u bashkohet radhëve të NATO-s.
NATO zyrtarisht e ftoi Malin e Zi për t’iu bashkuar organizatës në dhjetor të 2015-ës. Vendi iu afrua edhe më afër anëtarësimit pikërisht javën e kaluar me një rezultat pozitiv në zgjedhjet nacionale, të cilat shumë veta i panë si demonstrim të mbështetjes publike për NATO-n.
Ka të ngjarë që është vetëm çështje muajsh para se NATO-ja ta mirëpresë Malin e Zi si anëtarin e vet të 29-të.
Kjo do të jetë arritje e shumë e mirë.
Kandidatët e ardhshëm dhe programet për partneritetet
Ftesa drejtuar Malit të Zi për t’iu bashkuar Aleancës është gjithashtu afirmim i fuqishëm i angazhimit të NATO-s për politikën “Dera e hapur”, duke dëshmuar që është po aq e gjallë sot siç ishte në kohën kur Aleanca u themelua në vitin 1949.
Ky është një sinjal i rëndësishëm e pozitiv për të gjitha vendet e rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen, posaçërisht për kandidatët zyrtarë Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia. Ajo thekson se nëse ata, si Mali i Zi, janë të gatshëm ta bëjnë punën e vështirë të reformave, dera e NATO-s është e hapur. E SHBA-ja kërkon nga Bosnja e Hercegovina që ta përfundojë shqyrtimin e vet të mbrojtjes deri më 30 nëntor për ta ofruar një kornizë të fortë për përparimin e mëtejmë drejt qëllimeve të NATO-s. E SHBA-ja pret që Maqedonia ta riafirmojë angazhimin e vet ndaj vlerave të Kartës së Atlantikut të Veriut përmes zgjidhjes së krizës politike dhe reformave të fuqishme, si dhe zgjidhjes së çështjes së emrit.
Natyrisht, jo çdo vend në rajon ka aspirata për anëtarësim në NATO. Ky është vendim sovran e personal i çdo shteti. Por edhe ato vende që nuk dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s ende mund të përfitojnë nga bisedimet dhe puna me Aleancën.
Programet e partneritetit të NATO-s, si Planet Individuale të Bashkëpunimit për Partneritet (IPCP) dhe Plane Individuale të Veprimit për Partneritet (IPAP), janë shembuj konkretë të saj se si Aleanca dhe vendet jo-aspiruese mund të përfitojnë nga marrëdhëniet e mira.
Këto programe janë të shtytura nga kërkesat dhe u janë përshtatur interesave të secilit vend të veçantë.
Shtetet mund të hulumtojnë, planifikojnë dhe caktojnë buxhet për aktivitete bashkëpunuese që i përmbushin nevojat e tyre –dhe në Listën e Bashkëpunimit për Partneritet të NATO-s janë mbi një mijë programe nga e cila mund të zgjedhin.
NATO tashmë i llogarit Bosnjën e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë si partnerë.
Ky angazhim konstruktiv u sjell përfitim të gjithëve, kështu që shpresojmë që të gjitha vendet e rajonit të përfitojnë nga programet që NATO ka për të ofruar.
Kosova
Më lejoni t’i kthehem Republikës së Kosovës – nikoqirit tonë për këtë konferencë, dhe natyrisht ku jam fokusuar.
Së pari, nuk mendoj se është e mundur të zvogëlohet rëndësia e vazhdueshme për të pasur një prani të fuqishme të KFOR-it që shërben në këtë vend.
Disa argumentojnë që KFOR-i nuk është aq i rëndësishëm siç ishte dikur. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta.
KFOR-i është shprehje e angazhimit të Aleancës të NATO-s për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Është një institucion i vlerësuar, i mbështetur dhe i respektuar njëlloj si nga të shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe nga serbët e Kosovës.
Prania e saj mbetet pengesë e dukshme ndaj dhunës dhe jostabilitetit.
Duke reflektuar rëndësinë e këtij misioni, pjesa më e madhe e aleatëve të NATO-s (23 nga 28) janë kontribuues në trupat e KFOR-it. Mbështetja e kontributeve të tyre në nivelet e kërkuara mbetet kritike. KFOR-i ka qenë tepër i suksesshëm, por puna e tij këtu nuk është kryer ende.
Përfundimisht do të vijë dita kur ky misioni nuk do të jetë më i nevojshëm. Përfundimisht situata politike dhe e sigurisë në këtë vend do të përmirësohet në mënyrë të mjaftueshme për të diskutuar për largimin e KFOR-it. Ne duhet ta fillojmë planifikimin e kujdesshëm të paparashikuar për atë ditë.
Megjithatë, kjo ngre disa pyetje. Nën një, NATO nuk duhet të tërhiqet nga Kosova nëse vendi nuk ka aftësi për vetëmbrojtje.
Plotësisht e kuptoj që tema e aftësisë së Kosovës për të ofruar siguri për mbrojtjen e vet është çështje e ndjeshme, posaçërisht ndër shtetet në NATO që nuk e kanë njohur atë. Megjithatë, cilat janë alternativat? Një mision i përhershëm i KFOR-it? Ose NATO përfundon misionin e vet jashtëzakonisht të suksesshëm këtu duke lënë prapa një vakuum të sigurisë?
Besoj që është e domosdoshme ta mbështesim transformimin gradual e transparent të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës me mandat të kufizuar, territorial të mbrojtjes që është i ndjeshëm ndaj shqetësimeve rajonale.
Ky transformim duhet të ndodhë në mënyrë kushtetuese që përfshin të gjithë aktorët përkatës në vend. Nuk do të jetë punë e lehtë, as në pikëpamje politike as në pikëpamje logjistike, por duhet të pranojmë që ky transformim në fund të fundit do ta rrisë sigurinë rajonale dhe është parakusht logjik për ndonjë tërheqje eventuale të KFOR-it.
Gjersa ecim përpara, krijimi i një marrëdhënieje të fuqishme bilaterale bashkëpunimi midis NATO-s dhe Kosovës – duke siguruar rrugë për angazhim, këshilla dhe siguri — vetëm do të fitojë rëndësi. Besoj që kjo duhet të mirëpritet nga të gjithë fqinjët e Kosovës.
Do të nevojitet kohë për zhvillimin e këtij lloji të marrëdhënies. Por, një hap në drejtimin e duhur ndodhi në Samitin e Varshavës ku aleatët u zotuan ta njoftojnë Kosovën për qëllimin e tyre për ta zhvilluar një “marrëdhënie bashkëpunuese” mes Kosovës dhe Aleancës.
SHBA-ja fuqimisht e mbështet këtë iniciativë dhe është duke punuar me aleatët në Bruksel për ta përcaktuar natyrën e marrëdhënieve dhe për t’i identifikuar mënyrat vizionare në të cilat NATO dhe Kosova mund të bashkëpunojnë, tani dhe në të ardhmen.
Përmbledhje dhe e ardhmja
Pra, për të përmbledhur, dua të theksoj edhe një herë se Aleanca mbetet plotësisht e angazhuar në Ballkanin Perëndimor.
NATO duhet të vazhdojë të kërkojë më shumë mundësi për ta rritur partneritetin dhe angazhimin në rajon.
Dua t’jua shpreh falënderimet e mia të sinqerta shpreh të gjithë juve, si anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe anëtarë të parlamentit në shtetet tuaja përkatëse, që keni gjetur kohë dhe keni ardhur në Kosovë për ta shqyrtuar dhe diskutuar çështje të rëndësishme me të cilat Aleanca përballet këtu në Evropën Juglindore. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për punën e Aleancës në këtë fqinjësi.
Si aleatë, ne të gjithë kemi interes të përbashkët në sigurinë dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës. Së bashku kemi investuar për t’i dhënë fund dhunës dhe padrejtësive të viteve 1990-të, për ta ruajtur paqen që pasoi, dhe për ta siguruar të ardhmen e rajonit në kornizën evropiane.
Kemi bërë përparim të madh. Por kemi një rrugë të gjatë për ta bërë për ta përfunduar punën.
Nuk kam fije dyshimi që NATO-ja do të angazhohet për ta bërë atë.
Përgjigjet e ambasadorit në pyetje në Takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s – 23 tetor 2016
Deputetët italianë: Ju keni thënë KFOR ende ka rol për të luajtur edhe për disa kohë. Nuk mund të pritni që kjo të zgjasë përgjithmonë?
Ambasadori Delawie – Jo. Jemi duke punuar me aleatët e tjerë të NATO-s për t’i krijuar kushtet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që KFOR-i të mos jetë më i nevojshëm.
Politika amerikane për Evropën është që ajo të jetë e tërë, e lirë dhe në paqe. Ne natyrisht i mbështesim ambiciet e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i arritur ambiciet e tyre të integrimit në strukturat evropiane. Pasi ajo të jetë më afër realizimit në Ballkanin Perëndimor do të jetë më lehtë të shihet kur KFOR-i nuk do të jetë më i nevojshëm. Ne natyrisht do të punojmë me aleatët tanë gjersa ai proces vazhdon.
Deputetët italianë: A mund Kosova vërtet të ketë forcë efektive ushtarake?
Ambasadori Delawie – po. GJB Mossman foli për punën e NATO-s me FSK-në lidhur me profesionalizimin dhe kuptimin e aktiviteteve të rëndësishme që FSK-ja duhet t’i përmbushë. SHBA-ja, bashkë me shumë aleatë të tjerë, është duke punuar me FSK-në për ta ndihmuar që t’i përmirësojë aftësitë dhe mundësitë e veta për të bashkëvepruar me ushtritë e vendeve të tjera. Ne besojmë që FSK-ja duhet të transformohet gradualisht në FAK në një mënyrë që merr parasysh ndjeshmërinë e të gjitha komuniteteve të Kosovës. Ka kohë që SHBA-ja punon me FSK-së në këtë projekt.
Deputetët italianë: Sa problem i madh janë LHT-të për Kosovën?
Ambasadori Delawie – Aktivitetet e QK-së lidhur me problemin e trajtimit të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) na kanë lënë përshtypje të madhe. Mendoj që Kosova është prijëse në rajon; i ka arrestuar LHT-të, i ka ndjekur dhe i ka dënuar, dhe disa janë në burg. Kosova ka marrë pjesë në të gjitha tubimet rajonale rreth luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe jemi shumë të kënaqur ta kemi një partner këtu që e trajton këtë çështje me seriozitet. Nuk mendoj që çdo vend mund të pohojë që e ka thyer kodin si saktësisht t’i parandalojë njerëzit për të mos udhëtuar në Irak apo Siri për të luftuar në luftërat e popujve të tjerë, por e di që kemi një partner të mirë në Kosovë dhe se ka shënuar përparim të madh gjatë dy viteve të fundit.
Anëtari i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar: Si do të ndryshojë politika në Ballkanin Perëndimor nën presidencën Clinton?
Ambasadori Delawie – Më janë dhënë udhëzime të rrepta që të mos flas për politikat e asnjë kandidati presidencial derisa populli amerikan ta ketë marrë vendimin e vet. Mund t’ju them se politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë shumë konsistente pa marrë parasysh a ka qenë demokrat apo republikan në krye të qeverisë sonë dhe pres që kjo të vazhdojë.
Anëtari i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar: Cilat janë pikëpamjet e Serbisë lidhur me këto çështje?
Ambasadori Delawie: Për këtë duhet të diskutoni me kolegët e mi në Ambasadën Amerikane në Beograd.