Fjala e Ambasadorit Delawie me rastin e nënshkrimit të MiM-it me Korpusin e Paqes në Kosovë, 6 prill 2018
Më kanë lënë përshtypje, pothuaj që nga dita ime e parë në Kosovë, përkushtimi dhe këmbëngulja e vullnetarëve tanë të Korpusit të Paqes dhe, mbi të gjitha, gatishmëria e tyre për t’i lënë të njohurit e tyre në SHBA, familjet, shokët dhe kolegët e tyre, për të shërbyer në Kosovë për 27 muaj, për të jetuar gjatë gjithë kohës në fshatra dhe qytete me familje mikpritëse vendore për mësimdhënie të përbashkët me homologët e tyre të gjuhës angleze.
Pasi ka shumë vjet që punoj jashtë shtetit tim, e di sa sfiduese mund të jetë të jetosh jashtë vendit. Por, pa dyshim, kurrë nuk kam provuar të jetoj me pagën e vogël që marrin vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes. E kuptoj që disa nga kolegët e tyre mësimdhënës këtu brengosen për ta, por ata ia dalin mbanë, dhe kjo është e mrekullueshme.
Këtë vit, prej 25 vullnetarëve që përfundojnë shërbimin e tyre, i kemi 4 vullnetarë që do ta vazhdojnë shërbimin edhe për vitin e tretë apo edhe të katërt me radhë. Secili prej këtyre vullnetarëve mendon se puna e tyre nuk ka përfunduar. Ata kanë një ndjenjë të fortë përkushtimi për Kosovën dhe besojnë që ka më shumë punë për të bërë. Chester, i cili është këtu me ne sot, është njëri prej atyre që e ka vazhduar periudhën e shërbimit dhe do të qëndrojë në Podujevë për vitin e tretë.
Vullnetarët tanë sjellin entuziazëm në mësimdhënien e gjuhës angleze. Është vërtetë kënaqësi t’i shikosh postimet e Korpusit të Paqes në Facebook, ku shihet çfarë bëjnë këta vullnetarë gjatë gjithë kohës. Është një prej gjërave të mia të parapëlqyera që kërkoj. Kur e kombinojnë atë entuziazëm me bashkëpunim të ngushtë me homologët e tyre mësimdhënës, ata bëjnë atë që nganjëherë është përpjekje frustruese, argëtuese dhe e paharrueshme. Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime duke mësuar gjuhë të huaja. E di sa vështirë është. VKP-të mund ta bëjnë atë interesante për fëmijë, dhe kjo është dëshmi e vërtetë e aftësive të tyre.
Më duhet të them që u bënë pothuaj dy vjet e gjysmë që kur kam ardhur. Në ditën time të parë, e përshëndeta Presidentin e atëhershëm të Kosovës dhe ia dorëzova kredencialet e mia zyrtare. Shkova në një festival të mjedrave, që është një tregim për një ditë tjetër. Por një ditë më vonë, një grup i vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhanë betimin para meje. Është aq me rëndësi për mua që në gjendjen time, i lodhur nga udhëtimi, u zgjova herët në mëngjes për të shkuar e ndihmuar VKP-ve për ta përfunduar trajnimin e tyre dhe për ta dhënë betimin para meje si nëpunës të rinj të Qeverisë së SHBA-së dhe të Korpusit të Paqes. Kjo ishte vetëm një përvojë emocionuese. Nuk mund ta humbas këtë sot!
Ju faleminderit të gjithëve që na u bashkuat, ju faleminderit Korpus i Paqes që e mbështetni Kosovën, sepse kjo është shumë me rëndësi dhe mendoj që çdo VKP që ka qenë këtu gjatë disa viteve të kaluara mund t’ju tregojë për punën e rëndësishme që kanë bërë. Puna që bëni ju është për marrëdhënien Kosovë – SHBA. Ju faleminderit shumë.