Fjala e ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullaktë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, 27 prill 2016

Mirëmëngjesi.  Dëshiroj ta falënderoj Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe z. Musliu për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje.  Më vjen mirë që jam këtu së bashku me ambasadorin O’Connell. Gjithashtu, dëshiroj t’i përshëndes edhe z. Idrizi, z. Isufaj dhe z. Hasani.

Prej se kam ardhur në Kosovë kam folur rreth nevojës për ta luftuar korrupsionin.  Për fat të keq, nuk flas për eliminimin e korrupsionit sepse fatkeqësisht shfarosja e tij e plotë është e pamundshme.  Por, është i mundshëm pranimi dhe ndëshkimi i korrupsionit kur identifikohet.  Kjo është diçka që Kosova mund dhe duhet ta bëjë.

Luftimi i korrupsionit kërkon qasje gjithëpërfshirëse të tërë qeverisë.  Asnjë institucion ose person nuk mund ta luftojë i vetëm atë.  Nevojitet përkrahje nga qeveria, shoqëria civile dhe opinioni i gjerë publik.  Por, mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se pa sektor të drejtësisë të efektshëm dhe efikas, çfarëdo qasje kundër korrupsionit është e paraprirë të dështojë.

Siç e dini, Zyra e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë dy zyra brenda shërbimit prokurorial që i ndjekin penalisht shumicën më të madhe të rasteve të korrupsionit.  Por, tash për tash, PSRK-ja, e cila bën ndjekjen penale të shumicës së krimeve të rënda në Kosovë, është pothuaj e përgjysmuar për nga numri i prokurorëve që i duhen për të përmbushur madje edhe nivelin bazë të personelit.  Derisa PSRK-ja të mos ketë numrin e përshtatshëm të stafit, është vështirë të shihet se si mund të ketë përparim të madh në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.  Ju nxis të gjithëve që të ndërmerrni diçka për ta korrigjuar këtë situatë sa më shpejt që është e mundur.

Për fat të keq, Zyra e Prokurorisë Themelore, e cila merret me shumicën e rasteve të tjera të korrupsionit, po ashtu nuk ka staf të mjaftueshëm.  Në muajt e fundit, shërbimi i prokurorisë ka miratuar planin strategjik për luftimin e korrupsionit.  Ka pasur disa rezultate të prekshme në zvogëlimin e numrit të lëndëve të vjetra, por larg jemi nga përfundimi i kësaj pune.  Programi i OPDAT-it i Departamentit tonë të Drejtësisë po i mbështet këto përpjekje dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen dhe shpresoj se kur përfundimisht të kryhen lëndët e vjetra, prokurorët do të kenë mundësi të kryejnë hetime të thukta dhe sistematike për burimet e korrupsionit, e jo vetëm të reagojnë ndaj incidenteve të veçuara.

Po ashtu, duhet të ketë barazi gjatë ndarjes së drejtësisë.  Kjo nënkupton se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin edhe përbrenda vetes.  Asnjë institucion nuk mund të presë që të tjerat t’i binden ligjit nëse vetë s’e bëjnë këtë.  Kosova duhet të vendosë rregulla disiplinore të qarta dhe objektive brenda sistemit të drejtësisë dhe këto rregulla duhet të ndiqen në mënyrë të barabartë dhe të vazhdueshme.

Për ta luftuar mungesën e ndëshkueshmërisë, çdokush që shpallet fajtor për korrupsion duhet po ashtu të dënohet në mënyrë proporcionale, të parashikueshme dhe të vazhdueshme ose me program efikas të rehabilitimit.  Është vështirë të shihet ndarja e përshtatshme e drejtësisë kur dënimi lejon një zyrtar të korruptuar ta vazhdojë punën në zyrë ose t’i gëzojë frytet e krimit të bërë.  Keqbërësit duhet të dënohen me dënime domethënëse dhe duhet t’iu konfiskohet pasuria financiare e fituar prej krimeve.  Zyrtarët e shërbimit publik të akuzuar ose të dënuar duhet të pezullohen në pritje të përfundimit të rastit të tyre.

E ky koncept jetik i barazisë së qytetarëve para ligjit duhet të zbatohet edhe përtej fushës së luftimit të korrupsionit.  Anëtarësia në parti politike, lidhjet familjare, pozita publike ose në komunitet nuk duhet të luajnë kurrfarë roli në vendimin për arrestim ose ndjekje penale të institucioneve të sundimit të ligjit.

Shoqëria civile luan rol të rëndësishëm në këtë proces.  Ju nxis fuqishëm që t’i merrni parasysh të gjitha sygjerimet e IKD-së.  Askujt nuk i pëlqen që të kritikohet ose të dëgjojë se nuk po e kryen punën në mënyrë të përsosur, por e vërteta është se ka mundësi për përmirësim në çdo gjë që bëjmë.  Shfrytëzojini këto raporte, shqyrtojini me seriozitet dhe gjeni mënyra për tu përmirësuar.

Të gjithë jeni të vetëdijshëm se korrupsioni përbën problem të madh në Kosovë.  Korrupsioni i zbraps invstimet e huaja, shton papunësinë dhe minon sundimin e ligjit.  E ngadalëson përparimin e Kosovës për integrimin në institucionet evropiane.  Mundeni dhe duhet që lufta kundër korrupsionit të jetë ndër prioritetet tuaja kryesore.

Në fund, i nxis Këshillin Prokurorial dhe atë gjyqësor që të marrin hapat e domosdoshëm për të siguruar që gjykatësit dhe prokurorët iu përmbahen standardeve më të larta etike dhe profesionale të mundshme.  Qytetarët e Kosovës dhe viktimat e krimit e meritojnë këtë.

Ju faleminderit shumë.