Fjala e ambasadorit Delawie gjatë përurimit të Fondit kosovar për garanci kreditore, 26 prill 2016

Mirëmëngjesi. Kryekuvendar Veseli, kryeministër Mustafa, ambasadore Viets, mysafirë të nderuar, mirëmëngjesi dhe mirë se vini.

Nuk mund t’ua përshkruaj se sa i lumtur jam që jam këtu për të folur për një çështje ekonomike.  Kam qenë ekonomist para se të kaloja në diplomaci, por pjesën më të madhe të kohës këtu në Kosovë e kaloj në çështjet e tjera, prandaj është mirë që po i kthehem rrënjëve të mia në ekonomi.

Ngjarja e sotshme paraqet një kapitull të ri në tregimin për zhvillimin ekonomik të Kosovës.  Qysh se kam ardhur, e kam thënë se puna ime në Kosovë do të përqendrohet rreth tri elementeve: në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë rajonale.  Sot po e nisim një projekt, i cili shpresoj se do të ketë ndikim gjigant në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Tregimi për zhvillimin ekonomik të Kosovës ia ka nisur pozitivisht në 2016-tën.  Pak më shumë se tri javë më parë hyri në fuqi Marrëveshja për stabilizim dhe asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, që sinjalizon mundësi të reja për tregti dhe investim për këtë vend.

Po e vazhdojmë këtë tregim sot me lansimin e Fondit kosovar për garanci kreditore.  Ky fond do të ofrojë mundësi të rëndësishme për ta adresuar njërën ndër pengesat kryesore të rritjes së qëndrueshme ekonomike në Kosovë: mungesën e qasjes në financa dhe kredi për bizneset e Kosovës.

Shumë shpesh i kam dëgjuar bujqit dhe pronarët e bizneseve – përfshirë gratë dhe pakicat – duke thënë se qasja në financa adekuate është e vështirë.  Para disa javësh isha në Fakultetin e Bujqësisë ku mora pjesë në lansimin e Qendrës për punësim AGRO – edhe një projekt tjetër i USAID-it – dhe një student atje foli për nevojën për më shumë vende pune për të sapodiplomuarit.

Por, krijimi i vendeve të reja të punës shtytet nga rritja ekonomike dhe përfundimisht, nga aftësia e sektorit privat për të siguruar mjetet e duhura financiare nga bankat.

Presidenti Obama ka thënë: “Ekonomia në SHBA shtytet nga bizneset e vogla dhe të mesme.  Ato krijojnë shumicën e pasurisë në ekonomi dhe shumicën e vendeve të punës”.  Kjo vlen edhe për Kosovën dhe kjo tregon se sa i rëndësishëm është fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ia sigurojnë Kosovës një themel solid ekonomik për prosperitet dhe rritje.

Për këtë arsye ky Fond është e arritur e rëndësishme në zhvillimin e Kosovës.  Fondi do t’i ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për t’i siguruar mjetet kaq të domosdoshme financiare nga institucionet financiare.

Çka është më e rëndësishme, presim që përmes Fondit të shfrytëzohen nja 400 milionë dollarë për rritjen e huave dhe shpresojmë që ai të ndihmojë në çeljen e rreth 20.000 vendeve të reja të punës gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

Kur më shumë njerëz punojnë, familjet dhe komunitetet janë më mirë dhe kjo shton të hyrat nga tatimet në Kosovë.  Dhe përderisa bizneset zgjerohen dhe mundësitë për tregje të zhvillohen, edhe eksportet do të rriten.

Kjo është e vërtetë edhe për bizneset në pronësi të grave.  Këto biznese shpesh kanë vështirësi të mëdha për marrjen e kredive.  Tash për tash, më pak se 10% e bizneseve kosovare udhëhiqen nga gratë ose janë në pronësi të grave dhe vetëm 3% të të gjitha kredive iu jepen grave.  Megjithatë, shumë studime tregojnë se asnjë ekonomi nuk mund ta përmbushë potencialin e vet të plotë pa angazhimin aktiv të grave.  Fondi kosovar për garanci kreditore do të ndihmojë për adresimin e kësaj situate ashtu që më shumë biznese në pronësi të grave të kenë mundësi për t’i siguruar mjetet financiare që iu nevojiten për rritjen e bizneseve të tyre.

Pas disa çasteve do të shohim një video që na tregon se si do të funksionojë ky Fond, por ç’është edhe më e rëndësishme, do të tregojë se si bizneset që kërkojnë financa do të kenë qasje në të.

Ngjarja e sotshme shpreh përkushtimin e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve donatorë të tjerë për vazhdimin e zhvillimit të qëndrueshëm të rritjes së bizneseve dhe punësimit.  Rritja ekonomike nuk është e paevitueshme.  Kërkon shumë ngulshmëri dhe punë të rëndë, e njerëzit që janë në këtë sallë sot janë në mesin e atyre njerëzve që e nxisin këtë gjë në Kosovë.

Lansimi i Fondit kosovar për garanci kreditore është ndihmuar me përkrahjen e fuqishme dhe udhëheqjen e kryeminstrit dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, të cilën e kanë mbështetur hartimin e ligjit.  Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për lidershipin e kreut të Kuvendit dhe kryesuesit të Komisionit Parlamentar për zhvillim ekonomik, të cilët në mënyrë proaktive e kanë shtyrë miratimin e këtij ligji me kohë.  Në fund, dëshiroj të falënderoj guvernatorin e Bankës Qendrore, i cili ka luajtur rol thelbësor në themelimin e fondit dhe është partner i vërtetë për ne.

Kjo përpjekje po ashtu ishte nismë e përbashkët e donatorëve këtu, përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Austrinë dhe Zvicrën.  Është përkushtimi i përbashkët i donatorëve, në partneritet me Qeverinë e Kosovës, që na solli deri këtu.

Kryetari i Kuvendit e përmendi se kjo ka qenë një ndër çështjet kryesore që e ka adresuar në pozitën e tij të re para një viti, gjë që tregon çfarë përpjekjesh janë nevojitur për të ardhur ku jemi sot.  Unë i përmenda disa individë kryesorë, por të gjithë ata kanë pasur ndihmën e dhjetërave e dhjetërave të tjerëve: deputetëve, zyrtarëve të bankave dhe të institucioneve finaciare, zyrtarëve të qeverisë, diplomatëve, punëtorëve të agjencive për zhvillim… e shumë të tjerëve.  Është dashur shumë punë për të ardhur ku jemi sot.  Kjo ka qenë përpjekje e shkëlqyeshme e përbashkët.  E si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta për ta bërë Fondin kosovar për garantimin e kredive realitet, mijëra qytetarë të Kosovës do të përfitojnë në vitet e ardhshme.

Ju faleminderit.