Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë pritjes së organizuar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, 16 tetor 2017
Mirëmbrëma të gjithëve, President Thaçi, Kryeministër Haradinaj, ministra, kolegë diplomatikë, Petrit. Vërtet jam i emocionuar që jam këtu me të gjithë ju sonte për ta kremtuar Programin e Pragut të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën, e cila u nënshkrua muajin e kaluar. Siç tha Presidenti Thaçi, ai ishte atje, bashkë me udhëheqjen e lartë të MCC-së, kongresistin Engel, drejtorin e Misionit të USAID-it Jim Hope, Petritin, bashkë me shumë të tjerë që e kanë mbështetur këtë marrëdhënie të veçantë midis dy shteteve tona.
Kjo ceremoni ishte një moment i jashtëzakonshëm në partneritetin SHBA-Kosovë dhe një ngjarje që ngjalli një shkallë shumë të madhe të krenarisë dhe optimizmit për të gjithë ne këtu këtë mbrëmje.
Me që ra fjala, MCC-ja u nënshkrua në Capitol Hill. Me sa di unë, kjo është hera e parë që kjo ka ndodhur. Kjo është, megjithatë, emblematikë e asaj që Presidenti përmendi pak minuta më parë për mbështetjen e thellë dhe dypartiake për Kosovën në Shtetet e Bashkuara.
Nuk ishte shumë kohë më parë që e tërë kjo dukej si përpjekje e gjatë dhe tani jemi gati ta fillojmë zbatimin e një programi që ka fuqinë për të bërë ndryshime të vërteta për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Siç kam thënë edhe më parë, 49 milionë dollarë amerikanë janë një nga grantet më të mëdha të Pragut që është miratuar ndonjëherë nga MCC-ja dhe është vërtet granti më i madh i bazuar për kokë banori. Dhe bashkë me të vjen edhe një përgjegjësi e madhe për Qeverinë e re të Kosovës për ta zbatuar këtë program me efikasitet, transparencë dhe, natyrisht, me rezultate.
E di që bashkëpunimi mes ekipit MCC Kosova dhe selisë së MCC-së në Uashington ka qenë i jashtëzakonshëm dhe kjo është edhe më me rëndësi tani. Suksesi i Pragut, sikur i të gjitha përpjekjeve të mëdha, do të matet përfundimisht në ndryshimin e bërë në jetën e vërtetë të njerëzve.
Siç e dini shumë prej jush, MCC i identifikon fushat në vendet partnere që janë pengesat më të mëdha për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Është vështirë të mendohet për dy fusha më vendimtare të zhvillimit në Kosovë sesa efiçenca e energjisë dhe qeverisja transparente. Kam thënë shumë herë më parë që ekonomia e Kosovës varet nga furnizimi i sigurt me energji dhe tregu i larmishëm i energjisë. Dhe, natyrisht, qeverisja gjithëpërfshirëse, e përgjegjshme dhe transparente e bazuar në sundim të ligjit është esenciale për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Luftimi i korrupsionit dhe nxitja e rritjes ekonomike kanë qenë në krye të listës sime që kur kam ardhur këtu dhe mendoj se tani jemi gati ta bëjmë një hap vërtet të madh përpara.
Tashmë kemi ndërtuar partneritete të forta në këto dy fusha, me KGJK-në, Ministrinë e Drejtësisë dhe gjykatat anembanë vendit dhe, natyrisht, edhe me shumë subjekte vendimtare që operojnë, shpërndajnë dhe rregullojnë furnizimin me energji në Kosovë. Prandaj, mendoj që partneriteti ynë ka bazë të mirë për ta intensifikuar këtë bashkëpunim, dhe Kryeministër Haradinaj, presim të punojmë me ju dhe ekipin tuaj me zell ndërsa fillojmë zbatimin e saj.
Të gjithë ne këtu kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në atë që vjen pas, duke punuar përmes mundësive dhe sfidave që do t’i sjellë ky zbatim dhe duke ua artikuluar në mënyrë të qartë qytetarëve të Kosovës çfarë do të thotë për ta Programi i Pragut të MCC-së.
Jam krenar që jam këtu me ju për ta kremtuar këtë moment të madh historik këtë mbrëmje, por më pas duhet të kthehemi për të punuar. Duhet të përqendrohemi në dizajne solide të projekteve, në tenderë transparentë dhe konkurrues të prokurimit dhe në zbatim efikas me të njëjtin përkushtim dhe frymë bashkëpunimi që na solli deri këtu në programin e MCC-së.
Ju falënderoj të gjithëve për punën tuaj të zellshme për të arritur këtu sot, shumë veta kanë kontribuuar: Petriti dhe tërë ekipi i tij në MCCK; Mike de la Rosa në USAID; kolegët tanë në Programin e OKB-së për Zhvillim; dhe shumë e shumë të tjerë. Urime për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe transformuese. Tani, të punojmë në hapat e ardhshëm për të bërë ndryshim pozitiv për jetët e qytetarëve të Kosovës. Ju faleminderit shumë.