Fjala e Ambasadorit Delawie në ceremoninë përmbyllëse të Kampit Teknologjik në Kosovë: Luftimi i korrupsionit në Ballkan, 9 dhjetor, 2017
Mirëdita. Jam shumë i lumtur që jam sot këtu në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, për të ndihmuar në përmbylljen e Kampit Teknologjik.
Këtë mëngjes mora pjesë edhe në ceremoninë përmbyllëse të Javës kundër Korrupsionit. Kjo ishte ndodhia kulmore në një javë të ngarkuar. Organizatat lokale të shoqërisë civile organizuan mbi 20 ndodhi për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit, përfshirë debate publike, tryeza të rrumbullakëta dhe përfshirje të medieve.
Ambasada i mbështeti të gjitha këto aktivitete, sepse luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë janë prioritetet tona më të larta. Çdo gjë, prej zhvillimit ekonomik deri te liberalizimi i vizave, varet nga përparimi në trajtimin e korrupsionit.
Ndërsa bashkësia ndërkombëtare mund ta ofrojë mbështetjen e vet në luftën kundër korrupsionit, përparimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm kur ju, qytetarët e Kosovës dhe të Ballkanit, jeni duke prirë. Kjo është arsyeja përse ndodhitë si ky Kamp Teknologjik janë aq të rëndësishme.
Të gjithë ju këtu jeni duke bërë një punë të mrekullueshme për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien. E keni treguar përkushtimin tuaj për ta luftuar korrupsionin duke aplikuar për këtë program dhe duke udhëtuar nga rajoni për të qenë këtu. Shpresojmë që dy ditët e fundit të trajnimit dhe punëtoritë ju kanë ofruar mjete të reja dhe të përmirësuara teknologjike që mund t’i zbatoni në punën dhe komunitetin tuaj për të bërë edhe më tepër.
Njëra prej fushave ku e shohim potencialin më të drejtpërdrejtë për përmirësim të transparencës këtu në Kosovë ka një zgjidhje teknologjike, e ajo është fusha e prokurimit elektronik.
Mbi 40% e buxhetit të Kosovës shkon përmes prokurimit publik. Korrupsioni në këtë fushë ka pasoja të mëdha, duke dëmtuar kështu investimin ekonomik, ofrimin e shërbimeve lokale, qasjen në kujdes shëndetësor dhe arsimin. Prandaj, është e domosdoshme që vendi të ketë proces transparent dhe funksional të prokurimit. Qeveria ka bërë disa hapa inkurajues në reforma, por qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë. Ju inkurajoj t’i bashkoheni Ambasadës për ta ngritur zërin tuaj për të siguruar që prokurimi elektronik ekziston në tërë qeverinë deri në janar të vitit 2018.
Gjithashtu dëshiroj ta tërheq vëmendjen për projektligjin për zyrën e prokurorit disiplinor. Ambasada ka punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar në hartimin e këtij projektligji dhe ai duhet të arrijë në Kuvend së shpejti. Ky ligj do të jetë hap vendimtar përpara në forcimin e kontrollit, balancimit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Tërheqja e vëmendjes për rëndësinë e këtij ligji është një fushë tjetër ku ju mund t’i zbatoni disa prej mjeteve për të cilat keni mësuar gjatë kësaj fundjave, qofshin përdorimi i mjeteve teknologjike për pjesëmarrje qytetare apo lidhja në rrjetet “online dhe offline” për avokim të përmirësuar.
E kuptoj që sot e kaluat ditën duke punuar në deklarata sfiduese dhe duke i përdorur mjetet e reja teknologjike për të krijuar zgjidhje për projekte. Nëse planifikoni t’i përdorni gjërat si mjetin “NdreqeKomunitetinTim” për t’iu qasur sfidave lokale ose të përdorni teknika të reja për nxjerrjen e të dhënave për ta tërhequr vëmendjen për problemet kombëtare në shkallë të gjerë, jam i ngazëllyer të shoh cilët janë hapat tuaj të ardhshëm.
Sigurohuni që puna të cilën e keni filluar në Kampin Teknologjik këtë fundjavë të mos përfundojë sot. Të gjithë jeni të ftuar të aplikoni për grante të vogla pasuese përmes partneritetit tonë me FLOSSK-un. Ju gjithashtu mund të konsideroni ta vazhdoni punën tuaj në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës përmes Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci. Kolegët e mi në Ambasadë janë këtu për t’ju mbështetur dhe për t’i dëgjuar idetë tuaja se si mund të punojmë më së miri me ju, qytetarët e Kosovës dhe të rajonit, për ta përmirësuar llogaridhënien dhe për ta bërë një Kosovë më të mirë për të gjithë.
E çmoj dhe e admiroj përkushtimin tuaj për ta bërë Kosovën dhe Ballkanin vend më të mirë për të jetuar dhe punuar. Jeni duke bërë një punë të rëndësishme, e cila do ta përmirësojë zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit tuaj në të ardhmen.
Ju faleminderit!