Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes “Gratë në punë online” të Bankës Botërore

Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes “Gratë në punë online” të Bankës Botërore, 27 shkurt 2017

 

Mirëdita.  Ju faleminderit shumë.  Z. kryeministër, zëvendës-ministre, kolegë nga kori diplomatik, pjesëmarrës në programin WOW.

Jam me të vërtetë i lumtur që jam sot këtu për ta shprehur mirënjohjen tonë për këtë program nismëtar dhe më duhet të them se WOW është emër i shkëlqyeshëm për një program kaq të suksesshëm si ky!

Nuk ndodh shpesh që të marr pjesë në festimin e një suksesi të pazbutur prandaj e çmoj mundësinë për të qenë këtu dhe për të ndihmuar që ta shprehim mirënjohjen tonë për të.

Zyrtarisht, kjo ngjarje paraqet përmbylljen e pilot-projektit përmes së cilit janë stërvitur 160 gra nga pesë komuna në shkathtësi për punë online.

Por më e mira është se të gjithë e dimë që dita e sotshme nuk paraqet fundin e asgjëje sepse projekti i jashtëzakonshëm dhe inovativ që Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës e kanë përpiluar së bashku paraqet vetëm fillimin.

Për shkak të suksesit tuaj, kolegët e mi nga USAID-i në partneritet me Qeverinë e Kosovës kanë çelur fazën e re të kësaj ndërmarrjeje në Gjilan për të prekur edhe më shumë gra me premtimin për mundësi ekonomike, pavarësi dhe shkathtësi konkuruese në një treg pune që ndryshon vazhdimisht.

Sigurisht që duhet të vë në pah se kemi rezultate të shkëlqyeshme të punës bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në çështjet e fuqizimit të grave dhe në nder të kësaj, sot e kam vënë shenjën që e kam marrë nga projekti ynë i vitit të kaluar Vazjat në TIK.

Prej zhvillimit të uebfaqeve, dizajnit grafik e deri te marketingu digjital dhe shumë gjërave të tjera, ky program iu hap shtigje të reja për studim dhe punësim grave në Kosovë.  Madje, e bën këtë në fusha që vazhdimisht po rriten, gjithnjë po ndryshojnë dhe gjithmonë janë plot me mundësi për të gjithë ata njerëz që i shfrytëzojnë rastet dhe iu përgjigjen sfidave.

E përgëzoj Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që i është përkushtuar çështjes së avancimit të grave në fushat e teknologjisë informative dhe që e mori përsipër përkrahjen e këtij programi.  Kjo gjë sjell ndryshim të njëmendtë në jetën e përditshme të njerëzve.

Siç e dini, shpesh kam folur për përfitimet e një shoqërie të cilat e kanë prioritet fuqizimim ekonomik të grave.  Dëshmia për këtë nga e tërë bota tregon qartazi se pjesëmarrja më e madhe e grave në ekonominë e një vendi sjell begati dhe stabilitet më të madh.

Natyrisht, e dimë se shkalla e pjesëmarrjes së grave në ekonomi në Kosovë ende është shumë e ultë dhe që ato përballen me shpërputhje në pagesë dhe se nganjëherë veçohen dhe nuk mund të bëjnë karrierë në një fushë apo sektor të caktuar.

Por, ndoshta çka është edhe më me rëndësi, të rejat kosovare duhet ta dinë se asnjë profesion nuk është i pamundur për to, pa marrë parasysh se çka ëndërrojnë ato – përfshirë edhe që të bëhen gjiganti i ardhshëm i internetit.

Asnjë program i vetëm nuk mund t’i trajtojë të gjitha sfidat, por nismat si WOW janë thelbësore.  Ato ofrojnë trajnim për shkathtësi të njëmendta në një sektor në lulëzim e sipër që jep kaq shumë mundësi për rritje të mëtejmë, duke i fuqizuar gratë për t’i gjetur vetë mundësitë e tyre, për të bërë karrierë në një sektor që çmon inovacionin dhe kreativitetin, në një treg pune që shkon përtej kufijve dhe që iu hap mundësitë të reja.

Dëshiroj t’i uroj gjithë ato gra që kanë marrë pjesë në këtë program.  S’është lehtë ta ngresh dorën dhe të mësosh diçka të re, diçka të panjohur.  Më lanë mbresa të thella rrëfimet që i dëgjuam në fillim të programit.  Ato rrëfime njëmend ishin frymëzuese dhe shpresoj që të dëgjoj rrëfime të ngjashme edhe nga pjesëmarrëset e ardhshme të programit WOW.

Suksesi juaj jo vetëm që ju fuqizon, por jep shembuj të fuqishëm se çka mund të arrijnë gratë në fushat e teknologjisë informative dhe kompjuterike.  Ju po iu tregoni të rejave anembanë Kosovës se gjithçka është e mundshme, se çdo sektor dhe shteg është i hapur për to.

Pranoni falënderimet e mia dhe admirimin tim.

E nga ana jonë, do të vazhdojmë të punojmë me mund për t’i ndihmuar gratë dhe vajzat në Kosovë që të përpiqen për të bërë karrierë në fushat e teknologjisë informative dhe kompjuterike, përmes fazës së ardhshme të nismës WOW me USAID-in, si dhe kudo që inovacionet dhe idetë e mira të na çojnë.

Ju faleminderit shumë.