Fjala e ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullaktë për shënimin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullaktë me të Odës së avokatëve të Kosovës dhe shoqërisë civile për shënimin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, 9 dhjetor 2016

Ju faleminderit shumë.  Z. Havolli, kam kënaqësinë që jam këtu bashkë me ju, me ambasadorin Jan Braathu, z. Idrizi, z. Isufaj dhe z. Rexhaj.  Ju shpreh mirëseardhje të gjithë mysafirëve nga gjykatat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediumet.

Më vjen mirë që jam pjesë e nisjes së projektit të ri të përkrahur nga ambasada amerikane – Programit “Kërkesa për drejtësi” – i cili do të përqendrohet në disa ide të reja për ta përmirësuar qasjen e qytetarëve në drejtësi.  P.sh. isha më se i lumtur kur dëgjova nismën e studentëve kosovarë për drejtësi – nën udhëheqjen dhe mentorimin e avokatëve me përvojë – për të ofruar ndihmë ligjore falas për qytetarët kosovarë që nuk kanë mundësi për të pasur përfaqësim ligjor.  Ky program po ashtu do të bëjë që të rinjtë e Kosovës të përfshihen në mënyra tjera në sektorin e sundimit të ligjit.

Programi Kërkesa për drejtësi do të përqendrohet edhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në drejtësi dhe këtë do ta bëjë në partneritet me shumë prej jush.  Programi Kërkesa për drejtësi do të zbatohet nga një OJQ amerikane, Qendra kombëtare për gjykatat shtetërore, e cila ka një histori 40 vjeçare të punës së ngjashme me sistemin gjyqësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra po e sjellin përvojën e tyre të mirë këtu.

Nuk ka nevojë të thuhet që sundimi efikas i ligjit është thelbësor për çdo aspekt të jetës në një shoqëri demokratike dhe ekonomi të tregut të lirë.  Qasja e qytetarëve në drejtësi dhe integriteti dhe llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë janë elemente thelbësore për përmbushjen e plotë të premtimit për sundim të ligjit këtu në Kosovë si në çdo vend tjetër.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që i mbështesin organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, Odën e Avokatëve dhe institucionet e saj të drejtësisë përderisa punoni së bashku për ta ndërtuar një Kosovë më demokratike.

Nuk mund të mos e shfrytëzoj rastin pa ia kushtuar disa çaste Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, që është sot.  Do të përfshihen në shumë veprimtari gjatë tërë ditës së sotshme të ndërlidhura me programin e ambasadës sonë për shënimin e kësaj dite të rëndësishme.  Më duhet t’ju them se për ta treguar përkushtimin tim për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje dhe në ngjarjet tjera, në të cilat jam i përfshirë në Ditën kundër korrupsionit, më është dashur të largohem nga Londra sot në orën 4 në mëngjes dhe kam ardhur këtu drejt nga aeroporti.  E di se kolegët nga ambasada kanë mbetur pa gojë që ia kam dalë të zgjohem dhe të mbërrij këtu sepse e dinë që s’jam person që zgjohet lehtë në mëngjes.

Ju faleminderit shumë të gjithëve për kohën tuaj dhe shpresoj që kjo tryezë të jetë e frytshme, përfshirëse dhe të shtrojë rrugën për veprim efektiv.  Ju faleminderit!