Fjala e ambasadorit Delawie gjatë takimit të Këshillit kombëtar kundër korrupsionit

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë takimit të Këshillit kombëtar kundër korrupsionit, 25 shtator 2015

Ju faleminderit, zonja Presidente, z. Kryeministër, z. Kryetar i Kuvendit, mysafirë të nderuar. Ju përgëzoj që po punoni bashkërisht në përqasje gjithëpërfshirëse të tërë shoqërisë kosovare për luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Prioritetet e mia janë të njohura që prej ditës së parë që kam ardhur në këtë vend. E kam thënë se dëshiroj të punoj bashkë me qeverinë dhe me popullin e Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, fuqizimin e sigurisë rajonale dhe promovimin e rritjes ekonomike. Përparimi në këto fusha është jetik që Kosova ta gjejë vendin e saj të duhur si anëtare e të gjitha grupeve kryesore euro-atlantike. Por, asnjëra nga këto çështje që i kam përmendur nuk ka nxitur më shumë interesim në opinionin publik se sa fjalët e mia për rëndësinë e luftimit të korrupsionit.

Kjo nuk është befasuese. Sondazhet në Kosovë tregojnë se opinioni publik e sheh korrupsionin si problem të rëndë. Organizatat vëzhguese ndërkombëtare, si Transparency International dhe Banka Botërore kanë ardhur në të njëjtat përfundime. Raporti i Bankës Botërore për vitin 2013 i indikatorëve globalë të qeverisjes për kontrollin e korrupsionit e vë Kosovën në grupin e vendeve të fundit, të tretin, me 31%. Edhe pse renditja e Kosovës është paksa më e mirë se sa e Shqipërisë, prapë Kosova mbetet prapa shteteve tjera konkurruese të rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, si dhe Bosnja. Çka është edhe më keq, pothuajse s’ka pasur fare ndryshim në këtë indikator gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Po të ishit investitor evropian apo edhe pjesëtar i diasporës së madhe kosovare në Evropë që kërkon të nisë një projekt në Ballkanin perëndimor, atëherë ju do t’i analizoni këto shifra dhe krahasimi nuk është në të mirë të Kosovës dhe dëshirës së saj për t’i shtuar invesimet e huaja.

Por, unë nuk jam këtu për tu ankuar për Kosovën dhe popullin e saj. Unë kam pasur një përvojë të mrekullueshme prej se kam ardhur këtu para pesë javëve. E korrupsioni është problem global; asnjë vend nuk është imun ndaj tij, përfshirë edhe vendin tim – nuk jam krenar për renditjen e vendit tim në grupin e vendeve me 85% në të njëjtin raport. Por, edhe futja e këtij problemi nën rrogoz nuk i bën mirë Kosovës; në fakt, e gërryen të ardhmen e Kosovës.

Nënpresidenti Biden ka vënë në pah se “korrupsioni është kancer… që ngadalë zbeh besimin e qytetarit në demokraci; zbeh instinktin për inovacion dhe kreativitet; dhe… i pengon investimet e rëndësishme nacionale. Ai çon dëm talentin e gjeneratave të tëra. Shtyn tutje investimet dhe krijimin e vendeve të punës. E më e rëndësishmja, ua mohon njerëzve dinjitetin e tyre”.

Me një problem kaq të madh, do të ishte lehtë t’i çojmë duart lart, të themi se zgjidhja e këtij problemi nuk ka shpresë dhe t’i kthehemi ndonjë ndeshjeje të futbollit. Por, kjo do të ishte e gabueshme. Përparimi është i mundshëm. Maqedonia ka përparuar në renditjen në këtë indeks për shifrën mbresëlënëse prej 20% në më pak se dhjetë vjet. Edhe Kosova mund ta bëjë këtë, me kornizën e duhur ligjore, me angazhimin e udhëheqjes, si dhe me mjetet dhe motivimin e duhur.

Por, nuk ka ndonjë shkop magjik për këtë; luftimi i korrupsionit kërkon shumë punë në shumë fusha të ndryshme. Kjo gjë kërkon përpjekje të përbashkët të të gjitha agjencive shtetërore, me shoqërinë civile dhe përtej kufijve ndërkombëtare. Policia, prokuroria dhe gjyqësori duhet të punojnë së bashku për të krijuar një atmosferë ku njerëzit e kuptojnë se mund t’i raportojnë rastet e korrupsionit dhe keqbërësit do të shkojnë në burg. Sinjalizuesit duhet të mbrohen. Duhet të zhvillohet dhe të përdoret sistemi i transparencës për gjërat si prokurimi publik. Duhet të ketë ndryshim të kulturës, në të cilën të gjithë qytetarët refuzojnë ta pranojnë korrupsionin dhe zotohen që do të bëhen pjesë e zgjidhjes.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasada jonë janë të gatshëm t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për ta luftuar korrupsionin. Vitin e kaluar ne kemi shpenzuar përafërsisht 15 milionë dollarë për programet që mëtojnë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ky është investim i popullit amerikan për të ardhmen e Kosovës. Unë mëtoj ta mirëmbaj atë investim dhe të punoj me juve për ta forcuar betejën për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë, por siç e përmendi edhe Kryetari i Kuvendit Veseli, kjo luftë duhet të udhëhiqet nga vetë qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Ju faleminderit edhe njëherë për ftesën tuaj. Shpresoj që do të bashkëpunojmë për këto përpjekje të rëndësishme.