Mirëmbrëma. Jemi mbledhur sonte për t’i shprehur mirëseardhje z. Thomas Melia, ndihmës-administratorit të ri të USAID-it për rajonin tonë. Mendoj se fakti që ai ka vendosur që ta vizitojë Kosovën gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit dëshmon rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, si dhe për rolin kyç që USAID-i e ka luajtur dhe do të vazhdojë ta luajë në zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës.
Do të kërkoj nga Tomi që t’i thotë disa fjalë pas pak, por dëshiroj ta shfrytëzoj praninë tuaj këtu për të folur shkurtimisht rreth mundësisë tuaj për ta rivënë në vijë dialogun politik në Kosovë pas zgjedhjes nga Kuvendi të Presidentit të Kosovës të premten e shkuar.
Mungesa e gazit lotsjellës këtë javë ma dha rastin që të mendoj rreth faktit se pse dhe sa shumë kohë të daljeve publike e kaloj duke u marrë me Kuvendin. Mbrëmë fola pak edhe për këtë me një grup të madh të përfituesve të programeve të shkëmbimit përmes ambasadës amerikane dhe dëshiroj t’i ndaj ato mendime edhe me juve.
Shqetësimi im buron nga një fakt i thjeshtë. Në historinë e vet të shkurtë si vend i pavarur, Kosova vetëm një herë ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme, rezultatet e të cilave janë konsideruar të lira dhe të drejta edhe këtu edhe jashtë vendit, e ato janë zgjedhjet e përgjithshme të 2014-ës. A është kjo diçka e rëndësishme? Ua merr mendja që po. Janë plot vende në botë që janë të pavarura me dekada të tëra, por që s’mund ta thonë që kanë mbajtur zgjedhje të drejta, madje as një herë të vetme.
Zgjedhjet e 2014-ës në Kosovë përbëjnë pikë kthimi. Prej tyre doli një Kuvend, i cili sipas çfarëdo përkufizimi të arsyeshëm është legjitim sepse u krijua prej votuesve në zgjedhje të drejta. Dhe ata 120 veta që ju vetë i keni zgjedhur në atë Kuvend e kanë të drejtën dhe detyrën që ta kryejnë punën, për të cilën i keni punësuar. Një qeveri sovrane dhe e zgjedhur në mënyrë demokratike – pa marrë parasysh partinë politike apo koalicionin – e ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të qeverisur brenda kornizës së ligjeve dhe Kushtetutës së vet. E kur e bën një gjë të tillë, atëherë veprimet e saj janë legjitime sepse burojnë nga vullneti i njerëzve të shprehur në zgjedhje të lira dhe të drejta. Mund të pajtoheni ose të mos pajtoheni me përfundimin, të vallëzoni në rrugë ose të bërtitni se doni t’i “nxjerrni batakçinjtë jashtë”, por asnjëri reagim nuk e ndryshon legjitimitetin demokratik të Kuvendit.
Në sistemin e Kosovës të qeverisjes demokratike, fuqia kryesore vjen prej Kuvendit. Kuvendi cakton koalicionin qeverisës, zgjedh presidentin, përzgjedh gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, e natyrisht nxjerr ligje. Kuvendi paraqet mënyrën praktike të shprehjes së demokracisë së Kosovës. Prandaj, sulmi mbi Kuvendin në thelb është sulm mbi demokracinë e Kosovës.
A premtoj se do ta mbështes çdo veprim që e ndërmerr Kuvendi? Jo, nuk premtoj. Jam i sigurtë që nuk do të pajtohem me ndonjë vendim të ardhshëm të Kuvendit. Është e sigurtë që shpesh nuk pajtohem as me Kongresin tim. Por, megjithatë do t’i qëndroj në krah Kuvendit sepse mishëron demokracinë e Kosovës, rrjedhimisht pra edhe të ardhmen e saj.
Prandaj, ne nga bashkësia ndërkombëtare, por ç’është edhe më e rëndësishme, vetë populli i Kosovës nuk duhet të jemi të gatshëm që ta lëmë që kjo demokraci të avullohet pa luftë. Sepse nëse ka diçka më keq se të kesh një kuvend demokratik që nxjerr vendime që nuk ju pëlqejnë është të kesh një kuvend anti-demokratik.
Pas aktivitetit të të premtes së shkuar në Kuvend, duket sikur e kemi një pushim apo si një vakuum. Duket se njerëzit po pyesin veten se çka do të ndodhë tash. Ju nxis të gjithëve që të përpiqeni ta mbushni atë vakuum me një përkushtim të ri për tu përqendruar në atë çka i duhet me të vërtetë popullit të Kosovës, veçanërisht sa i përket ekonomisë dhe sundimit të ligjit e jo politikës. Përpiquni që t’ua shtrini dorën kundërshtarëve tuaj. Dilni me propozime rreth mënyrave të reja për të punuar me njëri-tjetrin. Përpiquni të dilni nga gjendja e konfrontimit në atë të zgjedhjes së problemeve.
Qeveritë dhe shoqëritë rrallë herë kanë rastin që ta rishkruajnë tregimin. Mendoj se tash e keni rastin ta bëni një gjë të tillë dhe ju nxis ta shfrytëzoni atë. Sfidat e Kosovës nuk do të zgjidhen nëse njerëzit si ju nuk ndërmarrin hapa aktivë për t’i zgjidhur ato.
Tani po ia lë vendin z. Melia që t’i thotë ca fjalë. Ju faleminderit.