Fjala e ambasadorit Delawie lidhur me zgjedhjet, 2 mars 2016

Pasi që po flas rreth demokracisë, më lejoni t’i them disa fjalë rreth zgjedhjes nga Kuvendi të Presidentit të Kosovës të premten e shkuar.  Sa e pashë unë, një pjesë e vendit e festoi këtë zgjedhje, kurse një pjesë e dënoi atë.  Kjo është e zakonshme në një demokraci – pa marrë parasysh kush do të zgjedhet President i SHBA-së në nëntor, mund t’ju premtoj se do t’i shohim po ato reagime nga grupet e ndryshme të votuesve amerikanë.

Megjithatë, diç tjetër nuk është e zakonshme në SHBA ose në vendet e tjera në Evropë: përdorimi i dhunës politike, si koktelit të molotovit ose gazit lotsjellit si mjet për ta penguar apo edhe për ta nxjerrë demokracinë nga shinat.  Dhuna politike është mënyra më e sigurtë për t’u larguar nga ajo e ardhme që – sipas anketave të opinionit publik – qytetarët e Kosovës e duan me të vërtetë.  Është largim nga gjërat e rëndësishme në të cilat po punon ambasada ime, si: ulja e papunësisë, e korrupsionit, integrimi më i mirë në Evropë.

E kuptoj interesimin e shumë vetave në Kosovë për t’i zbërthyer dhe shpjeguar veprimet e mia.  Kam mjaft kohë këtu sa për ta kuptuar se shumë njerëz besojnë se ka diçka prapa ose madje se  ka ndonjë komplot prapa çdo gjëje në politikë. Flas shumë për politikën dhe për rëndësinë e Kuvendit.  A thua, pse? Më lejoni t’ju tregoj cili është motivimi im i fshehtë.

Motivimi im buron nga një fakt i thjeshtë. Në historinë e vet të shkurtë si vend i pavarur, Kosova vetëm një herë ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme, rezultatet e të cilave edhe këtu edhe jashtë vendit janë konsideruar të lira dhe të drejta, e këto janë zgjedhjet e përgjithshme të 2014-ës.  A është kjo diçka e rëndësishme? Ua merr mendja që po.  Janë plot vende në botë që janë të pavarura me dekada të tëra, por që s’mund ta thonë që kanë mbajtur zgjedhje të drejta, madje as një herë të vetme.

Zgjedhjet e 2014-ës në Kosovë përbëjnë pikë kthimi. Prej tyre doli një Kuvend, i cili sipas çfarëdo përkufizimi të arsyeshëm është legjitim sepse u krijua prej votuesve në zgjedhje të drejta.  Dhe ata 120 veta që ju vetë i keni zgjedhur në atë Kuvend e kanë të drejtën dhe detyrën që ta kryejnë punën, për të cilën i keni punësuar.  Një qeveri sovrane dhe e zgjedhur në mënyrë demokratike – pa marrë parasysh partinë politike apo koalicionin – e ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të qeverisur brenda kornizës së ligjeve dhe Kushtetutës së vet.  E kur e bën një gjë të tillë, atëherë veprimet e saj janë legjitime sepse burojnë nga vullneti i njerëzve të shprehur në zgjedhje të lira dhe të drejta.  Mund të pajtoheni ose të mos pajtoheni me përfundimin, të vallëzoni në rrugë ose të bërtitni se doni t’i “nxjerrni batakçinjtë jashtë”, por asnjëri reagim nuk e ndryshon legjitimitetin demokratik të Kuvendit.

Në sistemin e Kosovës të qeverisjes demokratike, fuqia kryesore vjen prej Kuvendit. Kuvendi cakton koalicionin qeverisës, zgjedh presidentin, përzgjedh gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, e natyrisht edhe nxjerr ligjet.  Kuvendi paraqet mënyrën praktike të shprehjes së demokracisë së Kosovës.  Prandaj, sulmi mbi Kuvendin në thelb është sulm mbi demokracinë e Kosovës.

A premtoj se do ta mbështes çdo veprim që e ndërmerr Kuvendi?  Jo, nuk premtoj.  Por, megjithatë do t’i qëndroj në krah Kuvendit sepse mishëron demokracinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj.

As bashkësia ndërkombëtare, e as populli i Kosovës nuk duhet të jenë të gatshëm që ta lënë që kjo demokraci të avullohet pa luftë.  Sepse nëse ka diçka më keq se të kesh një kuvend demokratik që nxjerr vendime që nuk ju pëlqejnë është të kesh një kuvend anti-demokratik.