Fjala e ambasadorit Delawie në Forumin e tretë të Nivelit të Lartë për Energji

Fjala e ambasadorit Delawie në Forumin e tretë të Nivelit të Lartë për Energji, 20 mars 2018

Mirëmëngjesi të gjithëve. Ju faleminderit, z. Kryeministër, ministër, kolegë nga kori diplomatik, mysafirë të nderuar. Kam kënaqësinë që jam këtu.

Pak çështje janë më kritike për të ardhmen e Kosovës se sa furnizimi i sigurtë, i besueshëm dhe i pavarur me energji elektrike, si dhe treg i larmishëm i energjisë elektrike. Tash për tash, pasiguria për furnizim me energji elektrike po i kushton ekonomisë së Kosovës rreth 335 milionë euro në vit dhe diçka e tillë thjesht nuk është e qëndrueshme për asnjë vend. Por, kostoja është shumë më e madhe se sa tregon kjo shifër marramendëse: para disa javëve e pamë çfarë rreziqesh na presin kur Kosova përballet me ndërprerje të pandalshme të energjisë elektrike dhe një shmangje nga rrjeti evropian i energjisë elektrike thjesht ndali kohën.

Por, po përparojmë. Para një viti, në forumin e dytë për energji pata thënë se 2017-a do të ishte vit vendimtar për sektorin e energjisë në Kosovë. Dhe kanë qenë 12 muaj mjaft domethënës.

Dhjetorin e shkuar pamë mbylljen e suksesshme komerciale të projektit Kosova e Re, investimi më i madh i huaj në historinë e Kosovës. Kur të kryhet, do të kemi një termocentral të ri, shumë efikas që shfrytëzon teknologjinë më të mirë në dispozicion dhe që punon në përputhje me standardet për lëshim të gazrave të BE-së. Kjo ishte e arritur e madhe për trajtimin e nevojës së Kosovës për gjenerim të energjisë elektrike, por sigurisht që nuk paraqet përfundimin e rrugëtimit. Tani është thelbësore që Qeveria e Kosovës të sigurojë se projekti Kosova e Re shkon drejt përmbylljes financiare dhe të mbajë zotimet e dhëna në dhjetor.

KEK-u ka bërë punë të mirë duke iu përmbajtur standardeve ndërkombëtare për adresimin e çështjes së vështirë të zhvendosjes së banorëve, gjë që mori shumë kohë, durim dhe përkushtim, por tash hap rrugën për gjenerimin e ri.

E natyrisht, marrëveshja e Kosovës me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit mëton të bëjë ndryshime rrënjësore në energjinë e ripërtërishme dhe efiçencën e energjisë.

Natyrisht, duhet të punohet edhe më shumë. Kosova duhet të kontrollojë vetë kufijtë e saj të energjisë elektrike si hap qendror drejt sigurisë energjetike, pa ndërhyrje nga jashtë. Në TC Kosova B duhen investime të mëdha për rehabilitim për të siguruar edhe 30 vjet jetëgjatësi në përputhje të plotë me standardet mjedisore të BE-së. Qeveria duhet të marrë vendim tani rreth mënyrës së menaxhimit të operacioneve të ardhshme të mihjeve, qoftë përmes privatizimit, menaxhimit të nënkontraktuar ose vazhdimit të pronësisë nga KEK-u. Është thelbësore që caqet për energji të ripërtërishme të Kosovës të gjejnë balancin ndërmjet ambicieve dhe barrës së padurueshme mbi konsumatorët.

Secila prej këtyre gjërave është thelbësore, por asnjëra nuk mjafton në vetvete. Gjenerimi i ri është jetik, por si i vetëm nuk mund të sigurojë furnizim me energji për Kosovën. Duhet të ketë investime në infrastrukturën ekzistuese dhe në efiçencë, por as ato si të vetme nuk e ndihmojnë Kosovën në modernizimin e sistemit. E investimet më se të nevojshme në burimet e ripërtërishme dhe larminë e sistemit energjetik marrin kohë, kështu që tash për tash nuk mund t’ia sigurojnë energjinë Kosovës.

Në të gjitha këto sfida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partneri juaj, siç kemi qenë përgjatë këtyre 20 viteve të fundit. Jam shumë krenar me përpjekjet tona për mbështetjen e privatizimit të KEDS-it, për ndihmën në ndërtimin e kapaciteteve në ZRrE, për investimet në kapitalin njerëzor në sektorin e energjisë – veçanërisht në adresimin e shpërputhjes në përfaqësimin gjinor, për ta ndihmuar KOSST-in për integrime rajonale dhe për mbështetjen e zhvillimit të projekteve për energji të pastër.

Natyrisht, ShBA-ja nuk ka qenë e vetme në përkrahjen e sektorit energjetik të Kosovës dhe jam më se i lumtur që këtu janë edhe gjithë këta partnerë ndërkombëtarë.

Para se ta mbylli fjalën, dëshiroj të them edhe diçka. Sot fola për shumëçka, për ndërlikimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori, por më lejoni t’ju them se pse jam optimist për sektorin energjetik. Para disa javëve e takova një grup të shkëlqyeshëm të praktikantëve të ri, që sapo ia fillonin punës në këtë fushë, të mbushur përplot me zgjuarsi, ambicie dhe energji dhe që gëlonin me ide të reja që i duhen çdo industrie për të përparuar. Njomza, ku je? Ja ku je! Ata janë atje. Këta janë ekspertët e ardhshëm të Kosovës në sektorin e energjisë dhe përderisa po flisja me ta, ishte e pamundur mos të besoje se sektori energjetik i Kosovës do t’i tejkalonte sfidat.

E meqenëse jemi në Javën e Gruas, veçanërisht dua ta përmend se më shumë se gjysma e këtyre praktikantëve në një fushë që mbizotërohet kryesisht nga meshkujt, ishin femra.

Ja ku janë! Ju faleminderit që u ngritët në këmbë! Këta njerëz janë e ardhmja e sektorit energjetik të Kosovës dhe mund t’ju them që janë plot me energji. Mund t’ua them këtë sepse e kam kaluar një orë duke folur me ta para dy-tri javëve.

Natyrisht që mbetet ende edhe shumë punë, por ju përgëzoj për gjithçka që Kosova e ka arritur deri tash dhe ju faleminderit për mundësinë për tu rizotuar për punën e mirë që na pret.

Ju faleminderit shumë!