Fjala e ambasadorit Delawie në forumin e D4D

Fjala e ambasadorit Delawie në forumin e D4D, 6 qershor 2017

Faleminderit, Shpend dhe D4D për mundësinë për të marrë pjesë në këtë diskutim shumë interesant.  Përfaqësuese e posaçme Apostolova, z. Bajrami, kam kënaqësinë që jam këtu bashkë me ju.

E di se tri javët e kaluara kanë qenë tepër të ngarkuara për të gjithë ne në Kosovë, prandaj është mirë që sot po ndalojmë për një çast dhe njëmend të mendojmë për të ardhmen.  Gjithashtu, dëshiroj ta bëj të qartë prej fillimit se nuk flas për të ardhmen e qeverisë, të ndonjë partie politike apo udhëheqësi në Kosovë.  Kushdo që i fiton a i humbet zgjedhjet të dielën, sfidat dhe mundësitë me të cilat do të përballen janë të njëjta.

Sa për ndryshim, nuk do të flas për çështjet e shumta të cilat më keni dëgjuar duke i shtjelluar në të kaluarën.

Në vend të kësaj, dëshiroj të përqendrohem në pamjen e madhe për Kosovën – jo vetëm çka e pret qeverinë e re në muajt e ardhshëm, por në vitet e ardhshme.  Sepse pa marrë parasysh kë e zgjedhin votuesit të dielën, besoj se destinacioni i Kosovës ende është i qartë – shtet sovran, i pavarur, në paqe me fqinjtë e saj dhe plotësisht i integruar në Evropë dhe në komunitetin botëror.

Prej emërimit tim si ambasador i SHBA-së në Kosovë, jam përqendruar në tri prioritete të gjera që besoj se janë çelës i këtij rrugëtimit evroatlantik.  Këto janë çështjet që kanë formuar ndihmën dhe angazhimin tonë me qeverinë dhe popullin e Kosovës dhe këto janë çështjet e njëjta në të cilat do të vazhdojmë të angazhohemi edhe pas 12 qershorit dhe më tej: fuqizimi i sundimit të ligjit, mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe forcimi i sigurisë rajonale.

Prandaj, duke pasur në mend pyetjen e sotshme:

A është Kosova në rrugën e duhur për forcimin e sundimit të ligjit?  Miratimi i Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale paraqet hap të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit; ndryshimet që po i promovojmë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor më në fund do të sjellin sistem të duhur të llogaridhënies në sektorin e drejtësisë.  Kemi parë rritje të rasteve të arrestimit për sjellje të pahjishme dhe keqpërdorim të pozitës – përfshirë edhe në Policinë e Kosovës dhe në komuna – si dhe përkushtim të ri për përmirësimin e sistemit të prokurimit publik.  Por, besimi i qytetarit të rëndomtë në sistemin e drejtësisë është ende pabesueshëm i ultë – e akuzat për korrupsion dhe nepotizëm ende janë normë e zakonshme e diskursit publik, e që do të duhej të ishin përjashtim.

Janë të shumtë politikanët dhe zyrtarët publikë të nivelit komunal dhe qendror që vazhdimisht përballen me hetime, aktakuza, raunde të pafundme të seancave gjyqësore, që sjellin shumë pak dënime dhe ndëshkime penale.  Ky cikël i përhershëm minon besimin e publikut dhe të ndërkombëtarëve në sistemin politik dhe në sektorin e drejtësisë në Kosovë.  Votuesit kosovarë meritojnë më shumë nga të dyja.

Më vjen mirë që të gjithë po flasin për korrupsion gjatë kësaj fushate.  Shkruani deklaratat e kandidatëve tani dhe më vonë kërkojini llogari kujtdo që zgjedhjet.  Unë do t’ju ndihmoj.

A është Kosova në rrugën e duhur për mbështetjen e zhvillimit ekonomik?  Zhvillimi i bizneseve të vogla dhe ndërmarrësisë po rritet, veçanërisht në bujqësi dhe teknologji informative.  Por, mund të bëhet më shumë që këto ndërmarrje të bëhen më konkurruese dhe më të suksesshme.  Përveç kësaj, sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të ngecë, siguria energjetike mbetet në mëdyshje dhe investimet e rëndësishme të huaja ende duket se janë cak në horizont e jo në pamje të parë.

Sfidat në sundimin e ligjit dhe jostabiliteti politik do ta pengojnë potencialin e Kosovës si destinacion për investime.

Dhe a është Kosova në rrugën e duhur për forcimin e sigurisë rajonale?  Aftësitë e Kosovës për tu përballur me sfidat e sigurisë vazhdojnë të përmirësohen.  Më duhet të përmend transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të njëmendta të Armatosura të Kosovës.  Më lejoni të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan dhe presin që Kosova të ketë ushtri të njëmendtë.  Ne hedhim poshtë çfarëdo ndikimi të jashtëm që mund të përpiqet ta parandalojë këtë – askush nuk duhet të ketë veto ndaj të drejtës së Kosovës për tu mbrojtur.  Por, mënyra se si arrihet kjo gjë ka shumë rëndësi.  Duhet të merren parasysh brengat dhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Kosovës; Forcat e Armatosura duhet ta përfaqësojnë të gjithë vendin.  Për ta arritur këtë duhet të ketë biseda të qëndrueshme të hapura me të gjitha komunitetet brenda Kosovës.

Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është po ashtu e rëndësishme për sigurinë rajonale.  Kosova i ka arritur disa suksese kyçe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, që kanë përfshirë bashkërenditjen e ngushtë dhe të vëmendshme me fqinjtë e Kosovës dhe bashkësinë evroatlantike.  Institucionet e Kosovës kanë kryer punë mbresëlënëse në pengimin e sulmit të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Izrael vjeshtën e shkuar.  Kjo dëshmoi rritje të jashtëzakonshme të zhvillimit të aftësive dhe angazhimit me partnerët rajonalë.  Dëshirojmë t’i shfrytëzojmë këto rezultate dhe ta mbrojmë rininë kosovare nga zërat tunduesë që mësojnë radikalizmin dhe dhunën.

Në fund, dëshiroj të theksoj se Kosova duhet t’i ri-zotohet dialogut me Serbinë.  Dialogu mund të jetë frustrues dhe shpesh i papopullarizuar, por më lejoni t’ju siguroj se suksesi në procesin e dialogut paraqet rrugën më të mirë, më të shpejtë dhe më të sigurtë që Kosova ta arrijë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.  Mos u gënjeni nga retorika nacionaliste që i rrethon këto diskutime.  Ky është proces që iu shërben interesave strategjikë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.  Nuk ka rrugë tjetër për Kosovën për ta arritur integrimin evroatlantik pa marrëdhënie më të normalizuara ndërmjes Kosovës dhe Serbisë.  Kjo çështje nuk do të largohet vetvetiu pa marrë parasysh sa shumë duan njerëzit që ajo të hiqet.

Natyrisht, përtej tri çështjeve të mia të mëdha, Kosova përballet edhe me sfida tjera.  Sfida më e rëndësishme ndoshta ndërlidhet me lajmin kthjellues të para disa muajve nga raporti PISA për arsimin i Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik [OECD].  Kjo është çështje e rëndësishme që meriton të diskutohet shumë se shumë se kaq sepse e ardhmja e Kosovës varet aq shumë nga ofrimi i arsimit më cilësor për të rinjtë kosovarë.

Mendoj se është e drejtë të thuhet se në popull duket se shtrohen shumë pyetje rreth rrugës së Kosovës përpara dhe ka mjaft pakënaqësi për mungesën e perceptuar të përparimit deri tash.

Por, duke i marrë parasysh të gjitha këto, pyetja ime – pas pothuajse dy viteve pune në Kosovë – nuk është më a është Kosova në rrugë të duhur apo jo sa i përket këtyre çështjeve të rëndësishme – por, a ka Kosova aftësi, si dhe ç’është më e rëndësishme, a ka vullnet për t’i tejkaluar pengesat që i ka në rrugë.  Fundja, rruga e duhur rrallëherë është më e lehta; e sukseset nuk maten vetëm nga destinacioni, por edhe nga përparimi i arritur – dhe pengesat e tejkaluara – gjatë udhëtimit.

Gjatë muajve të fundit kam folur mjaft shumë për shërbimin publik si çështje e besimit të publikut dhe për rëndësinë që udhëheqësit kosovarë duhet t’i vënë interesat më të mirë të vendit mbi të gjitha përfitimet personale dhe profesionale.  Për mua, ky përkushtim dhe shërbim ndaj Kosovës paraqet çelësin kryesor.  Së bashku, mund ta trajtojmë çështjen e aftësisë.  Prej trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri te programet për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe ushtrimeve për ndërtimin e kapaciteteve me forcat e zbatimit të ligjit, mund të ndërtojmë njohurinë dhe aftësitë.  Por, varet nga udhëheqësit e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës për ta demonstruar vullnetin për të përparuar.

Varet nga ta që t’i përqafojnë vendimet e vështira, t’i tejkalojnë pengesat dhe të bëjnë çka është më e drejta për të ardhmen e vendit të tyre.

Shkurt e shqip – të dielën kur të kryhen zgjedhjet, mund të ketë fitore ose humbje politike – por nuk është fitore ose humbje për Kosovën.  Nevojat e vendit do të vazhdojnë të jenë të njëjtat dhe puna e mundimshme duhet të kryhet.

Pra, a është Kosova në rrugë të duhur?  Unë besoj që po.  Por, rruga përpara është ende me gropa, me pengesa të dukshme e të padukshme që duhen të tejkalohen.  Për të qëndruar në këtë rrugë, prijësit e ardhshëm të Kosovës duhet të rizotohen për t’iu shërbyer interesave të vendit të tyre para të gjitha përfitimeve personale apo politike e partiake.  Ata duhet t’i përvetësojnë vendimet e vështira dhe gropat në rrugë dhe mbi të gjitha duhet të qëndrojnë të përqendruar në rrugëtimin – forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, mbështetjen e rritjes ekonomike dhe begatisë, si dhe promovimit të sigurisë rajonale përmes një Kosove shumetnike, të hapur dhe të pavarur në paqe me fqinjtë e saj.  Pa marrë parasysh kush është në pushtet, këto tri çështje do të mbesin çelësi i destinacionit të fundit të Kosovës – shtet sovran, i pavarur, i integruar plotësisht në bashkësinë evroatlantike.

Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur sot.  E mirëpres bisedën tonë të mëtejme.