Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ngjarjes “Amerika me Kosovën,” 24 prill 2018
Ju faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot këtu. Veçanërisht dëshiroj të falënderoj drejtorin e drejtorisë së arsimit Maloku, drejtorin e shkollës Vishaj dhe natyrisht të gjithë drejtorët e shkollave, mysafirët, miqtë e nxënësit. Në veçanti dëshiroj të falënderoj Njësitin për mbështetje civile-ushtarake nga ambasada jonë, që e ka bashkërenditur këtë ngjarje.
Me të vërtetë kënaqem kur vij në ngjarjet “Amerika me Kosovën” për të parë të rinj si ju. Ndërveprimi me të rinjtë e Kosovës më përtërin energjitë dhe shpresën se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritur.
Në këto ngjarje shpesh flas për heronj frymëzues nga e kaluara si Martin Luther Kingu i Riu, i cili 50 vjet më parë i priu lëvizjes për të drejtat civile në SHBA. Por sot, dëshiroj të flas për një heroinë të re amerikane, për të cilën ndoshta nuk keni dëgjuar ende. Të martën e kaluar, kapitenja Tammie Jo Shults ishte duke drejtuar një aeroplan udhëtarësh kur njëri motor shpërtheu në ajër, duke hapur një vrimë në aeroplan dhe duke rrezikuar jetën e të gjithëve. Kapitenja Shults ishte e matur dhe i qetësoi udhëtarët gjatë tërë përvojës tronditëse përderisa aeroplani po binte mijëra metra poshtë me shpejtësi. Edhe pse një person humbi jetën tragjikisht në këtë incident, ishte e mahnitshme se si Shults dhe bashkëpilotja e saj arritën ta drejtonin aeroplanin deri në aterrim të sigurtë emergjent.
Shumë udhëtarë në aeroplan dhe zyrtarët e kontrollit të trafikut ajror që folën me Shults-in e lavdëruan përqendrimin e saj të pabesueshëm nën presion dhe në rrethana shumë të rrezikshme. Duke lexuar për jetën e saj, më ranë në sy disa gjëra. Para se të punonte në industrinë e aviacionit komercial, kapitenja Shults ishte ndër femrat e para pilote të avionëve luftarakë në Forcat detare të SHBA-së. Dashuria e saj për të fluturuar datonte qysh nga fëmijëria.
Si nxënëse e shkollës së mesme, ajo kishte shkuar në një panair pak a shumë si ky, ku kishte folur me një ligjërues për aviacionin, i cili e kishte pyetur mos kishte humbur sepse ishte e vetmja femër aty. Ai pastaj i tha që gratë thjeshtë nuk mund të bëheshin pilote. Kapitenja Shults nuk kishte lejuar që paragjykimet e këtij personi ta shkurajonin.
Si grua, ajo ishte përballur me shumë vështirësi në përpjekje për tu bërë pilote ushtarake. Nuk kishte mundur t’i bashkohej Forcave Ajrore dhe pasi e kishte kaluar provimin pranues për aviacion për Forcat Detare, ishte nevojitur një vit derisa më në fund e kishte gjetur dikë të gatshëm për ta shqyrtuar aplikacionin e saj. Përkundër gjithë këtyre vështirësive, ajo kishte pasur karrierë të suksesshme në Forcat Detare, ishte bërë pilote profesioniste dhe javën e shkuarajo shpëtoi 150 jetë me shkathtësinë dhe guximin e saj.
Po ju rrëfej për jetën e kapitenes Shults sepse ajo më ka frymëzuar këtë javë dhe shpresoj që rrëfimi i saj t’ju frymëzojë edhe juve. Përderisa po i afroheni përfundimit të vitit të fundit në shkollë të mesme dhe po përgatiteni për të ecur në fazën e ardhshme të jetës suaj, do të ketë shumë njerëz që do t’ju japin udhëzime. Shumë prej tyre do t’ju japin këshilla të mira, por do të ketë të tillë që do t’ju thonë se nuk mund të bëni diçka sepse jeni femër, se jeni shumë e re, se vini nga një zonë e caktuar ose sepse askush nga familja juaj s’e ka bërë një gjë të tillë më herët. Për fat të keq, madje ka edhe forca që do t’ju shtyjnë drejt veprimtarive kriminale apo ekstremizmit fetar. Mos i dëgjoni të tillët!
Ju jeni e ardhmja e Kosovës dhe kjo e ardhme është e ndritshme. Jini krenarë për atë që Kosova e ka arritur për dhjetë vjet prej shpalljes së pavarësisë dhe ta dini se vendi juaj llogarit në juve për tu bërë prijësit e ardhshëm të nevojshëm për tu siguruar që Kosova të ecë në shtegun e duhur. Bëhuni si kapitenja Shults dhe mos i dëgjoni njerëzit që ju thonë se nuk mund të bëni diçka për shkak se diç e tillë s’është bërë më herët apo sepse është e vështirë.
Programi “Amerika me Kosovën” ka bashkuar zyrtarë nga ambasada amerikane, përfaqësuesë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, OJQ-ve dhe të qeverisë së Kosovës. Ata janë këtu për juve! Mos u ngutni, shtrojuni pyetje dhe merrni vesh çfarë burimesh i keni në dispozicion dhe si mund t’ju ndihmojnë përderisa kaloni në fazën e ardhshme të jetës suaj.
Besoj se në këtë sallë ka të rinj me vendosmërinë dhe potencialin e kapitenes Shults. Jemi këtu për t’ju ndihmuar që të keni sukses. Mirëpres vazhdimin e partneritetin dhe bashkëpunimit me nxënës si ju nëpër tërë Kosovën.
Ju faleminderit!