Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes me rastin e Natës Amerikane në DokuFest

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes me rastin e Natës Amerikane në DokuFest, 6 gusht 2018

Mirëmbrëma të gjithëve. Është mrekulli që ju kemi këtu në DokuFest. Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam sërish në Prizren. Kjo është hera e tretë që jam nikoqir i Natës amerikane në DokuFest dhe kjo ngjarje gjithmonë është pika kulminante e verës duke u bërë bashkë për të kremtuar lidhjet tona kulturore përmes filmit.

Jemi shumë të lumtur që sërish kemi mbështetur pjesëmarrjen e disa krijuesve të filmit, kuratorëve dhe edukatorëve amerikanë në festivalin e sivjetëm. Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhje atyre dhe mysafirëve të tjerë të huaj. Mendoj se do t’ju bëjë përshtypje dinamika e këtij festivali dhe sa mikpritësë janë të gjithë ndaj nesh, amerikanëve.

DokuFesti ka histori të gjatë të parnteritetit me amerikanët në industrinë e filmit, përfshirë edhe Festivalin amerikan të filmit dokumentar në Palm Springs të Kalifornisë. Sa për dijeni, Palm Springs është shumë afër San Diegos, qytetit tim të lindjes. Shpresoj që disa prej vizitorëve tanë amerikanë të këtij viti do të vënë lidhje të ngjashme të gjata me DokuFestin dhe me disa prej krijuesve të hatashëm të filmit që do t’i takojnë këtu.

Gjithmonë më bëjnë shumë përshtypje dhe më frymëzojnë temat e DokuFestit. Çdo vit ia dalin të zgjedhin tema që me të vërtetë iu flasin si popullit të Kosovës, po ashtu edhe vizitorëve ndërkombëtarë që vijnë në festival. Vitin e shkuar tema ishte “E ardhmja”, një vit më parë tema kishte të bënte me diçka që e parapëlqej: me antikorrupsionin.

Tema kryesore e këtij viti natyrisht është “Reflektimet”. Me Kosovën që këtë vit ka festuar dhjetë vjet të pavarësisë, kjo temë veçanërisht është e përshtatshme. Nuk ka kohë më të përshtatshme për të reflektuar ku qëndron Kosova si vend dhe ku ju – populli i Kosovës – dëshironi ta shihni vendin tuaj në të ardhmen.

Kohëve të fundit, dialogu me Serbinë ka qenë mjaft shumë në lajme. Me siguri më keni dëgjuar duke iu thënë politikanëve që duhet të reflektojnë për qëllimet e tyre rreth dialogut dhe që të sigurohen që negociatat i reflektojnë qëllimet e qytetarëve të Kosovës.

Të gjithë ju jeni pjesë thelbësore e këtij refletimi. Qofshin duke punuar në politikë apo në art, ju luani një rol të rëndësishëm në ndriçimin e çështjeve dhe sfidave që janë qenësore për të ardhmen e Kosovës.

DokuFesti ka dashur që festivali i këtij viti të jetë “reflektim i botës ku jetojmë dhe një vend për të parë, mësuar, reflektuar dhe bashkëpunuar”. Ju ftoj të gjithëve ta përdorni filmin dhe artet për të reflektuar jo vetëm për botën në të cilën jetojmë, por po ashtu edhe në çfarë Kosove dëshironi të jetoni.

Dëshiroj ta falënderoj tërë ekipin e DokuFestit, në veçanti Vetonin, Erollin dhe Nitën, që na lejuan që edhe një herë të bashkëpunojmë në këtë festival. Urime juve, stafit dhe të gjithë vullnetarëve që edhe njëherë organizuat një festival të mahnitshëm. Nuk kam dyshim që dhjetëra mijëra vizitorë do ta pranojnë ofertën tuaj për të reflektuar dhe do të kalojnë për mrekulli sa të jenë këtu.

Ju faleminderit shumë të gjithëve që jeni sonte këtu!