Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë përurimit të udhëzuesit për politikën ndëshkimore në Kosovë

Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë përurimit të udhëzuesit për politikën ndëshkimore në Kosovë, 2 mars 2018

Ministër Tahiri, kryetar i Gjykatës Supreme Peci, anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, ju faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të folur para jush sot.

Dëshiroj të uroj Gjykatën Supreme të Kosovës për miratimin e variantit të parë të udhëzuesit për politikën ndëshkimore në Kosovë. Ky është hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe jam krenar që ambasada amerikane ka kontribuar në hartimin e tij dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë edhe në të ardhmen.

Kosova po arrin përparime në fushën e sundimit të ligjit, por ende ka sfida të shumta. Një ndër sfidat ka të bëjë me politikat ndëshkimore. Ka mospërputhje në vendimet për dënime, dallim në dënime nga një rajon në tjetrin, si dhe ekziston perceptimi në opinionin publik se vendimet ndikohen politikisht apo personalisht.

Ky perceptim i publikut në veçanti është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë sepse pa marrë parasysh sa të mira apo moralisht të qëlluara janë ligjet, sistemi i gjyqësorit dështon kur nuk mund të komandojë respektin e atyre që i qeveris. E mungesa e besimit sjell mungesën e shpresës. Gjykata Supreme e ka hartuar këtë udhëzues si masë të drejtpërdrejtë për këto probleme.

Më duhet të theksoj një gjë: udhëzuesi nuk udhëzon vendimin e njëjtë për çdo rast. Ka të tillë që dëgjojnë ‘udhëzues për politikën ndëshkimore’ dhe menjëherë supozojnë se dënimi caktohet në mënyrë mekanike dhe gjyqtarit i merret i tërë pushteti për të caktuar dënimin në bazë të rastit specifik dhe të pandehurit të cekur.

Nëse kemi mësuar diçka gjatë 50 viteve të eksperimenteve me udhëzuesë në SHBA është se vendimet e ngurta e të paracaktuara për dënime nuk funksionojnë. Po ashtu, kemi mësuar se nuk funksionojnë as qasjet e pastrukturuara ndaj dënimeve.

Qasja më e mirë është një baraspeshë ndërmjet të dyjave: kur gjyqtarët kanë qasje të strukturuar ndaj dënimeve dhe kanë fleksibilitetin dhe lirinë e veprimit për të caktuar dënimin në bazë të fakteve të posaçme të një rasti. Qasja e balancuar natyrisht krijon vijueshmëri në vendimet për dënime duke mbajtur lirinë e veprimit juridike dhe rrit transparencën para publikut. E populli ka të drejtë për t’i parë informatat e domosdoshme për ta vlerësuar punën e sistemit në përgjithësi, si dhe për shpalosjen e arsyetimit për dënimet në raste të caktuara.

Besoj se Gjykata Supreme ka gjetur këtë baraspeshë dhe ka krijuar një praktikë që do të mirëpritet nga të gjithë të përfshirët. E përgëzoj Gjykatën për qasjen proaktive dhe gatishmërinë për tu marë me këtë problem të vështirë dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësim. E kuptoj se procesi nuk përfundon me këtë. Që ky udhëzues të funksionojë si duhet, do të nevojitet rivlerësim dhe përshtatje e vazhdueshme. Ta dini që ambasada amerikane do të vazhdojë ta mbështesë këtë vendim të rëndësishëm dhe t’i mbështesë organet e gjyqësorit për të ecur përpara.

E nxis fuqimisht çdo gjyqtar në Kosovë për ta marrë këtë përpjekje seriozisht dhe t’i qaset asaj me përkushtimin dhe profesionalizmin që kosovarët e meritojnë nga gjyqësori i tyre.

Ju faleminderit!