Fjala e ambasadorit Delawie gjatë shpalosjes së Raportit vjetor të indeksit të transparencës në prokurim, 7 gusht 2018
Më vjen shumë mirë që jam këtu bashkë me ju. Ju faleminderit për pjesëmarrje. Jam shumë i lumtur që jam këtu për shpalosjen e indeksit të transparencës në prokurim.
Mendoj se të gjithë e dimë se reforma në prokurim është qenësore për trajtimin e çështjes së korrupsionit në Kosovë meqenëse më shumë se gjysma e buxhetit të qeverisë kalon përmes sistemit të prokurimit publik në nivelin komunal dhe atë qendror.
Sot po flasim për transparencën dhe prokurimin publik në atë nivel, në nivelin komunal. Pikërisht në këtë nivel qeveria është më së afërmi njerëzve dhe është vendi i parë ku zyrtarët komunalë duhet të nxisin mirëbesim më të madh ndërmjet tyre dhe komuniteteve. Fundja, ju, si zyrtarë komunalë, jetoni në këto komunitete dhe kur ato lulëzojnë edhe ju arrini sukses.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, prokurimi i hapur dhe transparent krijon fushë të barabartë të lojës për sektorin privat. Përderisa bizneset individuale duhet të ndërmarrin rreziqe, ato lulëzojnë në mjedis të qëndrueshëm e transparent, të mundësuar nga sundimi i ligjit.
Në nivel lokal, prokurimi i hapur dhe transparent mundet rrënjësisht të përmirësojë ofrimin e shërbimeve dhe investimet në komunitetin tuaj. E kur kemi të bëjmë me projektet infrastrukturore, arsimimin dhe kujdesin shëndetësor, prokurimi transparent është jetik për mirëqenien e qytetarëve.
Edhe pse më keni dëgjuar edhe më parë për reformën në prokurim, sot jam veçanërisht i ngazëllyer sepse jemi këtu për të parë çka kanë arritur qeveritë komunale dhe në çka duhet të punojnë ende. P.sh. me ligj, komunat duhet t’i publikojnë informatat për prokurim në uebfaqet e tyre. Por, siç tregon raporti i sotshëm, disa komuna kanë mbetur prapa në përmbushjen e këtij detyrimi. Fuqimisht i nxisim qeveritë komuanle t’i përmbushin kërkesat ligjore.
Ky Indeks po ashtu shpalos se shumë komuna nuk i kanë përmbushur kërkesat ligjore për dëgjim publik. Si rezultat, ato po e humbasin një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e informatave rreth planeve të prokurimit me zgjedhësit e tyre. Shpresojmë që qeveritë komunale do ta marrin këtë çështje seriozisht dhe do të mbajnë më shumë dëgjime publike.
Dëshiroj të përqendrohem në aspektin pozitiv! Prandaj, dëshiroj të nënvizoj se ky Indeks dhe gjetjet e tij po ashtu paraqesin mundësi për komunat dhe mundësi për reflektim dhe pjekje për të rivlerësuar performancën dhe për të mëtuar përmirësimin dhe mundësitë për ardhme më të mirë për zgjedhësit e tyre.
Megjithatë, kjo nuk vlen vetëm për zyrtarët komunalë. Ky Indeks paraqet mundësi të madhe edhe për kosovarët që të përfshihen më shumë duke shërbyer si vëzhguesë dhe për t’iu kërkuar llogari komunave të tyre. Mbajeni në mend, komunat punojnë për qytetarët.
Dëshiroj ta falënderoj Institutin Demokratik të Kosovës për punën e bërë në këtë Indeks dhe përkushtimin për qeverisje më të hapur dhe transparente. Dëshiroj t’i falënderoj edhe komunat për bashkëpunimin e tyre në përpilimin e këtij raporti. Në fund, dëshiroj ta falënderoj Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për ndërmarrjen edhe të një hapi në rrugëtimin drejt një sistemi të prokurimit më transparent duke ofruar të dhënat e hapura për kontraktim përmes Portalit për prokurim të hapur e transparent. Pikërisht kjo frymë e angazhimit dhe çiltërsisë është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
Ju faleminderit shumë!