Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes me rastin e Natës Amerikane në DokuFest, 7 gusht 2017
Mirëmbrëma të gjithëve. Si po kaloni? Çfarë nate e bukur në Prizren! Fuqia e Shteteve të Bashkuara për të pasur mot të mirë!
Më vjen shumë mirë që ju shoh të gjithë juve sonte këtu me rastin e 5-vjetorit të Natës Amerikane në DokuFest. Kam kënaqësinë e vërtetë ta vazhdoj traditën e shkëmbimit të traditave kulturore midis dy vendeve tona, e këtë vit, vizionet tona për të ardhmen, përmes filmit.
Jemi këtu për të festuar me kineastët, regjisorët, producentët dhe edukatorët amerikanë që marrin pjesë në festivalin e këtij viti. Gjithashtu po e festojmë suksesin e ekipit të DokuFestit dhe suksesin e Kosovës në krijimin dhe mbajtjen e një festivali filmik të klasës botërore. Sapo e dëgjova një ekspert duke e krahasuar DokuFestin për të mirë me Berlinalen – kjo është e mrekullueshme!
Prizreni, siç e dini të gjithë, është thesar kulturor i Kosovës. Kjo është vizita ime e dytë në këtë qytet të bukur brenda këtyre dy javëve. Bukuria e Prizrenit, vendet e trashëgimisë fetare e kulturore dhe festivalet verore joshin njerëz nga e mbarë bota.
Orëve të fundit jam takuar me kineastë të rinj, një biznes në lulëzim e sipër dhe me sipërmarrës të turizmit që punojnë për t’i lidhur njerëzit me vendet e shumta të bukura të Kosovës.
Në ambasadë krenohemi që e mbështesim DokuFestin dhe projekte të tjera në Prizren që kanë ndihmuar në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare dhe në shndërrimin e qytetit në pikë krenarie dhe destinacionin kulturor që është sot.
Së voni, e kam vizituar Kalanë e Prizrenit dhe kam parë punën e mrekullueshme të restaurimit. Jam i lumtur të shoh që kalaja po përdoret përsëri për festivalin e këtij viti. Ky ishte një nga qëllimet tona kur e financuam restaurimin: ta shohim kalanë të hapur për përdorim publik dhe duke u përdorur vazhdimisht në mënyrë aktive nga publiku. Nëse ende nuk jeni ngjitur deri atje, ju nxis të gjeni kohë për t’i eksploruar ndryshimet e fundit. Edhe pse ndoshta, është mirë ta pritni ditën kur nuk është 40 gradë. Por, ju lutem, shkoni së shpejti sepse është e jashtëzakonshme.
Kur flasim për restaurimin historik apo edhe për filmin dokumentar, shpesh e lidhim atë me të kaluarën. Por, të kuptuarit e historisë sonë është thelbësor për krijimin e një të ardhmeje më të mirë. Prandaj isha shumë i ngazëllyer të dëgjoja që tema e DokuFestit të këtij viti është “E ardhmja”.
Jemi më se të lumtur që sonte i kemi këtu disa kineastë dhe kuratorë amerikanë. Gjatë gjithë festivalit ata do t’i shkëmbejnë idetë e tyre se si të përdoret filmi për t’i nxjerrë në pah çështjet sociale dhe për të kapur tregime të patreguara që do të ndihmojnë në formësimin e të ardhmes sonë, të tërë të ardhmes sonë. Faleminderit, amerikanë, që erdhët në Kosovë dhe në Prizren. Shpresoj të kënaqeni në festival dhe shpresoj që lidhjet që i krijoni me kineastët e tjerë të talentuar dhe përfaqësues të industrisë do të zgjasin edhe në të ardhmen. Shpresoj që kur të ktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’ju tregoni të gjithëve çfarë vendi i mrekullueshëm është Kosova dhe çfarë festivali i mrekullueshëm është DokuFesti.
Dua t’i falënderoj Nitën, Vetonin, Erollin dhe tërë ekipin e DokuFestit për gjithë punën tuaj të zellshme për ta bërë këtë festival storie suksesi për Prizrenin dhe për Kosovën. A dëshiron ndokush nga ju të thotë disa fjalë?
Është edhe një grup që dua ta falënderoj. Pikërisht si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithë ajo punë e rëndësishme nuk do të kryhej pa ndihmën e vullnetarëve. Ata që janë këtu, p.sh. që kanë të veshur bluzat me mbishkrimin “I am so future”. Nuk jam shumë i sigurtë çka do të thotë kjo, se i takoj gjeneratës së gabuar, por janë gjithë ata njerëz nëpër qytet me bluzat “I am so future”. Ata po bëjnë punë vullnetare, po ndihmojnë, po e bëjnë Prizrenin vend më të bukur, po e bëjnë Kosovën vend më të bukur. Ju lus edhe juve të tjerët të angazhoheni në punë vullnetare në çkado që bëni.
Faleminderit shumë që keni ardhur sonte; faleminderit DokuFest. Ishte kënaqësi që pata mundësinë për t’ju pritur të gjithëve këtë mbrëmjve. Kalofshi sa më mirë sonte!