Fjala e ambasadorit Delawie gjatë lansimit të ndërmarrjes Trekandi, 26 shtator 2017
Mirëmbrëma dhe mirë se vini. Jam tepër i lumtur që jam pjesë e festës së sotshme dhe që po ndihmoj në prezantimin e Trekandit si anëtar i ri i vlefshëm i ekonomisë në rritje digjitale të Kosovës.
Vetëm shtatë muaj më parë, në zyrat e Gjirafës festuam nisjen e punës së laboratorit të Gjirafës duke i besuar një ndërmarrjeje të re inovative për identifikimin dhe ngjizjen e kompanive premtuese të teknologjisë këtu në Kosovë.
Gjatë asaj ngjarje e vura në pah se Mërgimi dhe ekipi i tij ishin pjesë e një cikli virtuoz në Kosovë – të krijimit të vendeve të punës dhe të nxitjes së rritjes dhe investimit në ndërmarrjet e tjera të reja që edhe ato ta bëjnë të njëjtën gjë. Sonte po e shohim shpagimin e parë të atij investimi premtues.
Shumë herë kam folur sa emocionuese është takimi me ndërmarrës në Kosovë, si dhe të shohësh gjithë atë energji dhe talent duke u shkrirë në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës. E çdo herë që ndodh kjo, më ripërtërihet bindja se jemi në rrugë të mbarë. Më jep energji përderisa përballemi me sfidat para vetes – dhe kjo energji ndërmarrësore është arsyeja pse jemi sot këtu.
Trekandi dhe themeluesi e punonjësit e tij tash hyjnë në shoqërinë e shumë ndërmarrjeve tjera që po ia shtojnë vlerën ekonomisë kosovare dhe po iu ofrojnë shërbime të reja konsumatorëve, duke kërkuar qasje të reja për rritjen e ekonomisë. E pikërisht kjo nënkupton ndërmarrësinë – të shohësh një mundësi para se ajo të bëhet e dukshme dhe të kesh vizionin dhe guximin e njëmendtë për të bërë diçka lidhur me të.
Mora vesh se ndër të tjera, Trekandi do t’iu ndihmojë konsumatorëve të fitojnë qasje online në shërbime financiare, siç janë huatë me kushte transparente, si dhe për t’iu ndihmuar bankave në identifikimin e klientëve të mundshëm. Kjo i ndihmon shumë konsumatorëve dhe ekonomisë së Kosovës – duke lehtësuar qasjen në financa dhe kredi, duke promovuar transparencën dhe duke përfshirë konkurrueshmërinë në proces ashtu që konsumatorët të mund të zgjedhin vetë kushtet më të mira.
Transparence, konkurrueshmëria dhe qasja në financa – këto janë elemente të pazëvendësueshmë në çdo ekonomi që lulëzon dhe të gjitha demonstrohen me shërbimet e kësaj kompanie të re.
Në fakt, vetë procesi i përzgjedhjes nga ana e laboratorit të Gjirafës është shumë transparent dhe shumë konkurrues – duke nxitur jo vetëm kompanitë e reja të teknologjisë, por edhe nocionin se meritat e njëmendta – e jo lidhjet shumë të mira – mund të jenë çelës i suksesit në Kosovë.
Tepër shpesh, gjatë udhëtimeve nëpër Kosovë më thonë se të rinjtë brengosen se vendet e mira të punës dhe mundësitë e mira janë të pakapshme për ta, të bllokuara nga rrjetet e rrënjosura të pushtetit dhe të ruajtura për disa të privilegjuar.
Nuk ka përgjigje të thjeshtë për çbllokimin e këtyre mundësive, por sa herë që meritat fitojnë, atëherë krijojmë hapësira të vogla të shpresës për të rinjtë anembanë Kosovës që janë duke mbruajtur ndonjë ide të re ose që ëndërrojnë se çka mund t’i kontribuojnë dikur këtij vendi të bukur.
Kjo kompani ka edhe një aspekt tjetër të posaçëm. Nganjëherë vajtojmë se shumë prej më të mirëve dhe më të mençurve të Kosovës po ikin jashtë vendit. Por, Jetmir, ti je shembull i mrekullueshëm i fenomenit të kundërt – i kosovarëve të ri e të talentuar që kthehen në shtëpi për t’ia kushtuar zgjuarsinë dhe energjinë e tyre të ardhmes së vendit. Më vjen shumë mirë që të kemi këtu.
Para se ta përfundoj, dëshiroj të përmendi një pjesë të një interviste që Steve Jobs e ka dhënë para më shumë se 20 vjetëve, kur ishte në një pikë të ultë të karrierës së tij, përpara kthimit triumfues në Apple dhe para shpikjes së gjithë atyre prodhimeve që kurrë s’i kemi paramenduar e pa të cilat s’mund të jetojmë tash. Në pyetjen se a ka ende aq besim në aftësitë e teknologjisë për t’i fuqizuar njerëzit siç ka pasur në fillim kur ia ka nisur punës, ai është përgjigjur se “Nuk është besimi në teknologji. Është besimi në njerëz”. Ai ka thënë se është me rëndësi të kemi besim që njerëzit “në thelb janë të mirë dhe të mençur dhe po t’ua japim mjetet e duhura, ata do të bëjnë mrekullira me to”.
Prandaj, sonte dëshiroj ta falënderoj Gjirafën që ofron mjetet që do t’i fuqizojnë gjërat e reja e të mrekullueshme nëpër tërë Kosovën. Jetmirit i urojmë mirëseardhje në shtëpi dhe të lumtë. Jemi krenarë me ty dhe kemi besim në suksesin tënd dhe të ekipit tënd.
Urime dhe kalofshi mirë në këtë mbrëmje festive.