Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për pjesëtarët e pakicave, 29 mars 2017
Mirë se vini të gjithë. Dëshiroj t’ju shpreh mirëseardhje të gjithë ministrave, deputetëve, zyrtarëve dhe aktivistëve nga radhët e komuniteteve të shumëllojshme të Kosovës.
Jam më se i lumtur që jam nikoqiri juaj dhe për mundësinë për t’i dëgjuar shqetësimet, sukseset dhe ëndërrat tuaja. Larmia e pasur kulturore e bën Kosovën të posaçme.
Sukseset tuaja janë suksese të Kosovës. Që Kosova të shkëlqejë, ajo duhet t’i mirëpresë dhe të jetë shtëpi e begatshme për të ardhmen e shqiptarëve dhe serbëve, por po ashtu edhe për ashkalitë, boshnjakët, kroatët, egjiptasit, goranët, jevrejët, malazezët, romët dhe turqit. Prandaj, shpresoj që do ta shfrytëzoni këtë ndejë dhe do të flisni me mua dhe kolegët e mi për prioritetet tuaja dhe për mënyrat se si ambasada dhe USAID-i mund t’ju ndihmojnë për t’i përmbushur ato. Po ashtu, shfrytëzojeni rastin ta përshëndetni z-njën Dianna Palequin, koordinatoren e ndihmës amerikane për Evropë dhe drejtorin e misionit të USAID-it, Jim Hope. Ju ftoj gjithashtu ta vazhdoni bashkëpunimin tuaj të mirë me Scott Lang-un, Maja Markovic-in dhe Antigona Mustafën, që janë në dispozicionin tuaj.
Jam i lumtur për sukseset e kohëve të fundit si p.sh. për kuotën e caktuar nga Ministria e Arsimit për regjistrim nga komunitetet jo-shumicë në të gjithë universitetet publike që ua mundëson pjesëtarëve të pakicave të regjistrohen për herë të parë në degët si arkitekturë, mjekësi dhe madje edhe në studimet e doktoraturës. Por, ende duhen përmirësime të rrënjësishme në edukim, punësim, banim dhe kujdes shëndetësor.
Më inkurajoi lajmi se Komisioni Parlamentar për të drejta dhe interesa të komuniteteve për herë të parë nxorri raportin që vë në pah se institucionet e Kosovës ende nuk e kanë përmbushur kuotën prej 10 për qind të punësimit të paraparë me Ligjin për Shërbimin Civil. Edhe pse gjetjet e këtij raporti nuk janë ato që do t’i dëshironim, angazhimi juaj me institucione për të gjetur zgjidhje ligjore është shpresëdhënës dhe meriton reagim institucional.
Dëshiroj që në veçanti t’i përshëndes anëtarët e Këshillit Konsultativ për komunitete që janë sonte këtu. Angazhimi juaj entuziast me projektet tona si Ta avancojmë Kosovën së bashku (AKT), Angazhimi për barazi (E4E), AGRO, Fuqizimin e sektorit privat (Empower) dhe programet e Institutit Demokratik Kombëtar për mbështetje Kuvendit të Kosovës tashmë kanë dhënë fryte dhe jam i bindur se diskutimet tuaja të vazhdueshme do të japin përfitime të qëndrueshme ekonomike. Shpresojmë t’i shohim të gjitha grupet të përfshira në programet tona për komunitete dhe jemi të përkushtuar t’i ndihmojmë OJQ-të që do të donin të përfitonin nga programet tona.
Përfshirja duhet të bëhet realitet i përditshëm në Kosovë, jo vetëm aspiratë. Në këtë frymë, jemi krenarë që sektori i Marrëdhënieve me publikun nga ambasada jonë ka mundur t’i bashkë-sponsorizojë ngjarjet për shënimin e ditëve të ndryshme kombëtare në Kosovë dhe shpresoj ta kem rastin të marr pjesë në më shumë prej tyre.
Përfshirja nënkupton që zëri i çdo komuniteti dëgjohet, veçanërisht i grupeve që historikisht janë diskriminuar. Kjo nënkupton të nxitet pjesëmarrja e shtuar e grave nga pakicat në fushën politike dhe ekonomike, krijimin e mundësive në bujqësi për pakicat, apo instalimin e ndriçimit të rrugëve në një fshat të vogël. Këto projekte në thelb kanë të bëjnë me ndërtimin e besimit ndërmjet grupeve të ndryshme, si dhe ndërmjet qytetarëve dhe qeverive komunale.
Të dashur miq, sigurimi i mundësive të barabarta dhe suksesit nuk mund të bëhet vetëm nga qeveria, por qeveria luan rol kyç në garantimin e të drejtave të barabarta. Duhet të bëhet më shumë për miratimin e strategjisë për roma dhe ashkali, përfshirë edhe koordinimin e ndihmës për komunitetin egjiptas. Boshnjakët dhe goranët duhet të përfshihen më shumë në menaxhimin e komunave për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të tyre, si dhe duhet të përmbushen kushtet që goranët të kthehen në shkollat kosovare. Turqit kanë shumë talente për t’i ofruar në Kosovë dhe mirëpresim njohjen e diplomave në gjuhën turke. Trashëgimia dhe historia e pasur jevreje po ashtu është e rëndësishme për tu përkujtuar dhe mirëpresim planifikimin e qendrës kulturore jevrejo-shqiptare në Prizren. Shpresojmë që planet për integrimin e kroatëve dhe malazezëve do të lëvizin përpara.
Ju lutem, vazhdoni të punoni bashkë duke i përdorë masat mbrojtëse të pakos së Ahtisaarit në Kuvend, në komisionet parlamentare, në kabinetin e Presidentit apo në zyrën për komunitete pranë kryeministrisë për ta formësuar të ardhmen tuaj. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partneri juaj i fuqishëm.
Ju faleminderit shumë!