Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës vjetore të prokurorëve

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, 27 janar 2018

Ministër i Drejtësisë Tahiri, kryeprokuror i shtetit Lumezi, kryesues i Këshillit Prokurorial Isufaj, kryetar i Gjykatës Supreme Peci, kolegë nga kori diplomatik, anëtarë të shoqërisë civile, mysafirë të nderuar, si dhe më të rëndësishmit, prokurorë.

Ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot. E mirëpres këtë konferencë të përvitshme si forum të rëndësishëm që ua mundëson t’i diskutoni sfidat me të cilat përballeni dhe të kërkoni zgjidhje e përmirësim të tyre. Mendoj se është tepër e vlefshme që të gjithë prokurorët të jenë në të njëjtën sallë për të shkëmbyer ide dhe për këtë arsye, ambasada amerikane dhe Departamenti i Drejtësisë janë krenarë që e sponzorizojnë dhe mbështesin këtë ngjarje për të katërtin vit me radhë. Ngjarja e këtij viti është posaçërisht e rëndësishme sepse për herë të parë në të marrin pjesë prokurorët dhe personelin mbështetës nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Sigurisht, dua ta shfrytëzoj rastin dhe t’ju uroj mirëseardhje 21 prokurorëve të ri që e dhanë betimin para disa ditëve. Presim shumë prej jush dhe ju nxisim t’i përkushtoheni integritetit dhe ta bëni punën tuaj në forcimin e sektorit të sundimit të ligjit të Kosovës dhe luftës kundër korrupsionit.

Siç e dini, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetës i spikatur i sundimit të ligjit. Dy prej prioriteteve të mia kryesore janë ta ndihmojmë Kosovën për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Fuqimisht besoj se një sundim i ligjit i fortë dhe institucionet të pavarura të drejtësisë që promovojnë paanshmërinë dhe transparencën janë thelbësore për përparimin e vendit tuaj.

Mendoj se është me rëndësi t’i rikujtoni disa prej të arriturave të vitit të shkuar.

Së pari, dëshiroj ta theksoj zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes së arritur në dialog për sistemin e drejtësisë për integrimin e prokurorëve dhe personelit në sistemin prokurorial të Kosovës. Kjo është e arritur më se e rëndësishme për shtrirjen e drejtësisë te të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ju përgëzoj për përpjekjet tuaja të palodhshme për ta mundësuar këtë. Për fat të keq, tashmë po sfidoheni me presionin dhe vëzhgimin e thuktë që vjen nga rasti i profilit të lartë dhe tragjik i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.  Është thelbësore që ta hetoni këtë rast me profesionalizëm të plotë, përkundër sfidave.

Po ashtu, më mahnit suksesi i arritur në zvogëlimin e numrit të lëndëve në pritje. Një sistem efikas do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve dhe perceptimin më pozitiv të performancës suaj, si dhe ua mundëson të përqendroheni në raste më të ndërlikuara dhe që kërkojnë më shumë vëmendje. E përgëzoj KPK-në dhe kryeprokurorin e shtetit për përpjekjet për përmirësimin e efikasitetit dhe për krijimin e kulturës së llogaridhënies. Por, duhet po ashtu të mbani në mend se zvogëlimi i numrit të lëndëve në vetvete nuk mjafton. Mënyra se si zgjidhen këto raste është po aq e rëndësishme dhe ju nxis t’i vazhdoni përpjekjet për të siguruar që efikasiteti dyzohet me drejtësi domethënëse për qytetarët e Kosovës.

Në fund, jam shumë i kënaqur me zbatimin e Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit dhe qasjen proaktive të mbrojtësve të viktimave për t’i ndihmuar viktimat për tu kompensuar. Po ashtu, më inkurajojnë hapat e ndërmarrë për caktimin e prokurorëve për rastet e dhunës në familje në çdo rajon. Keni vënë themelin për trajtimin e dhunës në familje më fuqimisht dhe shpresoj që do ta vazhdoni këtë me punën e domosdoshme për ta bërë atë plotësisht operacionale. Jam krenar që kemi mundur t’ju ndihmojmë.

Këta janë hapa të vendosur në drejtim të duhur dhe ju nxis të gjithëve ta vazhdoni atë përparim në 2018-tën.

Por, ka pasur edhe zhgënjime. Nuk jam i vetmi që e them se rezultatet në luftimin kundër korrupsionit nuk lënë përshtypje. Qasjes së Kosovës ndaj këtij problemi endemik i ka munguar urgjenca dhe rezultatet. Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e sundimit të ligjit po e marrin seriozisht nevojën për ta luftuar korrupsionin. Duhet ta ndryshoni këtë! Duhet të ndërmerrni veprim të prerë kundër korrupsionit! Ju i prini kësaj lufte dhe sytë e kosovarëve janë në ju.

Korrupsioni minon demokracinë, ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe lehtëson pabarazinë sociale. Në këto mënyra, e ardhmja e Kosovës është drejtpërdrejt e lidhur me gatishmërinë e saj dhe rezultatet në luftimin e korrupsionit. Ju nxis të gjithëve që këtë vit të bëni krejt çka mundeni për t’i ndjekur rastet e korrupsionit me përkushtim dhe profesionalizëm të paluhatshëm.

Po ashtu, shpresoj që Këshilli Prokurorial i Kosovës do të bashkëpunojë më mirë me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm dhe me vëmendje do t’i shqyrtojë gjetjet për keqpërdorim të mundshëm të buxhetit. Çështja e pensioneve të veteranëve të luftës duhet të adresohet dhe të eliminohet korrupsioni endemik brenda atyre listave. Kjo vazhdon të jetë ndër elementet më kundërthënëse të buxhetit vjetor të Kosovës dhe i shterr burimet që Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes t’i humbasë kot.

Kosova e ka kaluar vitin e shkuar duke e përgatitur një ligj që do të përmirësonte disiplinën dhe llogaridhënien brenda sektorit të drejtësisë. Miratimi i Ligjit për sjellje disiplinore dhe reformat përcjellëse përbën hap kritik drejt sigurimit të kontrollit të dyanshëm të pushtetit dhe llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës. Vendosja e disiplinës dhe llogaridhënies për personelin e gjyqësorit është hap i rëndësishëm për t’i bindur qytetarët se mund t’i besojnë atij sistemi. Iu bëj thirrje deputetëve ta shqyrtojnë këtë ligj kur të paraqitet në Kuvend, t’i japin prioritet dhe ta miratojnë sa më shpejt që munden.

Është e pamundshme për çdonjërin nga ne të interesuar në sundimin e ligjit për t’i lënë anash përpjekjet e kohëve të fundit të figurave të larta politike për ta minuar sundimin e ligjit dhe për të promovuar pandëshkueshmërinë në Kosovë duke e shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.  Të gjithë që brengosen për të ardhmen e Kosovës dhe për parimin fundamental demokratik të barazisë para ligjit duhet t’i kundërshtojnë ato përpjekje, siç i kundërshtoj edhe unë.

Shpresoj se do ta shfrytëzoni këtë konferencë në mënyrë produktimve për të diskutuar për brengat dhe sfidat më të spikatura dhe të nxjerrni sygjerime konkrete për përmirësim në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.  Ambasada amerikane do të vazhdojë t’ju ndihmojë në këto përpjekje dhe shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me je.

Suksesi i të ardhmes së Kosovës është në duart tuaja.

Ju faleminderit shumë.