Fjala e ambasadorit Delawie në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë, 13 nëntor 2017
Mirëmëngjesi dhe mirë se erdhët në Javën Globale të Ndërmarrësisë. Kryeministër Haradinaj, mysafirë të nderuar, ndërmarrës, është kënaqësi të jesh këtu, dhe dua ta falënderoj Qendrën Inovative të Kosovës që e mundësoi këtë. Isha këtu vitin e kaluar dhe është gjithmonë madhështore të jesh pjesë e ndodhive ku kremtohen të arriturat e ndërmarrësve të Kosovës.
Duket që Java e Ndërmarrësisë përkon me publikimin e Raportit vjetor të Bankës Botërore “Bërja e Biznesit”, dhe kur ju fola para një viti, ishim duke kremtuar përparimin e Kosovës, që kaloi prej vendit të 64-të në vendin e 60-të. Ky përparim ka qenë më mahnitës këtë vit pasi Kosova është ngjitur për 20 vende më lart, duke u renditur e 40-ta, dhe njihet si vendi më i përmirësuar në Evropë.
Fusha e qartë e këtij përmirësimi na tregon se jeni në rrugën e duhur ndërsa vazhdojmë të lidhim partneritet, duke u marrë me sfidat sistemike me të cilat përballet sektori privat i Kosovës. Çdo ditë që kaloj këtu shoh shembuj të vërtetë të këtij përmirësimi kur takohem me biznese të vogla dhe ndërmarrës të rinj të cilët kanë një shtysë mbresëlënëse për t’u rritur, për t’u përtërirë dhe për të arritur tregje të reja.
E dimë që ajo që ka rëndësi nuk është në të vërtetë renditja, treguesit e Bankës Botërore apo ndonjë gjë tjetër, por përmirësimet në jetët dhe jetesën e popullit të Kosovës, dhe kjo ka të bëjë me reformat e vazhdueshme që do të shpijnë drejt një qeverisjeje më transparente, më të përgjegjshme dhe më përgjegjëse për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Gjatë vitit të kaluar, në partneritet me Qeverinë e Kosovës, kemi ndërmarrë hapa të mëdhenj për ta nxitur rritjen e udhëhequr nga sektori privat dhe për ta liruar frymën ndërmarrëse të qytetarëve të talentuar të Kosovës. Për shembull, Fondi për Garantimin e Kredive të Kosovës, i mbështetur nga USAID-i, vazhdon t’u ndihmojë kompanive të vogla dhe të mesme të cilat përndryshe nuk do të mund ta arrinin kapitalin që u nevojitet për t’u rritur dhe mbijetuar. Vetëm që nga viti 2016, por tashmë është bërë e mundshme, 577 kredi që arrijnë vlerën në 26 milionë dollarë, kanë ndihmuar në krijimin e mbi 1,000 vendeve të punës.
Reforma e rëndësishme e Qeverisë së Kosovës kundër falimentimit gjithashtu ka qenë vendimtare në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për biznesin që inkurajon bizneset e reja t’i marrin rreziqet e nevojshme, pa pasur nevojë të rrezikojnë gjithçka. Ngjashëm, jemi të inkurajuar nga përpjekjet e gjyqësorit për pakësimin e numrit të lëndëve të grumbulluara dhe për të siguruar vendime më të efektshme gjyqësore dhe zbatim të tyre.
Masat e tilla janë të rëndësishme, sepse ëndërruesit e talentuar të Kosovës duhet ta dinë se qeveria e tyre ka mbështetjen e tyre. Ne i shikojmë ndërmarrësit për zotësinë dhe vendosmërinë e tyre, për aftësinë e tyre për të krijuar vende pune dhe për vizionin e tyre se çfarë mund të arrijë Kosova në të ardhmen. Në këmbim të guximit që nevojitet për t’i vënë idetë dhe investimet e tyre në linjë, atyre ua kemi borxh një mjedis biznesi që u ofron një rast të mirë drejt suksesit, një sektor privat që i detyrohet dhe mbrohet nga sundimi i ligjit.
Është bërë përparim, por ende ka shumë punë për të bërë. Rritja ekonomike në Kosovë është e lidhur në mënyrë të pandashme me luftën kundër korrupsionit, prandaj është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve që ta lajmërojnë dhe luftojnë korrupsionin në çdo nivel, në çdo sektor, kudo që ai kërcënon ta minojë punën e zellshme të popullit të Kosovës. E dimë që edhe perceptimi i korrupsionit mund të ketë efekt zbutës. Prandaj, duhet të bëjmë më mirë në prokurim publik, në leje të ndërtimit, në titullim të tokës dhe në shumë fusha të tjera që e pengojnë rritjen ekonomike dhe e dëmtojnë besimin e publikut.
Komuniteti i biznesit ka një rol të madh për të luajtur në këtë. Para së gjithash, ju inkurajoj të punoni së bashku. Lajmëroni praktikat e korruptuara kudo që i shihni. Përfshihuni në përpjekjet për reforma dhe bisedoni me grupet e shoqërisë civile, dhe gjeni një mënyrë për ta ngritur zërin tuaj. Siç kam thënë edhe më parë, korrupsioni fshihet në errësirë, prandaj hidhni dritë mbi të. Dhe më e rëndësishmja, prini me shembull: refuzoni favore dhe marrëveshje të veçanta që i vlerësojnë lidhjet ndaj kompetencës. Merita ka rëndësi, prandaj çmojeni atë mbi çdo gjë tjetër.
Gjithashtu duhet ta bëjmë një punë më të mirë duke rritur pjesëmarrjen ekonomike të grave dhe të pakicave në ekonominë e Kosovës. Jo vetëm sepse është gjëja e duhur për ta bërë, por sepse Kosova ka nevojë për kontributet e të gjithë qytetarëve të saj për të përparuar me të vërtetë. Iniciativat, si Forumi Ekonomik i Gruas, janë vend i mirë për të filluar, për t’u ndihmuar grave që të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshimin dhe nivelin e fushës së lojës ekonomike.
Ka sfida të mëdha përpara. Por për ata që sapo janë duke filluar, që sapo kanë filluar ta krijojnë një ide të re ose ta krijojnë një produkt të ri, vazhdoni me të. Ju nxis të rrezikoni, të provoni gjëra të reja, dhe mos lejoni që frika e dështimit t’ju frenojë. Dështimet dhe pengesat janë, në fund të fundit, pjesë thelbësore e inovacionit – ato kanë të bëjnë me mënyrën si ju kaloni nga ideja juaj e parë në idenë tuaj më të mirë. Ato janë, siç tha dikur Henry Ford, “Thjesht mundësi për të filluar përsëri”.
E përshëndesim këmbënguljen dhe imagjinatën tuaj. Secili prej jush, në mënyrën tuaj, po e çon Kosovën përpara. Qëndroni të angazhuar me Qeverinë dhe odat tuaja ekonomike. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për t’ju ndihmuar që t’i arrini sendërtoni tuaja.
Siç kam thënë më parë, ndërmarrësia është shprehje e optimizmit. Është besimi se idetë tuaja kanë vlerë dhe ju mund t’i sendërtoni ato. Duke shikuar rreth e rrotull kësaj dhome, më duhet të jem optimist, gjithashtu.
Ju faleminderit përsëri, dhe urime të gjithë juve.