Fjala e ambasadorit Delawie gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet kompanisë AM General dhe Qeverisë së Kosovës

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet kompanisë AM General dhe Qeverisë së Kosovës në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, 17 korrik 2018

Më vjen shumë mirë që po ju shoh këtu.

Kryeministër, ministra, z. Platt, pjesëtarë të FSK-së, gjeneral Rama, gjeneral Cuoci, ushtarë të KFOR-it, miq e kolegë të nderuar. Më vjen shumë mirë që jam këtu për të kremtuar nënshkrimin e kontratës ndërmjes FSK-së dhe ndërmarrjes AM General.

Humvee (Hamvi) ka histori të gjatë e krenare në shërbim të forcave amerikane dhe të NATO-s. Ky automjet është në shërbim rreth 30 vjet dhe është bërë simbol i pandashëm i forcave tokësore amerikane. E përkundër vjetërsisë, përparimet teknologjike kanë bërë që të jetë ndër automjetet më të mira taktike në botë. Më vjen shumë mirë që Forca e Sigurisë së Kosovës e ka përzgjedhur Humvee-n bashkëkohor si automjetin e vet të të ardhmes.

Por, më shumë se veç automjetet, kjo kontratë i dërgon shenjë të qartë botës se Kosova mëton ta çojë deri në fund integrimin evroatlantik në të gjitha mënyrat. Kjo blerje do ta forcojë partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojë në arritjen e ndërveprueshmërisë në mes të forcave ushtarake amerikane, NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përveç kësaj, Humvee është automjet që do t’i ofrojë shërbim të paçmueshëm FSK-së tash dhe në të ardhmen. Jemi krenarë që po e mëtojmë këtë të ardhme bashkërisht.

Dëshiroj ta përgëzoj Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për përzgjedhjen e këtij automjeti të shkëlqyeshëm përmes një procesi të hapur dhe transparent. Po ashtu, dëshiroj ta uroj AM General për suksesin e tyre. Sot fituesë janë qytetarët e Kosovës, si edhe punonjësit e AM General.

Jemi të ngazëllyer që jemi pjesë e kësaj ere të re të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presim me padurim ta shohim dërgesën e parë të Humvee-ve gjatë këtij viti dhe që të shfrytëzohen për bartjen e atyre që iu shërbejnë qytetarëve të këtij vendi të madh.

Edhe njëherë, urime! Ju faleminderit shumë!