Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullakët me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë, 17 maj 2016

Mirëdita.  Kryesues Hajredini, ombudsperson Jashari, udhëheqës të komunitetit LGBTI të Kosovës, mysafirë të nderuar.  Ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në shënimin e kësaj dite të veçantë.

Jam shumë i lumtur që pata rastin t’ju bashkohesha në marshin fantastik për nder të Ditës Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë dhe jam krenar që ambasada jonë sponzorizoi performancën pas marshit të grupit të Mary McBride.  Ashtu siç ka thënë Presidenti Obama më 26 qershor të vitit të kaluar kur Gjykata jonë Supreme njohu barazinë e martesës të personave të gjinisë së njëjtë: “Përparimi në këtë rrugë shpesh vjen shumë ngadalë”, por pastaj shtoi: “Por, nganjëherë vijnë ditë si kjo e sotshmja kur ajo përpjekje e ngadalshme dhe e qëndrueshme shpërblehet me drejtësi që vjen si rrufe.”  Jam i bindur se IDAHOT-i i sotshëm, duke përfshirë edhe ndriçimin që bëhet sonte të ndërtesës së qeverisë me ngjyrat e ylberit të LGBTI-së, është dëshmi e evolucionit rrënjësisht pozitiv të pikëpamjeve të Kosovës ndaj komunitetit lezbik, gej, biseksual dhe transgjinor.

Përderisa ne, amerikanët jemi krenarë që kemi barazi të plotë në martesë, në ushtrinë tonë, në Departamentin tonë të Shtetit – përfshirë edhe në ambasadën tonë ku sinqerisht nuk është kushedi sa punë e madhe nëse ndonjë zyrtar është gej apo lezbike, megjithatë duhet t’i mbajmë fitoret për të drejta civile në perspektivë.  Filmi dokumentar i sponzorizuar nga ambasada jonë për lëvizjen për të drejta civile të LGBTI-së në SHBA, që u shfaq të enjten e kaluar në KTV, ka treguar se edhe ne ende kemi shumë rrugë për të bërë.  Është për të ardhur keq por ende ka vende në SHBA ku të deklarosh hapur orientimin seksual është diçka e vështirë, madje edhe e rrezikshme.

Megjithatë, mund të shpresojmë se me rrugën tonë drejt barazisë do t’ju frymëzojmë juve në rrugën tuaj.  Jam krenar që misioni ynë i USAID-it që i ka finacuar të tri OJQ-të për LGBTI të Kosovës – CEL, CSGD dhe Qesh – për ndërgjegjësim, trajnim të veprimtarëve dhe luftim të diskriminimit, përfshirë edhe përmes planit të parë të veprimit të qeverisë për promovimin e të drejtave të LGBTI-së.  Puna e tyre është jetike.  Një anketë e bërë vitin e kaluar tregon se Kosova e ka njërin ndër nivelet më të ulta të pranimit të komunitetit LGBTI në rajon.  Në fakt, 81 % të të anketuarve nga komuniteti LGBTI kanë thënë se i janë ekspozuar abuzimit psikologjik ose fizik për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor – përqindja më e lartë në Ballkan.  Më lejoni që të jem i qartë ndaj personave LGBTI: nuk jeni vetëm!  Historia është në anën tuaj.  Ligjet përparimtare të Kosovës për barazinë gjinore dhe kundër diskriminimit janë në anën tuaj.  Policia dhe qeveria janë në anën tuaj.  Dhe ne jemi në anën tuaj.  Ju e keni mbështetjen dhe respektin tonë të palëkundur.  Në fakt, flamuri i LGBTI-së po valon në ambasadën tonë dhe te rezidenca ime.

Sa e gjatë do të jetë rruga e Kosovës drejt barazisë së plotë është pyetje për shoqërinë tuaj.  Ajo që ne e kemi mësuar nga beteja jonë është se të jesh homoseksual është të jesh normal, ashtu siç ka theksuar Organizata Botërore e Shëndetësisë para 26 vjetëve.  Shkenca e thotë qartë: seksualiteti dhe identiteti juaj gjinor janë pjesë e formimit tuaj para se të lindni.  Gejët dhe lezbiket ekzistojnë dhe kanë ekzistuar në të gjitha shoqëritë; është vetëm çështje nëse shoqëria ka gatishmëri për t’i pranuar vëllezërit dhe motrat tona dhe për t’i respektuar ata për atë që janë.

Për këtë arsye, i përgëzoj të gjithë në Kosovë që i shohin dhe i respektojnë të tjerët pa marrë parasysh kush e çka janë ata.  Po ashtu, i përgëzoj të gjithë ata në Kosovë që e kanë marrë hapin e vështirë për tu deklaruar hapur.  Nga përvoja jonë e dimë se sa më shumë njerëz heteroseksualë që njoftohen me persona LGBTI, aq më shumë bëhet shoqëria e kuptueshme, paqësore, e madje edhe e pasur!

Dhe në fund, të gjithë atyre që ende nuk janë të gatshëm për ta pranuar seksualitetin ose identitetin gjinor të tjetrit, ju lus ta kujtoni kohën kur ju keni përjetuar ndonjë formë të diskriminimit.  Historia e këtij vendi është e turbullt, me përvojë të zymtë të dhunës, luftës dhe urrejtjes dhe diskriminimit që e shoqëron atë.  Mbajeni mend çlirimin që e keni ndjerë kur keni mundur të merrni frymë lirshëm, kur më në fund jeni ndjerë qytetarë i plotë dhe person i barabartë?  Pyeteni veten se pse do t’ia mohonit këtë vëllezërve dhe motrave tuaja, bijve dhe bijave tuaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë krah për krah me ju në Kosovë në këtë rrugëtim të barazisë dhe jam i nderuar që jam bashkë me ju këtu.

Ju faleminderit shumë.