Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes rajonale të Institutit të mbrojtjes për studime të të drejtës ndërkombëtare të organizuar nga E-IMET

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes rajonale të Institutit të mbrojtjes për studime të të drejtës ndërkombëtare të organizuar nga E-IMET, 17 shtator 2018

Mirëmëngjesi të gjithëve. Më vjen shumë mirë që jam këtu për t’ju shprehur mirë se ardhje në këtë trajnim të rëndësishëm. Jam i lumtur që po e shoh këtë grup të larmishëm të njerëzve në sallë. Jo vetëm që po i shoh individë nga ministritë e shumta të Qeverisë së Kosovës, por më kanë thënë që kemi pjesëmarrës nga gjashtë vende. Pra, kjo është shumë mbresëlënëse dhe simbol i fuqishëm i bashkëpunimit rajonal për çështje të sigurisë. Ju faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu.

Mendoj se të gjithë e dimë se është nënvlerësim të thuash që organizimi i një ngjarjeje të këtillë kërkon shumë punë. Për këtë ngjarje të posaçme janë nevojitur muaj të tërë të planifikimit për sigurimin e fondeve, bashkërenditjen e instruktorëve dhe përkthimin e materialeve. Pjesa më e madhe e punës ka rënë mbi shpatullat e z-njës Ardiana Bejta nga Zyra jonë për bashkëpunim të mbrojtjes. Ardiana, ke bërë punë të hatashme për ta mundësuar këtë ngjarje. Të faleminderit shumë për punën tënde të mundimshme.

Mbështetja e institucioneve të mbrojtjes për autoritetet civile është çështje serioze; çështje kjo me të cilën përballen rregullisht të gjitha shtetet e rajonit, si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çështjet e ndërlikuara të mënyrës dhe kohës kur forcat e uniformuara të sigurisë duhet t’i mbështesin qeveritë demokratike duhet të studiohen dhe vlerësohen vazhdimisht.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi rregulla të rrepta që e rregullojnë çështjen e përdorimit të forcave ushtarake brenda kufijve tanë. Shpresoj se gjatë ditëve të ardhshme të këtij kursi, do të keni mundësi të shkëmbeni informata se si kombet tuaja përballen me këto çështje. Po ashtu, shpresoj që do t’i merrni me vete mësimet e mësuara këtu dhe t’i diskutoni ato me politikëbërësit.

Këto ngjarje rajonale ofrojnë një mundësi unike për të nxitur marrëdhëniet në mes të njerëzve që mendojnë njëjtë. Ju lutem, shfrytëzojeni këtë mundësi për ti shkëmbyer kartat e biznesit dhe informatat kontaktuese. Lidhjet që i vini në një forum si ky nuk kanë çmim. Prandaj, shfrytëzojini ato.

Dëshiroj t’i falënderoj edhe disa të tjerë që e kanë mundësuar këtë trajnim.  Forcës së Sigurisë së Kosovës: ju faleminderit për punën kaq të mirë si bashkë-nikoqir i kësaj ngjarjeje. Pjesëmarrësve tanë ndërkombëtarë, ku përfshihet personeli nga Ajova dhe Grupi luftarak shumëkombësh-lindje, ju faleminderit për ardhjen tuaj dhe për përvojën e ekspertizën tuaj. Dhe në fund, një falënderim i madh për instruktorët nga Instituti i Mbrojtjes për studime të të drejtës ndërkombëtare për hartimin e këtij programi kaq të thuktë dhe na vjen shumë mirë që jeni këtu.

Do ta mbylli me këtë sepse tani është koha t’ia fillojmë kursit. Edhe njëherë, mirë se vini! E di se do t’ju pëlqejë të punoni së bashku dhe do të mësoni shumë. Ju faleminderit shumë për praninë tuaj këtu.