Fjala e ambasadorit Delawie në Forumin e Nivelit të Lartë për Energji të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, 18 prill 2017
Mirëmëngjesi të gjithëve. Kam kënaqësinë që jam këtu. Ju faleminderit, z. Kryeministër, Ministër Stavileci, si të gjithë pjesëmarrësve të sotshëm.
Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e diskutimit të sotshëm për strategjinë për energji dhe rreth liberalizimit të tregut. Të gjithë e dimë se viti 2017 është vit kthese për sektorin energjetik të Kosovës dhe se është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, përfundimisht për ta bërë sektorin energjetik të Kosovës më bashkëkohor, më të sigurtë dhe më konkurrues.
Kur flasim për sektorin energjetik të Kosovës, shumë shpesh përqendrohemi në atë se çka duhet të përmbushet. Por, është me rëndësi ta pranojmë sa shumë kohë dhe përpjekje janë investuar në sektorin energjetik dhe çfarë përparimi i pabesueshëm është arritur deri tash për t’i mbajtur dritat ndezur.
Jam i sigurtë se shumë prej jush e mbani mend shumë mirë dimrin e tmerrshëm para gjashtë viteve kur siguria e furnizimit me energji ishte ndërmarrje shumë më e pasigurtë. Reduktimet e planifikuara të rrymës ishin ngjarje e zakonshme, duke i prekur shumë shtëpi dhe biznese në Kosovë.
Zhurma e gjeneratorëve dhe era e naftës vazhdimisht na e përkujtonin hallin e madh në të cilin gjendej sektorin energjetik i Kosovës.
Sot, megjithatë, jeta në qendër të qytetit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Me të vërtetë jam kënaqur me pamjet e sheshit Nëna Terezë të ndriçuar si sheshi Times në Nju Jork gjatë festave të fundvitit dhe me njerëzit që argëtoheshin në tregun e Krishtlindjeve nën gjithë ato drita. Ky është përparim i dukshëm në krahasim me 15, 10 apo edhe vetëm 6 vjet më parë.
Përkundër këtyre të arriturave, situata ende mbetet e brishtë, veçanërisht me një rrjet energjetik që furnizohet nga dy termocentrale të vjetëruara. Nëse ndonjëri prej tyre bie, situata [energjetike] në Kosovë do të ishte në rrezik.
Prandaj, e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për shqyrtimin e nevojës urgjente për gjeneratën e re të furnizimit me energji, si dhe për përparimin e njëmendtë drejt përmbylljes së marrëveshjes për termocentralin “Kosova C”. Qeveria po ashtu e kupton se duhen investime të mëdha për renovimin e TC “Kosova B” në pajtim me udhëzimet e BE-së për lëshimin e gazrave dhe ju nxisim të ndërmerrni veprim të mëtejmë për këtë nismë.
Sot dëshiroj t’i nënvizoj tri çështje tjera kritike. E para, duhet të shohim zotim më të madh të qeverisë për zhvendosjen e banorëve që jetojnë pranë mihjeve të KEK-ut. Vonesat e mëtejme vënë nxjerrjen e qymyrit, rrjedhimisht edhe prodhimin e energjisë elektrike, në rrezik. Nuk ka shkop magjik për zgjidhjen e çështjes së zhvendosjes, por është jetike dhe duhet të zgjidhet — në pajtim me standardet ndërkombëtare — para se të bëhet krizë.
E dyta, liberalizimi i vërtetë i tregut do të kërkojë lëvizje drejt kostos me tarifa pasqyruese për të gjitha kategoritë e konsumatorëve tariforë. Më vjen mirë që ZRRE-ja së fundmi ka marrë hapa zyrtarë për hapjen e tregut me pakicë të energjisë elektrike, si dhe e kuptojmë dëshirën për vënien e kostos me tarifa pasqyruese me faza për të shmangur tronditjen e konsumatorëve për shkak të çmimit. Realiteti është se investimet kapitale kaq të nevojshme në sektorin energjetik nuk do të vijnë falas – do të duhet të mbulohen ose nga subvencionet nga qeveria ose nga tarifat e konsumatorëve. Një strategji e menduar mirë dhe afatgjatë për zbatimin e këtyre masave do të jetë thelbësore.
Dhe në fund, plotësisht i mbështesim përpjekjet e KOSTT-it për arritjen e marrëveshjes së re për lidhje me Rrjetin Evropian të operatorëve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike (ENTSO-E) dhe jemi të vetëdijshëm për ndërlikimet që ky proces i ka me dialogun politik.
Asnjëra nga këto sfida që i nënvizova nuk trajtohen lehtësisht, por SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partneri juaj përderisa i merrni vendimet e vështira për to.
Prej vitit 1999, kemi qenë të përkushtuar për ofrimin e ndihmës teknike për sektorin energjetik, duke përfshirë edhe partneritetin tonë të tanishëm me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe me Rregullatorin e Energjisë për të mbështetur zhvillimin e projekteve për energji të pastër dhe për lehtësimin e investimeve të sektorit privat. Po ashtu, mbështesim KEK-un në fazën e fundit të nënndarjes dhe KOSTT-in në përpjekjet për integrim rajonal përmes pjesëmarrjes në Shkëmbimin e energjisë elektrike të Shqipërisë.
Veçanërisht jam krenar që e mbështesim Kosovën për përmbushjen e caqeve për energji të ripërtërishme duke përditësuar kornizën rregullative me ligje të reja për energji të miratuara verën e shkuar, si dhe përmes thjeshtimit të procedurave për leje dhe liçenca për zhvillimin e projekteve për energji të ripërtërishme.
Të gjitha këto kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për cilësinë bazike të jetesës për qytetarët tuaj, si dhe për ta ndihmuar Kosovën për t’i përmbushur qëllimet evroatlantike.
Për këtë arsye, miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike, si dhe Strategjia për energji elektrike e rishikuar së fundmi janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik. Kjo nuk është detyrë e lehtë, sepse nevojat për energji elektrike të Kosovës kërkojnë masë të njëjtë të pragmatizmit dhe idealizmit për ta mundësuar stabilizimin, modernizimin dhe zgjerimin e llojshmërisë së tij përnjëherë.
Edhe njëherë, kjo është ndërmarrje më se ambicioze dhe ne nuk jemi të vetmit që mbështesim sektorin energjetik të Kosovës. Prandaj, jam më se i lumtur që po shoh kaq shumë pjesëmarrës në këtë ngjarje, jo vetëm nga i tërë sektori energjetik i Kosovës, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Natyrisht që mbetet ende edhe shumë punë, por ju përgëzoj për të gjitha përpjekjet e ndërmarra deri tash, ju falënderoj për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm dhe për partneritetin tuaj.
në një përfundim. Ju faleminderit.