Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve

Fjala e ambasadorit Delawie me rastins e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, 7 prill 2017

Ju faleminderit shumë. Z. Kryeministër, ministra, zyrtarë, kolegë nga kori diplomatik, miq të dashur nga komuniteti i romëve të Kosovës, është me të vërtetë nder që jam bashkë me ju në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Nuk mund ta mendoj shënimin më të mirë të kësaj dite se sa me lule të kuqe.
Sapo dëgjova nga z. Paçaku se janë një milion qytetarë me prejardhje rome në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është e shkëlqyeshme. Kjo përbën çështje krenarie për ne se kultura dhe tradita rome përbëjnë pjesë integrale të të dy shoqërive tona, kurse barazia, mirëqenia shoqërore dhe mbarësia e romëve janë jetike për të ardhmen e begatshme të Kosovës shumetnike, siç janë edhe për të Amerikës. Por, për fat të keq, jo gjithmonë e kemi pranuar këtë. Vendi im dhe Kosova kanë që të dyja historinë e ndarjes dhe diskriminimit. Prandaj është jetike që të punojmë së bashku për ta tejkaluar racizmin, përfshirë edhe stigmat kundër romëve që ende përbëjnë sfida për përfshirjen e plotë në shoqëri të popullit rom. Të gjithë jemi më se të familjarizuar me sfidat e përditshme me të cilat përballen romët për t’i tejkaluar këtë paragjykim, pasojat e të cilit ndjehen edhe sot.
Qeveria e Kosovës tashmë ka udhëhequr shumë përpjekje të dobishme për ta përmirësuar përditshmërinë e popullit rom dhe shpresoj se do t’i shfrytëzoni këto mundësi që ofrohen përmes mbrojtjes ligjore për të krijuar të ardhme më të mirë përmes pjesëmarrjes konstruktive në institucione.
Të gjithë besojmë se qasja në arsimim cilësor dhe mundësitë e barabarta për punësim janë të drejta universale të të gjitha komuniteteve. Prandaj, na vjen mirë që Ministria e Arsimit ka vënë kuotën prej 12 për qind për t’ua mundësuar romëve dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë për tu regjistruar në të gjitha universitetet publike duke iu nënshtuar provimit pranues në gjuhën e tyre amtare, përfshirë në gjuhën rome.
Forcimi i mëtejmë i këtij mekanizmi do të mundësojë regjistrimin më të madh të studentëve nga komunitetet jo-shumicë në nivelin bachelor dhe postdiplomik. Kjo është me rëndësi për të siguruar që familjet rome mund të shohin të ardhme të mbarë për veten dhe fëmijët e tyre në Kosovë e jo që të detyrohen t’i ndjekin ëndërrat e tyre jashtë vendit.
Po ashtu, më inkurajon miratimi i kohëve të fundit i raportit të parë për përmbushjen e kuotës prej 10 për qind për punësim sipas Ligjit për Shërbimin Civil, i cili u prezantua nga Komisioni parlamentar për të drejta dhe interesa të komuniteteve. Gjetjet e këtij raporti tregojnë se duhet të punohet shumë më shumë për të siguruar që romët dhe komunitetet e tjera mund t’i shfrytëzojnë mënyrat ligjore për të kërkuar zgjidhjen e problemeve që meritojnë përgjigje institucionale.
Përfshirja duhet të bëhet realitet i përditshëm në Kosovë, jo vetëm aspiratë. Në këtë frymë, mirëpres miratimin e Strategjisë së qeverisë 2017-2021 për përfshirjen e komunitetit rom dhe ashkali. Kjo strategji është shqyrtuar nga ekspertë të shoqërisë civile dhe ndërkombëtare dhe ofron ndihmën kaq shumë të domosdoshme për romë dhe ashkali, si dhe për egjiptasit. Sigurimi i mundësive të barabarta dhe suksesit nuk mund të bëhet vetëm nga qeveria, por kjo strategji ofron mjetet për pjesëmarrje konstruktive të shoqërisë civile. Ajo mundëson dëgjimin e shqetësimeve të komunitetit tuaj. Me zërin autentik të romëve, strategjia mund të ketë sukses.
Dëshiroj po ashtu t’i uroj anëtarët e shoqërisë civile nga radhët e romëve për të arriturat e suksesshme përmes Këshillit konsultativ për komunitete pranë zyrës së presidentit. Kjo përfshin edhe zgjedhjen e kryesuesit të parë rom të Këshillit, Gazmend Salijeviqit. Gjatë vitit të kaluar, anëtarët e Këshillit nga të gjitha komunitetet jo-shumicë kanë pasur mundësi t’i bashkërenditin punët drejtpërdrejt me programet e USAID-it si “Ta avancojmë Kosovën së bashku” (AKT), Angazhimi për barazi (E4E), AGRO, Fuqizimin e sektorit privat (Empower) dhe programet e Institutit Demokratik Kombëtar për mbështetje kuvendit. Jam i bindur se diskutimet e vazhdueshme do të sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike dhe sociale.
Ambasada jonë është krenare që vazhdon t’iu ofrojë ndihmë të gjitha komuniteteve kosovare. Dëshiroj ta uroj një OJQ rome Road, e cila ka fituar një grant nga Sektori ynë për marrëdhënie me publikun për mbajtjen e punëtorive në Plemetin dhe Prilluzhë që janë veçanërisht të dedikuara për gra dhe fëmijë. Përmes ndihmës së USAID-it, komuniteti rom është i përfshirë edhe në “Javën e Gruas”, Akademinë e Grave për Udhëheqësi, Shkollën New Media, si dhe ofron përkrahje legjislative për grupin parlamentar 6+, ku përfshihen programet dhe konsultimet përmes IDK-së (NDI) për proceset e planifikimit të zgjedhjeve lokale dhe të zhvillimit të politikave.
Përpjekjet për mundësimin e të ardhmes më të barabartë dhe më të begatshme po vazhdojnë, por duhet të bëhet më shumë. Shpresoj së shpejti ta shoh ditën kur romët e Kosovës jo vetëm që do të marrin kujdes shëndetësor, arsim, punësim dhe shërbime sociale cilësore, por do të jenë edhe ofrues të këtyre shërbimeve. Për ta bërë këtë, të gjithë ne duhet të jemi më këmbëngulës kundër paragjykimeve dhe paramendimeve tona të pabaza e të rrënjosura.
Të nderuar anëtarë të komunitetit rom, ju lutem vazhdoni të punoni me qeverinë e Kosovës, në komisionet parlamentare, në kabinetin e Presidentit dhe natyrisht përmes zyrës për komunitete pranë kryeministrisë për ta formësuar të ardhmen tuaj. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partneri juaj i fuqishëm.
Ju faleminderit shumë!