Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes së organizuar nga Presidenti,

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes së organizuar nga Presidenti, 21 shtator 2018

Mirëmbrëma. Ju faleminderit shumë. Z. President, kryeministër, kryetar i kuvendit, mysafirë të nderuar, kolegë. Kam kënaqësinë që jam këtu.

Më duhet të them se deri në një masë më kujtohen fjalët që mund të jenë thënë nga një filozof i madh amerikan, Dr. Seuss: “Mos qaj që mori fund; gëzohu që ka ndodhur”.

Më duket se kjo është ndër pritjet e fundit përshëndetëse dhe përfundimisht është përshëndetje me ndjenja të përziera. Gjatë tri viteve të fundit,  kemi punuar në mënyrë produktive në të mirë e në të keq. Por, po largohem nga këtu plot shpresë sepse e di që qytetarët e këtij vendi kanë potencial për të siguruar që Kosova përparon gjatë shkrimit të kapitullit të ardhshëm të rrëfimit të saj.  Por, ai përparim është në duart e tyre.

Këtë javë më keni dëgjuar në lajme duke folur për disa prej sukseseve të kohëve të fundit – përparimi në sundimin e ligjit, fuqia e ekonomisë në rritje dhe shoqërinë civile të Kosovës që është në lulëzim e sipër.

Po ashtu, më keni dëgjuar duke thënë se Kosova është në kryqëzim të rëndësishëm. E përderisa institucionet gjyqësore ngadalë po e ndërtojnë besimin në mesin e qytetarëve, populli duhet të shohë që politika nuk ndërhyn në drejtësi. Nëse dhjetë vitet e para të shtetësisë ishin për krijimin e institucioneve, dhjetëvjeçari i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë për forcimin e institucioneve. Tani ju duhet ti aplikoni dhe zbatoni ligjet njëtrajtshëm për ti përmbushur nevojat e qytetarëve dhe për ta mbrojtur qëndrueshmërinë ekonomike. Me ndryshimin e mandatit të EULEX-it, tani vetë qytetarët e Kosovës janë përgjegjës për sundimin e ligjit. Suksesi do të jetë i juaji, e po ashtu edhe dështimi. Nuk do të keni askënd tjetër për ta përgëzuar, por as edhe për ta fajësuar.

Nuk mund ta nënvizoj më shumë rëndësinë e kësaj çështjeje. Kosova do të ketë sukses si shtet – ashtu qysh e duam të gjithë – vetëm me përkushtim të rreptë të të gjithë prijësve në të gjitha nivelet e sundimit të ligjit. Këta zyrtarë që i vënë interesat e tyre para interesave të qytetarëve po e qëllojnë për vdekje vendin e tyre.

Përtej këtyre sfidave, Kosova po është është në çast transformues për zgjidhjen e marrëdhënies së saj me Serbinë. Udhëheqja politike – pa marrë parasysh partinë – duhet të gjejë pikat e përbashkëta për qëllimet e Kosovës dhe të gjejë mënyrën për të ecur përpara duke i pasqyruar interesat e tërë popullit. Kosova për së tepërmi ka nevojë për këtë frymë të bashkëpunimit nga prijësit e saj për të përparuar.

Për të arritur edhe më shumë, Kosova duhet ti ndihmojë grupet më të dobëta – të rinjtë, gratë, komunitetet jo-shumicë – që të marrin zë dhe të marrin pjesë në suksesin e vendit. Shfrytëzimi i potencialit të këtyre qytetarëve do ta ndihmojë Kosovën për të përparuar.

Këto sfida do ta përkufizojnë Kosovën si shtet të qëndrueshëm, si partnere të besueshme dhe si rrëfim shumetnik i suksesit në Ballkan. Nuk ka kohë për të humbur dhe ne do t’ju vëzhgojmë me pjesën tjetër të botës përderisa përballeni me këto çështje. Është jetike që ta vini vendin tuaj dhe të ardhmen e tij mbi të gjitha.

Ekipi që mbetet në Prishtinë është më se i gatshëm për ta vazhduar partneritetin tonë dhe për ti përcjellë porositë e rrepta kur duhet. Më duhet t’ju paralajmëroj se çdo sukses që e kemi pasur kanë qenë rezultat i ekipit të hatashëm të amerikanëve dhe qytetarëve kosovarë, të cilët kam pasur privilegjin t’i quaj kolegë në ambasadë. Unë ndoshta po largohem, por ata nuk po shkojnë askund.

Zëvendës-shefja e misionit Colleen Hyland do të jetë në krye deri në ardhjen e ambasadorit të caktuar, Philip Kosnett. Përkushtimi ynë i qëndrueshëm ndaj Kosovës është i sigurtë. Ne do të  ndihmojmë, por ky  është vendi juaj, e ardhmja juaj që ju vetë do ta qëndisni. Ju uroj gjithë të mirat dhe shpresoj të dëgjoj gjëra të mëdha nga Kosova.

Ju faleminderit dhe lamtumirë!