Fjala e Ambasadorit Delawie në fillimin e programit “Vajzë Dëgjohu”

Fjala e Ambasadorit Delawie në fillimin e programit “Vajzë Dëgjohu”, 2 tetor 2017

Mirëdita të gjithëve. Është mirë të jesh këtu. Vërtet dua të falënderoj ekipin e Kosova Live, Annea-n dhe Kelmendin, që më ftuan të flas me ju sot. Ishte e mrekullueshme të dëgjosh shpjegimin tuaj për atë që keni synuar. E çmoj këtë. Dhe jo vetëm shpjegimin, por edhe energjinë dhe përkushtimin tuaj për këtë punë. Kjo është e mrekullueshme.

Ambasada jonë është shumë krenare që e mbështet këtë program, me ndihmën e Zyrës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Çështjet Globale të Grave.

E di që të gjithë i kuptoni më mirë se unë sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen femrat në Kosovë. Qasja e pabarabartë në arsim, mundësitë e punësimit, prona familjare janë vetëm disa nga fushat ku ende ka shumë punë për të bërë. Kur i shikoni pozitat në fushën politike, të biznesit dhe madje edhe në atë të medias, e shihni që nuk ka mjaft femra në pozita udhëheqëse. Lidhur me këtë ishte bërë një studim, i cili u bë publik rreth dy javë më parë, dhe ne e postuam në ueb sajtin tonë. Isha i zhgënjyer të shihja që vetëm dy femra janë në kabinetin e ri. Mendoj që Kosova duhet të bëjë më mirë. Më vjen mirë që jeni këtu për të siguruar që Kosova të bëjë punë më të mirë. Kjo nuk është sfidë vetëm për Kosovën. Shumë vende luftojnë me këto pengesa të njëjta, por kjo nuk është arsye për t’u relaksuar.

Ne në Ambasadën Amerikane besojmë fuqimisht se kur femrat nuk kanë qasje të njëjtë si burrat, vendi nuk mund ta arrijë potencialin e vet të plotë. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim programe si ky që do t’jua ofrojnë të gjithë juve rastin për ta fituar përvojën që ju nevojitet për të qenë konkurrues në tregun e sotëm të punës. Besojmë që femrat kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në mënyrë që t’i ndihmojnë Kosovës për të ecur përpara drejt një të ardhmeje euro-atlantike.

Natyrisht, unë ju inkurajoj të gjithë juve që t’i shfrytëzoni të gjitha mundësitë që i keni në dispozicion në programin “Vajzë Dëgjohu”, prej shkrimit të përvojës deri në panelet e ekspertëve, dhe t’i zbatoni ato aftësi të reja në punë në jetën tuaj. Jam i bindur që pas këtij programi, pa marrë parasysh a vazhdoni shkollimin e mëtejmë ose punësoheni, ju do ta kuptoni që kjo është një përvojë shumë e dobishme praktike dhe një rrjet i fortë që do t’ju ndihmojë në rrugën tuaj përpara. Dhe kur flasim për rrjetin-ju lus t’i shqyrtoni mënyrat se si mund të kontaktoni me femrat e tjera të reja të cilat mund të mos jenë pjesë e këtij programi, por që mund të përfitojnë nga gjërat që ju i mësoni sot. Ju thatë se keni pasur 300 kandidate, e mund t’i pranoni vetëm 60 apo ashtu disi. Shpresoj që këto 60 kandidate do të gjejnë mënyra për të arritur tek të tjerat dhe do t’u ndihmojnë edhe atyre në këtë drejtim. Është shumë me rëndësi që kjo të jetësohet dhe kjo do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme e bërjes së ndryshimit pozitiv në Kosovë.

Vërtet më pëlqen emri i programit, “Vajzë Dëgjohu”. Është i mrekullueshëm. Shpesh, e dimë që femrat duhet të punojnë tepër shumë për t’i bërë njerëzit që t’i kushtojnë vëmendje asaj që femrat kanë për të thënë. Një mënyrë për ta kapërcyer këtë është të shtoni më shumë zëra, e kjo është ajo që ju jeni duke bërë dhe arsyeja që jam aq i inkurajuar që ky është grupi i katërt i njerëzve që kalojnë nëpër këtë program. Është me të vërtetë ide mbresëlënëse që të gjithë ju punoni për të njëjtat qëllime dhe, me gjithë këtë fuqi në këtë sallë, jam i sigurt që do t’i arrini qëllimet tuaja! Jam gjithashtu i bindur që ky program do ta ndihmojë secilin prej jush që ta forcojë zërin e vet. Pa marrë parasysh a e bëni këtë me fjalë, video ose votim, siç e thatë, ju do të bashkoheni me pjesëmarrëset e kaluara të këtij programi për të arritur sukses në Kosovë në mënyrë pozitive dhe jemi të ngazëllyer të shohim çfarë të gjithë ju do të përmbushni në të ardhmen.

Ju faleminderit shumë që na mirëpritët sot. Është kënaqësi të jesh këtu. Presim të shohim çfarë ndodh më pas.