Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes për Përgjegjësinë Shoqërore Korporative të ndërmarrjes Coca-Cola, 14 maj 2018
Ju faleminderit!
A keni mësuar diçka në këtë program? Mund ta them që po sepse po ndjehet gjithë kjo energji nga ju. Kjo është e hatashme.
Më vjen shumë mirë që jam këtu. Zëvendës-ministër, nënkryetar i komunës, jam më se i lumtur që jam bashkë me ju këtu. Faleminderit Coca-Cola për ftesën për t’ju bashkuar kësaj feste.
Kam kënaqësinë që jam këtu për t’i mbështetur përpjekjet e ndërmarrjes Coca-Cola në përgjegjësitë shoqërore korporative, që tash e tutje do t’i quaj shkurt PShK. Dëshiroj ta përgëzoj degën e Coca-Colës në Kosovë për ndërmarrjen e një nisme kaq të mirë për të stërvitur një numër kaq të madh të të rinjve. Kjo veprimtari paraqet vazhdim të shkëlqyeshëm të veprimtarive të mëhershme të Coca-Colës në fushën e PShK-së. Shkathtësitë e buta, si vënia e kontakteve janë të rëndësishme kur kërkoni punë dhe e përgëzoj Coca-Colën që po ndihmon në trajtimin e zbraztirave të ndjeshme në shkathtësitë për punë në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i çmojnë shumë dhe në mënyrë aktive i promovojnë veprimtaritë e PShK-së sepse ato nxisin risitë dhe kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme dhe zhvillimin e bashkësive. Veprimtaritë e PShK-së gjithashtu ndihmojnë ndërmarrjet duke ua rritur namin në bashkësitë e tyre dhe duke i lidhur me konsumatorët e tyre.
Ndërmarrjet amerikane veprojnë nëpër botë dhe mund të jenë ambasadore efikase në përfaqësimin e vlerave amerikane. Për këtë arsye, jemi të lumtur që shumë qytetarë amerikanë angazhohen në veprimtaritë e PShK-së. Ato e bëjnë këtë si pjesë e praktikave të tyre të përgjegjshme afariste, që përfshijnë respektimin e sundimit të ligjit, angazhimin në lojë të pastër dhe forcimin e bashkësive lokale përmes investimeve afatgjata. Si rezultat, prodhimet, shërbimet dhe investimet amerikane janë më të kërkuarat nga qeveritë dhe njerëzit anembanë botës.
Ne, në Departamentin e Shtetit e shfaqim mbështetjen tonë për veprimtaritë e PShK-së të ndërmarrjeve amerikane nëpër botë përmes Çmimit të Sekretarit të Shtetit për shkëlqyeshmëri korporative. Ky çmim është në përputhje me qëllimin e qeverisë amerikane për të promovuar praktika të përgjegjshme afariste duke i shtyrë përpara ndërmarrjet që arrijnë standarde të larta. Departamenti i Shtetit e ndan këtë çmim çdo vit për të shprehur mirënjohjen dhe për të promovuar bizneset amerikane si partnerë të përgjegjshëm dhe të besueshëm që ua shtojnë vlerën bashkësive ku ato bëjnë biznes. Coca-Cola e ka fituar këtë çmim dy herë: Coca-Cola nga Filipinet në 2014-tën dhe Coca-Cola në Egjipt në 2002-tën.
Më vjen mirë që po e shoh se përpjekjet e Coca-Colës për t’ia shpaguar të mirat komunitetit kanë sjellë këtë projekt që mbështet komunitetin nëpër tërë Kosovën, që është projekti i parë i tillë këtu. I nxis edhe bizneset e tjera për ta ndjekur shembullin e tyre. Veprimtaritë e PShK-së jo vetëm që mbështesin komunitetet ku këto ndërmarrje veprojnë, por janë të mira edhe për vetë bizneset.
Shpresoj të shoh Coca-Colën si frymëzim për ndërmarrjet e tjera vendore përderisa ajo i vazhdon veprimtaritë e saj të PShK-së që kanë ndikim pozitiv e afatgjatë për komunitetet të cilave iu shërben.
Ju faleminderit.