Fjala e ambasadorit Delawie gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes Agjencisë suedeze për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe Fondit kosovar për garanci kreditore, 6 dhjetor 2017
Mirëmëngjesi të gjithëve.
I ngarkuar me detyrë Wollter, ministër Hasani, zëvendësministër Gashi, z. Berisha, kolegë nga trupa diplomatike. Jam shumë i lumtur që jam këtu bashkë me partnerët tanë për të shënuar këtë të arritur të rëndësishme të Fondit kosovar për garanci kreditore.
Sot, Fondi po merr përkrahje të madhe nga miqtë tanë prej Agjencisë suedeze për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, të cilët do të nënshkruajnë garanci deri në 10 milionë euro për huatë e FKGK-së. Ky është kontribut thelbësor që do të ndihmojë për të siguruar qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e Fondit. Suedia ka qenë mbështetëse e hershme e FKGK-së dhe z. Wollter, ju faleminderit që sot po e rikonfirmoni atë mbështetje.
Nuk duket që ka kaluar shumë kohë, por në fakt ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë kur ne, Qeveria e Kosovës dhe Banka Qendrore u mblodhëm për ta shënuar fillimin e punës së FKGK-së, përmes së cilit çeleshin mundësi të reja për kreditimin e bizneseve të vogla anembanë Kosovës, si dhe për ta mënjanuar njërin ndër pengesat më këmbëngulëse dhe të pathyeshme për rritjen e tyre – mungesën e qasjes në kredi.
Atëherë patëm folur për aspiratat tona jashtëzakonisht të larta për këtë projekt dhe ka qenë e mrekullueshme të shohim suksesin e tij të hershëm gjatë vitit të shkuar. Prej shtatorit të 2016-ës, Fondi ka shpërndarë 677 hua me gjithsej 26 milionë euro. Tashmë 90% e sektorit bankar të Kosovës merr pjesë në të, që është e pabesueshme. Për më tepër, një e treta e huave iu janë ndarë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në sektorët kyçë si prodhimtari dhe bujqësi, duke nxitur prodhimtarinë dhe vendet e punës.
Të dhënat nëpër tërë botën na tregojnë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë gjeneratorë të mëdhenj të vendeve të punës. E mundësitë për punësim në Kosovë janë jetikë për ekonominë dhe popullin e saj.
Kjo është ajo çka e bën Fondin më shumë se veç përmbledhje të pjesëve të tij sepse Fondi jo vetëm stimulon huadhënien dhe nxit rritjen e bizneseve individuale, por shtyn përpara industritë dhe po kontribuon në zhvendosjen strukturore të ekonomisë kosovare prej asaj konsumuese në prodhuese dhe eksportuese, duke krijuar vende tregje të reja për mallrat e Kosovës dhe hapësira të reja të mundësive ekonomike për qytetarët kosovarë.
Sepse sa më shumë kredi ka në dispozicion, aq më shumë mundësi për ata që tradicionalisht nuk marrin shërbime të mjaftueshme – e siç ndodh zakonisht, kjo në veçanti vlen për gratë. Më pak se 10% të bizneseve të Kosovës udhëheqen ose janë në pronësi të grave dhe vetëm 3% e të gjitha huave iu shkojnë grave. Kjo duhet të ndryshojë! Ne po bëjmë çka mundemi për të ndihmuar qasjen në hua, duke hequr njërën ndër pengesat më të mëdha që gratë të marrin vendin e tyre në sektorin privat të Kosovës.
Në fund të fundit, kjo çështje ka të bëjë me gjithëpërfshirjen në fushën financiare dhe siç ka thënë ekonomisti dhe Ministri i Financave i Indonezisë, Mulyani Indrawati: “Gjithëpërfshirja financiare ka rëndësi jo vetëm sepse promovon rritjen, por edhe sepse ndihmon për të siguruar që begatia të përhapet anembanë. Qasja në shërbime financiare luan rol thelbësor për t’i nxjerrë njerëzti nga varfëria, në fuqizimin e grave dhe i ndihmon qeveritë për të ofruar shërbimet e duhura njerëzve”.
E tërë kjo përpjekje ka filluar si nismë bashkëpunimi nga ana e komunitetit të donatorëve dhe ky partneritet mbetet i fuqishëm. Në fakt, sot në mëngjes Banka gjermane për zhvillim, KfW, ka nënshkruar marrëveshje për zotimin e 7 milionë euro për kapitalizimin e Fondit – edhe një kontribut tjetër i vlefshëm. Së bashku me bashkëdonatorët, Bankën Qendrore të Kosovës dhe partnerët tanë në qeveri, po punojmë së bashku për ta nxitur sektorin privat të Kosovës.
Për çdo ditë në Kosovë takoj ndërmarrës dhe pronarë biznesesh të ri, të cilët vetëm duan t’i kenë gjasat e barabarta dhe atë përkrahjen e parë kritike për t’i nxitur tutje. Sot, me kontributet nga Suedia dhe Gjermania, do të realizohen shumë ndërmarrje të reja. Është ditë e bukur për Fondin kosovar për garanci kreditore dhe për të gjithë ata që duan të lënë shenjën e tyre në ekonominë kosovare dhe ju garantoj se këto nuk janë pallavra.
Ju falenderoj të gjithëve që jeni këtu dhe shpresoj që do të shohim edhe më shumë ditë të mira për bizneset e vogla dhe ndërmarrësit e Kosovës.