Ju faleminderit, z. Kryeministër, Ministër Stavileci. Më vjen shumë mirë që po shohim kaq shumë pjesëmarrës nga i tërë sektori i energjisë në Kosovë, si dhe partnerë dhe kolegë tanë ndërkombëtarë, të cilët janë bërë bashkë për ta nënvizuar nevojën e Kosovës për burim të sigurtë të energjisë elektrike – temë kjo që më ka interesuar edhe para se të vija këtu.
Siguria e energjisë elektrike është përbërës thelbësor për rritjen e ardhshme ekonomike dhe stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës. Energjia elektrike është diçka që i prek qytetarët e Kosovës çdo ditë. Kur ka rrymë, pothuajse e harrojmë që ekziston. I ndriçon dhe i ngroh shtëpitë; mundëson funksionimin e rregulltë të bizneseve, pothuajse si të ishte magji. Por, ju që jeni të përfshirë në këtë biznes, e dini që këtu nuk ka kurrfarë magjie. Në fakt, kemi të bëjmë me inxhinieri të sofistikuar, planifikim dhe para.
Sektori i energjisë elektrike është enigmë e ndërlikuar që kërkon bashkërenditje të mirëfilltë ndërmjet institucioneve të energjisë elektrike. Këtij sektori i nevojiten rregullore dhe politika të duhura.
Forumi i sotëm paraqet mundësi të mirë për të folur rreth të sektorit të energjetikës. Por, po ashtu paraqet edhe paraqet mundësi për të folur rreth zgjidhjeve të mundshme për to.
Çka mendoj me sfida? Meqenëse jam në një sallë me njerëz, të cilët – si unë – i çmojnë numrat, më lejoni ta përdori një statistikë të qartë për ta hijezuar çka po them. Në një raport të kohëve të fundit të USAID-it thuhet se furnizimi i pasigurtë me energji elektrike iu kushton bizneseve të Kosovës me pothuajse 300 milionë euro çdo vit në humbje në prodhimtari. Këto janë mjete që bizneset do të mund t’i shfrytëzonin për zgjerimin e prodhimit, rritjen e shitjeve, mbledhjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në të njëjtën kohë, shqetësohem rreth ndikimit të mundshëm humanitar nëse sfidat gjatë mirëmbajtjes periodike të termocentralit Kosova A dhe/apo Kosova B përkeqësohen. Ky dimër ka qenë i butë dhe nevojat për energji elektrike të vendit janë përmbushur nga termocentralet ekzistuese me import sipas nevojës. Megjithatë, nuk mund ta parashohim çka do të ndodhë muajin apo vitin e ardhshëm.
Kosovës i nevojitet infrastrukturë e sigurtë dhe bashkëkohore e energjisë elektrike për t’i mbështetur qytetarët e saj, të krijojë vende pune, të tërheqë investime të huaja dhe ta përmbushë potencialin e saj të vërtetë.
Besoj se Kosova duhet t’i modernizojë aftësitë e saj për prodhimin e energjisë elektrike. Jemi të kënaqur që ka përparim drejt termocentralitKosova C, e cila do t’i zëvendësonte njësitet e tanishme që operojnë me teknologji të pasigurtë dhe ndotëse të viteve 1960 dhe 1970. Kosova C do t’i përdorte teknologjitë më bashkëkohore në dispozicion për ta shtuar efiçencën, për ta përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe për ta zvogëluar ndotjen e ajrit.
Në të njëjtën kohë, më vjen mirë që po shohim përparim edhe në shumëllojshmërinë e burimeve të energjisë. Themelimi i kohëve të fundit i zyrës ‘gjithçka në një vend” për investime në energjinë e ripërtërishme do të duhej t’iu ndihmonte investitorëve për t’i kthyer idetë e tyre në realitet. Qartazi në SHBA e kemi parë se çmimet e energjisë së ripërtëritshme po bien, kurse sasia është shtuar shumë më shumë se sa do ta kishim parashikuar para disa viteve. Shumëllojshmëria fuqizon këtë sektor dhe përmirëson gjasat për siguri më të madhe.
Pasi që integrimi në tregun rajonal është komponent kyç për një sistem efiçent dhe stabil të energjisë elektrike, më vjen mirë që kemi këtu përfaqësuesit e Qeverisë së Shqipërisë. Kosova pothuajse e ka përfunduar pjesën e vet të linjës përçuese 400 voltëshe me Shqipërinë dhe tash e keni rastin të punoni së bashku në sigurinë dhe furnizimin me energji elektrike. Le të jetë dita e sotshme ditë e kthimit për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike. Bëni përpjekje për t’i gjetur mënyrat për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët të rajonit.
Duke shikuar drejt të ardhmes, financimi i modernizimit të sektorit të energjisë elektrike në Kosovë përmes sektorit privat është thelbësor, pa marrë parasysh a kemi të bëjmë me riparimin e termocentraleve të tanishme apo me zhvillimn e kapaciteteve të gjeneratës së të nesërmes. Shumë prej jush po punoni në këtë çështje dhe dëshiroj t’ju shpreh mirënjohje për përpjekjet tuaja për vënien e themeleve të duhura të nevojave të ardhshme të Kosovës për energji elektrike.
Secili prej jush kontribuoni me nga një pjesëz në enigmën e përmendur drejt furnizimit të sigurtë e të mundshëm të Kosovës me energji elektrike. Secila pjesëz e juaja paraqet mundësi për rritje dhe luan rol thelbësor në përparimin e përgjithshëm ekonomik dhe në stabilitetin e Kosovës.
Qeveria amerikane është shumë e lumtur që mund t’i mbështesë përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për ta modernizuar sektorin e energjisë elektrike të vendit dhe për t’ua hapur dyert projekteve të reja të energjisë së pastër. Bashkë, me përpjekjet tona të përbashkëta dhe të vazhdueshme, mund t’a bëjmë që Kosova të ketë sektorin e energjisë elektrike që e meriton.
Z. kryeministër, ministër Stavileci, ju përgëzoj për të gjitha përpjekjet e ndërmarra deri tash dhe ju falënderoj për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm. Të jeni të sigurtë se do ta keni mbështetjen tonë të vazhdueshme për përpjekjet e Kosovës në 2016-tën dhe gjatë viteve të ardhshme kritike.
Ju faleminderit.