Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes për nder të Javës së Bibliotekës, 10 prill 2018
Mirëmëngjesi të gjithëve. Kryeministër Haradinaj, Ministër Gashi, Drejtor Gajraku, bibliotekarë, kam kënaqësinë që jam sërish këtu për ta çelur edicionin e 16-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Bibliotekat dhe më me rëndësi, personeli i stërvitur i tyre janë gurthemel i komunitetit dhe thelbësore për edukimin e qytetarëve të Kosovës – të rinjve e të vjetërve. Bibliotekat iu ndihmojnë studentëve ta përditësojnë mësimnxënien e tyre dhe i mbështetin mësimdhënësit dhe pjesëtarët e tjerë gjatë mësimdhënies dhe hulumtimeve të tyre. Për këtë arsye i kemi mbështetur veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit më 2003.
Këtë vit, ambasada jonë është krenare që mirëpret Dr. Robert Montojën nga Universiteti i Indianës, Blumington, i cili do të flasë për edukimin dhe trajnimin në biblotekari dhe shkencë informative. Dr. Montoja sapo e ka përfunduar prezentimin e parë me bibliotekarët tuaj dhe mendoj se kjo ishte mënyrë e shkëlqyeshme për t’ia nisur veprimtarive të kësaj Jave. Dr. Montoja, ju faleminderit që jeni këtu me ne.
Bibliotekat në Kosovë përballen me shumë sfida, kryeministri sapo i përmendi disa prej sfidave infrastrukturore të ndërtesës ku jemi. Sfidat e tjera përfshijnë mungesën e pajisjeve bashkëkohore dhe fondeve të pamjaftueshme për burime të reja. Por, bibliotekat në Kosovë nuk janë të vetmet që përballen me probleme të tilla sepse, për fat të keq, shumë biblioteka nëpër botë përballen me to. Megjithatë, me burimet e duhura njerëzore mund të bëhet shumëçka. Bibliotekarët e talentuar me edukimin dhe qasjen e duhur mund ta tejkalojnë mungesën e pajisjeve dhe sistemeve të reja.
Kjo është arsyeja përse tema e Javës së Bibliotekës të këtij viti është zhvillimi i kurrikulës. Zhvillimi i kurrikulës bazë për shkencën e bibliotekarisë dhe trajnimi i mëtejmë i bibliotekarëve dhe edukatorëve të ri të Kosovës është thelbësor për tu siguruar që bibliotekarët i kanë shkathtësitë e domosdoshme për t’i shërbyer publikut. Më vjen mirë që po e shoh kryeministrin duke folur për këtë çështje sepse kjo tregon se qeveria e Kosovës e kupton se edukimi i mirë është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.
I kam vizituar disa biblioteka publike në Kosovë dhe mund t’ju them se bibliotekarët që i kam takuar, bashkë me shumë edukatorë kosovarë, janë plot pasion për punën e tyre. Atyre ju duhen mbështetje dhe investime më të mëdha që t’i ndihmojnë gjeneratës së ardhshme për të çbllokuar të gjitha gjërat e mahnitshme që e dimë se mund të gjenden brenda një biblioteke: ide të reja, qasje në informata, si dhe aftësia për ta parë botën në mënyra të reja përmes leximit.
Shpresoj që kjo javë paraqet pikënisje shumë të mirë për Bibliotekën Kombëtare dhe për bibliotekat anembanë vendit për fillimin e një sistemi trajnues të qëndrueshëm dhe afatgjatë për bibliotekari për të gjithë në Kosovë. Ky lloj i ndryshimit kërkon vite të tëra të punës, por e dimë se ia vlen. Fundja, nuk mund të kryesh një punë pa ia filluar fare. Besoj se bibliotekat luajnë rol të rëndësishëm në edukimin dhe përgatitjen e fëmijëve për sifdat dhe kënaqësitë e jetës, si dhe do të luajnë rol thelbësor në përmirësimin e sistemin të arsimit të Kosovës përderisa vendi i afrohet BE-së.
Dëshiroj ta falënderoj Bibliotekën Kombëtare për përpilimin e një agjende shumë të mirë të veprimtarive për këtë javë, si dhe të gjithë punonjësit e bibliotekave dhe institucionet për mbështetjen e kësaj jave nëpër tërë Kosovën.
Ju dëshiroj shumë suksese!