Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për përfituesit e programeve të shkëmbimit të qeverisë amerikane, 2 mars 2016

Ju faleminderit, Mark dhe ju faleminderit të gjithëve që jeni me ne sonte.  Ndoshta e dini se babai im ka qenë arkitekt dhe jam rritur duke shprehur interesim të veçantë dhe duke e çmuar dizajnin.  Është hera e dytë që vi në Bibliotekën Kombëtare dhe prapë mund të them se biblioteka është njëra prej ndërtesave me dizajnin më unik arkitektonik që e kam parë ndonjëherë.  Disa prej jush mund të keni ndjenja të përziera për këtë vend – por, shpresoj se të gjithë mund të pajtohemi se kjo është ndërtesë mbresëlënëse dhe vendi i duhur për Këndin amerikan në Prishtinë – një nga katër partnerëve më të rëndësishëm të ambasadës sonë në Kosovë.

Shpresoj se do të ndaleni për pak çaste poshtë te Këndi amerikan.  Ky është njëri nga tri Këndet amerikane në Kosovë – dy të tjerët janë në Prizren dhe në Mitrovicë të Veriut.  Këto kënde janë dizajnuar si biblioteka të stilit amerikan dhe si qendra të bashkësive, me programe dhe burime të hapura dhe në dispozicion për publikun.  Por, unë shpresoj se Këndet  amerikane do të jenë më shumë se aq për juve.  Shpresoj se do të jenë vende ku mund të takoheni dhe të vini kontakte, t’i shkëmbeni njohuritë dhe përvojat tuaja, si dhe të bashkëpunoni dhe t’i zhvilloni idetë e reja.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë në dhjetor të vitit të shkuar, Sekretari Kerry tha se më shumë se 1000 përfitues të programeve të shkëmbimit të qeverisë amerikane paraqesin shembull të mrekullueshëm të investimit tonë të përbashkët për të ardhmen tuaj.  Pajtohem plotësisht me këtë.  Ju jeni përzgjedhur në këto programe të shkëmbimit për shkak të potencialit tuaj.  Kur taksapaguesit amerikanë investuan në arsimimin, trajnimet apo karrierën tuaj, ata jo vetëm që investuan në juve, por edhe në të ardhmen e Kosovës.  Tash, ju jeni prijës në fushat tuaja – në qeveri, biznes, arsim, shoqëri civile dhe më gjerë – dhe ende e çmojmë investimin e përbashkët që e kemi bërë.

Së bashku, ne po punojmë për ta ndërtuar të ardhmen më të mirë për demokracinë e Kosovës.  Po përmirësojmë sigurinë rajonale duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke luftuar kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe duke promovuar integrimin dhe përfshirjen e të gjitha pakicave në Kosovë.  Po punojmë bashkë për ta përmbushur integrimin e plotë të Kosovës në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.  Po promovojmë zhvillimin ekonomik në Kosovë – jo vetëm duke nxitur investime dhe çeljen e vendeve të reja të punës, por ç’është më me rëndësi: duke i përmirësuar kushtet që i mundësojnë këto investime.  Po promovojmë një sistem të arsimit të lartë më konkurrues dhe më të besueshëm, si dhe programe të gjuhës angleze dhe shkëmbim të përvojave më të mira për fuqi punëtore të shkathtë.  Gjithashtu, po punojmë edhe në sigurinë e energjisë elektrike, në transparencën në qeveri dhe në reforma të sektorit të drejtësisë – të gjithë këta janë faktorë thelbësorë për rritjen ekonomike.

Dhe natyrisht sa i përket prioritetit tim kryesor, po punojmë për fuqizimin e sundimit të ligjit – duke ndihmuar në ndërtimin e një sektori funksional, shumetnik të qeverisë dhe të sektorit të drejtësisë të pastër nga korrupsioni.  Sepse demokracia në Kosovë dhe e ardhmja e saj në Evropë varen nga mbajtja e korrupsionit nën kontroll.

*****

Tash që i shpjegova motivet dhe prioritetet e mia, dëshiroj t’ju nxis t’na ndihmoni t’i kuptojmë prioritetet tuaja.  Dëshiroj t’ju nxis të mendoni rreth mënyrave se si mund të punoni me ambasadën tonë, t’na ndihmoni t’i kuptojmë sfidat tuaja dhe ta kërkoni mbështetjen tonë për projektet tuaja.  Por, gjithashtu dua që të punoni së bashku.  Kjo është njëra prej arsyeve që ju kemi ftuar sonte.  Nëse mund të flas pak ma drejtpërdrejt – rrjeti i përfituesve të programeve tona është njëri ndër rrjetet më të suksesshme dhe më me ndikim në Kosovë.  Në baza të përditshme, të gjithë ju, si dhe nja 900 ish-pjesëmarrës të programeve tona, që nuk janë këtu sonte, ndihmojnë në formësimin e të ardhmes së Kosovës.

Puna juaj dhe veprimtaritë tuaj përditësojnë politikat, zhvillojnë institucionet dhe frymëzojnë gjeneratën e ardhshme të prijësve të Kosovës.  Ndoshta keni pikëpamje të ndryshme ku qëndron Kosova sot dhe kah po shkon, por nëse punoni së bashku, vë bast se nuk ka asnjë sfidë të vetme me të cilën përballet vendi që nuk do të mund të trajtohej nga njerëzit që janë në këtë sallë.  Ne duam t’ju mbështesim dhe të jemi burim për juve.  Dua t’ju sfidoj që të punoni së bashku për të dalë me idetë tuaja rreth projekteve që do të ndihmojnë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.

E di se Marku do t’ju flasë pak më gjatë rreth nismës së fundit të ambasadës për t’ju ndihmuar që t’i realizoni ëndrrat tuaja për Kosovën, por dua t’ju nxis ta shfrytëzoni këtë rrjet, ambasadën, si dhe Këndin amerikan.  Besoj se e ardhmja e Kosovës është e ndritur dhe besoj që ju do t’i prini asaj të ardhmje.

Ju faleminderit edhe njëherë që jeni këtu dhe faleminderit për përkushtimin tuaj dhe punën tuaj të mundimshme për të ardhmen e Kosovës.  Shpresoj që do ta kem rastin të flas me secilin prej jush në minutat e ardhshëm.