Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për pjesëmarrësit në kurset e ILEA-s

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për pjesëmarrësit në kurset e organizuara nga Akademia ndërkombëtare për zbatim të ligjit, 7 shtator 2017

Mirëmbrëma.  Dëshiroj t’ju shpreh mirëseardhje të gjithë mysafirëve tanë të nderuar, ambasadorit Markusz, kryeprokurorit të shtetit, kolegëve që po na vizitojnë nga Akademia ndërkombëtare për zbatim të ligjit (ILEA) nga Budapesti, pjesëmarrësve të çmuar të trajnimit kundër korrupsionit në Akademinë ndërkombëtare për zbatim të ligjit gjatë vitit të shkuar, dhe mysafirëve të nderuar.  Jam më se i lumtur që po ju pres në këtë pritje për të nderuar zotimin tuaj për luftimin e korrupsionit në vendin tuaj.

Së pari, dëshiroj t’ju përgëzoj për punën tuaj të mundimshme.  Kurset që i keni kryer në Budapest kanë qenë sfiduese: korrupsioni në entet publike, hetimet financiare, trafikimi me qenie njerëzore, korrupsioni i brendshëm në qeveri, si dhe hetimi dhe ndjekja penale e rasteve të ndërlikuara të korrupsionit.  Madje, një grup i vogël prej jush ka marrë pjesë në Forumin për politika kundër korrupsionit në Rosuell të Meksikos së re, SHBA, ku keni kaluar pothuajse një muaj të plotë jashtë vendit tuaj të punës për t’i thelluar njohuritë rreth standardeve ndërkombëtare, praktikave më të mira dhe metodologjive për mbledhjen e informatave për parandalim dhe luftim të korrupsionit.  Ekspertiza që e keni fituar në këto kurse përbën themel thelbësor mbi të cilin do t’i ndërtoni rastet dhe përpjekjet e ardhshme.

Por, ju nuk keni marrë vetëm njohuri nga trajnimi; i jeni bashkuar edhe komunitetit të të diplomuarve nga ILEA.  Prej vitit 1995, kurset e ILEA-s i kanë ndjekur më shumë se 60000 pjesëmarrës nga mbi 80 vende.

Ky përbën një kuadër ndërkombëtar të prijësve që do të sjellin ndryshim pozitiv në institucionet dhe shoqëritë e tyre.  Si të diplomuar nga ILEA dhe si prijës, ju do të jeni agjentë të ndryshimit me përkushtimin tuaj për luftimin e korrupsionit me mjetet që i keni mësuar në Budapest dhe Rosuell.

Kjo pritje dhe seanca e punës që e patët dje i ka tri qëllime.

Së pari, dëshirojmë të vini lidhje me të tjerët – me kolegët që e kanë të njëjtin përkushtim për ta luftuar korrupsionin si ju.  Sonte dhe javëve të ardhshme, ju nxis që me kolegët tuaj t’i diskutoni idetë për përmirësimin e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.

Së dyti, dëshiroj ta dini që e keni mbështetjen e fuqishme të ambasadës amerikane në përpjekjet tuaja për adresimin e çështjes së korrupsionit.

Së fundmi, ne dhe institucionet tuaja sponsorizuese ju kemi përzgjedhur për trajnimin në ILEA jo si shpërblim për të arriturat tuaja të kaluara, por si investim në partnerë të ardhshëm që do t’ia vënë fundin kulturës së korrupsionit dhe ndërhyrjeve politike në sektorët e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë.  Ju tash e keni për detyrë ta shfrytëzoni atë që e keni mësuar për të mirën e institucioneve dhe vendit tuaj.

Ju faleminderit edhe njëherë për përkushtimin tuaj ndaj synimit për t’ia sjellë fundin korrupsionit.  Shpresoj të dëgjoj veç për suksese tuaja!