Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për Gratë në biznes

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për Gratë në biznes, 10 mars 2017

Mirëdita.  Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu për këtë ngjarje kaq të veçantë.

E kam thënë edhe më herët se nuk mund të paramendoj a ka ndonjë çështje më jetike se të sigurohemi që gratë dhe vajzat kanë qasje në të drejtat, mundësitë dhe mbrojtjen e njëjtë si meshkujt, si dhe që ato i kanë të njëjtat raste për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në rritjen e vendit.

Siç e dini, javën e ardhshme fillon Java e Gruas, kurse gjatë këtij muaji do ta vëmë në pah kontributin e jashtëzakonshëm të grave për komunitetet, kulturën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në fakt, të mërkurën pata rastin që së bashku me ish-presidenten Jahjaga isha në një ngjarje për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe nënvizova rëndësinë e grave në role udhëheqëse në biznes në Kosovë.

Anembanë Kosovës, pronaret e bizneseve, ndërmarrëset dhe inovatoret si ju po i marrin përsipër këto role dhe gjatë kohës sime këtu kam takuar shumë gra që nuk tremben nga asgjë, talenti dhe energjia e pafundmë e të cilave po e transformon Kosovën çdo ditë për të mirë.

Po ashtu, kemi parë përparim të njëmendtë për disa çështje strukturore që shumë shpesh ua pamundësojnë rastet dhe mbështetjen grave në Kosovë.

Këtë vit, Kosova ka përparuar për 13 vende në ranglistën e Bankës Botërore të raportit “Të bërit biznes” sa i përket aspektit të nisjes së biznesit.  Para disa muajve, ishim dëshmitarë të fillimit të punës të Forumit Ekonomik të Grave, i cili do të flasë me një zë për zhvillimin ekonomik të grave dhe do ta bëjë fuqizimin ekonomik të grave shtyllë të agjendës shtetërore të zhvillimit ekonomik.

E muajin e kaluar, pata nderin që fola gjatë lansimit të strategjisë së re nacionale për të drejtat pronësore, që ka mundësi të jashtëzakonshme për të ndikuar pozitivisht në përfshirjen dhe fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë.

E dini më mirë se unë se mundësitë për gra që të kenë pronë ose të trashëgojnë pasurinë në emrin e tyre ende janë tepër të vogla.

Ndoshta nuk e dimë koston e plotë të këtij përjashtimi, por e dimë se vetëm 2% e grave në Kosovë kanë marrë hua nga bankat të mbështetura nga pasuria e tyre e paluajtshme.

Në këtë klimë ekonomike, ku grave iu duhet të kenë mundësi më të mira për të marrë kredi për ta filluar biznesin e tyre të vogël, 2% jo vetëm që është shifër e papërshtatshme dhe e padrejtë, por është thirrje për luftë.

Sheryl Sandberg, kryeshefja operative e Facebook-ut, thotë: “Udhëheqja iu takon atyre që e kërkojnë atë”.  Kjo do të thotë të gjitha Ju që po iu tregoni vajzave të Kosovës çdo ditë se nuk ka profesion që është përtej mundësive të tyre, nuk ka ëndërr që i tejkalon suazat e imagjinatës së tyre.  Shembulli që e jepni ju është pjesë thelbësore e trashëgimisë që ia bartni brezit të ri.

Kjo gjë është kaq e rëndësishme sepse dëshmitë nga e tërë bota qartazi tregojnë se pjesëmarrja e madhe e grave në ekonominë e një vendi sjell begati dhe stabilitet më të madh.  E shohim këtë në punën e Rrjetit shumetnik të ndërmarrëseve, anëtaret e të cilit demonstrojnë se si gratë mund t’i përdorin bizneset e tyre për t’i qepur bashkë komunitetet më të fuqishme dhe më të begatshme.  Kështu duket pamja kur forca e fuqizimit të grave, zhvillimi ekonomik dhe përfshirja punojnë së bashku.

Jam jashtëzakonisht krenar për partneritetin që e kemi krijuar për fuqizimin ekonomik të grave; jam krenar që 50% e vendeve të punës të krijuara nga projekti Empower për fuqizimin e sektorit privat kanë qenë për gra.  Vetëm vitin e shkuar, projekti ynë AGRO ka ndihmuar në krijimin e qindra vendeve të reja të punës për gra.  Jam po ashtu krenar për mbështetjen e portfolios për garanci kreditore me bankën TEB për ndërmarrëse, i cili ka dhënë 109 kredi për biznese të reja të grave vetëm në vitin e tij të parë.

Sot po e shfaqi edhe përkrahjen time për një projekt tjetër që e kemi mbështetur ne: Vajzat në TIK meqenëse e kam vënë shenjën më të përshtatshme që kisha.  Do të vazhdojmë të punojmë për këto gjëra.

Por, nuk e kemi kryer punën ende.  Do të vazhdojmë të shqyrtojmë mundësi të reja për të çliruar talentin dhe ambiciet e afaristeve dhe ndërmarrëseve dhe të gjithë të tjerëve anembanë Kosovës, që nxisin veten për të kërkuar mundësi të reja dhe për tu përballur me sfida të reja.

E di që as ju nuk e keni kryer punën ende.

Stafi im më thotë që kurrë nuk gaboni nëse e citoni Oprah Winfrey-n, e cila një herë ka thënë: “Besoj se njëri ndër rreziqet më të mëdha në jetë është të mos guxosh të rrezikosh”.

Të gjithë në këtë sallë kanë rrezikuar, kanë vënë veten në vijë të frontit për të dhënë kontributin e tyre, për ta arritur begati dhe për të krijuar diçka të re.  Prandaj, vazhdoni të rrezikoni dhe ne do t’ju qëndrojmë krah për krah në përpjekjet tuaja.

Ju përgëzoj të gjithave dhe jam krenar që jam partneri juaj.  Ju faleminderit.