Fjala e ambasadorit Delawie gjatë Mbrëmjes poetike me Gregori Pardlo, 15 maj 2017
Mirëmbrëma të gjithëve dhe ju faleminderit që jeni bashkë me ne sonte. Së pari, dëshiroj ta falënderoj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si nikoqirë të mrekullueshëm për këtë ngjarje. Dëshiron ta falënderoj edhe Jetonin dhe Qendrën Multimedia për nismën e tyre për ta sjellë Gregun në Kosovë për Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Prishtinë. Jemi krenarë që e mbështesim këtë festival të madh që bashkon kaq shumë shkrimtarë të mëdhenj nga rajoni dhe natyrisht jemi të nderuar që një shkrimtar amerikan i talentuar dhe të pëlqyer nga kritika që merr pjesë në festival.
Shumë vepra të Gregut janë emblematike të kulturës sonë amerikane. Veprat e tij bazohen në historinë e përbashkët po aq sa edhe në identitetin e tij individual. Ato hijezojnë llojshmërinë tonë – raciale, etnike dhe gjeografike – e në të njëjtën kohë mbështeten në dy prej pyetjeve më themelore me të cilat përballemi të gjithë: “Kush jemi?” dhe “Ku shkojmë prej këtu”?
Mendoj se kjo është temë më se e rëndësishme për një shtet shumetnik si ShBA-ja dhe sikurse Kosova. Identiteti i Kosovës ka evoluar nëpër gjenerata të historisë së ndërlikuar. Sot, ky është një identitet që i përqafon të gjitha etnitë, bashkësitë dhe kulturat që jetojnë në Kosovë. E unë shpresoj se do të vazhdojmë ta shohim këtë identitet duke u zhvilluar dhe rritur. E kam parë se Gregu e ka përmendur në intervista se ndjehet shumë krenar për këtë mundësi dhe përgjegjësi për ta ndarë zërin dhe identitetin e tij unik me të tjerët. Shpresoj se më shumë autorë, artistë e akademikë do ta përqafojnë të njëjtën përgjegjësi, sepse të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh prapavijën tuaj apo “rrëfimin origjinal” e kanë mundësinë të kontribuojnë dhe ta formojnë identitetin dhe të ardhmen e vendit tuaj.
Fazli dhe Jeton, ju faleminderit për bashkërenditjen e programit të sontëm. Greg, të faleminderit që po ndan copën tënde të identitetit amerikan me ne sonte.
Ju faleminderit shumë të gjithëve!