Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës “Përmirësimet dhe sfidat e gjyqësorit të Kosovë dhe propozimet për zgjidhje”, 2 dhjetor 2017

Zoti President, Ministër i drejtësisë Tahiri, kryetare e Gjykatës Kushtetuese Rama, kryetar i Gjykatës Supreme Peci, kryeprokuror i Shtetit Lumezi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nikoqir i konferencës, z. Idrizi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Isufaj, kryetarë të gjykatave, avokat i popullit, anëtarë të shoqërisë civile, kolegë të trupës diplomatike, mysafirë të nderuar, si dhe më me rëndësi: gjyqtarë.

Ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot.  E mirëpres punën e kësaj konference vjetore, veçanërisht në prag të Javës kundër korrupsionit, si një rast i rëndësishëm për të gjithë për t’i diskutuar bashkërisht sfidat me të cilat përballet gjyqësori i Kosovës dhe për mundësinë që së bashku të gjejmë zgjidhje për përmirësimin e tij.  Ngjarja e këtij viti është veçanërisht e rëndësishme sepse për herë të parë në konferencë po marrin pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe personeli tjetër i integruar nga të gjitha komunitetet e Kosovës.

Siç e dini, forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioriteti im kryesor.  Me këtë nënkuptoj të ndihmojmë në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe ta ndihmojmë vendin në luftimin e korrupsionit.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëse të fuqishme të sundimit të ligjit në Kosovë dhe përqendrohemi në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.

Kjo ngjarje bën bashkë një përzierje unike të ushtruesve të këtij profesioni – prej të sapodiplomuarve nga fakulteti juridik e deri te ata me përvojë shumëvjeçare, si dhe të avokuesve qytetarë nga e tërë shoqëria civile.  Së bashku, keni rastin që sot t’i shënoni të arriturat e kohëve të fundit në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit të Kosovës.  Mund ta shfrytëzoni këtë rast që me sinqeritet t’i trajtoni mangësitë e sistemit që rezultojnë me shkallën e vazhdueshme të lartë të mosbesimit të publikut në gjyqësi.

Këtë vit i kemi parë disa të arritura të dukshme.  E para ndër to, e me këtë rast dëshiroj t’ju përgëzoj edhe njëherë për zbatimin e suksesshëm në tetor të marrëveshjes për drejtësi të arritur përmes dialogut, është integrimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër në sistemin e Kosovës.  Kjo është e arritur e rëndësishme dhe thelbësore për zgjerimin e e qasjes në drejtësi për tërë qytetarët e Kosovës sepse barabarësia para ligjit dhe qasja e barabartë në ligj janë të drejta themelore demokratike.

E di se është dashur kohë dhe punë e palodhshme për ta mundësuar këtë gjë.  Ende mbetet edhe shumë punë për tu siguruar që të gjitha ligjet janë përkthyer dhe harmonizuar në gjuhën shqipe dhe serbe; që ka përkthim të drejtpërdrejtë me gojë në gjykata; që lëndët po transferohen në mënyrë të duhur; që stafi i sapointegruar merr trajnimin e duhur dhe që vendimet përfundimisht të integrohen në strukturën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen për drejtësi.

Pjesa më e madhe e punëve politike tashmë është përmbushur; tani ia nis puna e njëmendtë që gjykatat në veri të bëhen plotësisht operacionale.  Përgëzojmë udhëheqjen e kryetarit të gjykatës Kabashiq si dhe bashkërenditjen e përpiktë nga ana e KGJK-së për të siguruar që qytetarët në veri të fillojnë të shohin ndarje të drejtësisë.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe pika tjera të ndritura.

E mirëpresim punën e Gjykatës Supreme që pothuajse ka përfunduar udhëzuesin për gjyqësor për ndarjen e dhënimeve, i cili do të vihet në zbatim së shpejti.  Ky udhëzues do t’iu japë gjyqtarëve mundësi më të mëdha për të siguruar caktim në mënyrë konsistente të dënimit të përshtatshëm për një krim dhe për t’i bindur qytetarët për trajtim të drejtë para ligjit.  E mbështesim fuqimisht këtë nismë dhe po ashtu, e mbështesim edhe rishikimin e Ligjit për Gjykata që do t’i japë Gjykatës Supreme autoritet më të madh ligjor për zbatimin e udhëzuesit për caktimin e dënimeve.

Vitin e shkuar, Kosova ka punuar në përpilimin e ligjit për përmirësimin e disiplinës dhe llogaridhënies brenda sistemit të gjyqësorit.  Miratimi i ligjit për sjelljen disiplinore dhe reformat përcjellëse janë hap kritik për të mundësuar kontroll të ndërsjellë të pushtetit dhe llogaridhënie brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës.  Vendosja e disiplinës dhe llogaridhënies për personelin e gjyqësorit paraqet hap të rëndësishëm për t’i siguruar qytetarët se mund t’i besojnë gjyqësorit të tyre.  Prandaj, iu bëj thirrje deputetëve ta shqyrtojnë këtë ligj kur të paraqitet në Kuvend, t’i japin prioritet dhe ta miratojnë atë sa më shpejt që munden.

Sa i përket performancës së gjykatave, anketa e matjes së Pulsit të publikut, e kryer nga UNDP-ja, këtë vit tregoi zvogëlim të rëndësishëm të perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në shkallë të gjerë në gjykata.  Ngjashëm, anketimi i individëve që i kanë shfrytëzuar gjykatat ka nxjerrë shkallë të lartë të kënaqshmërisë me rezultatet nga gjykatat.  Megjithatë, e dimë se ende ka pengesa sa i përket besimit dhe efikasitetit, prandaj institucionet e drejtësisë të Kosovës duhet të vazhdojnë ta përmirësojnë performancën e tyre për të fituar dhe mbajtur perceptimin më të mirë pozitiv të publikut.

Drejtësia në Kosovë po ashtu përballet edhe me shumë sfida, e meqenëse do ta keni rastin t’i shoshitni zgjidhjet e mundshme, dëshiroj t’ua tërheq vëmendjen për disa prej tyre.

Ju ftoj të gjithëve t’i shqyrtoni dy raportet më të reja të zyrës së Auditorit të Përgjithshëm: njëra për KGJK-në dhe tjetra për efikasitetin e gjykatave në menaxhimin e lëndëve civile.  Edhe pse e dimë se janë arritur hapa të rëndësishëm në zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara, koha e nevojshme për zgjidhjen e lëndëve civile duhet të shkurtohet rrënjësisht.  Ky raport po ashtu adreson tejkalimin e shpenzimeve të buxhetit për udhëtime dhe mëditje.  Këto janë probleme konkrete të cilat mund t’i adresojë gjyqësori, e të cilat do të mund të ndryshojnë jetën e njerëzve dhe ta shtojnë besimin e tyre në ndarjen e drejtësisë.  E nxisim KGJK-në të themelojë mekanizma për monitorim dhe të vazhdojë t’i përmirësojë masat për llogaridhënie për performancë në të gjitha gjykatat.

Në të njëjtën kohë, e ftoj Këshillin Prokurorial të Kosovës për të bashkëpunuar më mirë me zyrën e Auditorit të Përgjithshëm dhe t’i shqyrtojë hollësisht gjetjet e tij për keqpërdorimin e mundshëm të buxhetit.  Çështja e pensioneve të veteranëve të luftës duhet të trajtohet dhe korrupsioni brenda listave duhet të eliminohet.  Kjo vazhdon të jetë ndër elementet më kundërthënëse në buxhetin vjetor të Kosovës.

Në fund, duhet të punohet ende në mbylljen e vrimave ligjore për luftimin e korrupsionit, promovimin e emërimeve në bazë të meritave dhe zhvillimin e sistemit funksional që mundëson integritet në karrierë për të gjithë hisedarët në sistemin e drejtësisë.  Rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë në Kosovë – i nisur vitin e kaluar, por i rigjallëruar me energji të reja – do të duhej të jetë mjeti për konsolidimin e rekomandimeve dhe reformave për politika.

Shpresojmë të vazhdojmë punën tonë me të gjitha institucionet e drejtësisë të Kosovës, duke përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë, ashtu që besimi i qytetarëve në sistemin e tyre të drejtësisë të vazhdojë të rritet.  Edhe njëherë, ambasada ime dhe unë jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në këto përpjekje.

Shumë prej nesh do ta kemi rastin të takohemi sërish gjatë Javës kundër korrupsionit.  Ekipi im do të jetë fuqishëm i angazhuar në biseda me ju dhe ky është çast i shkëlqyeshëm për t’i shënuar të arriturat dhe për ta planifikuar rrugën përpara.

Ju nxis ta shfrytëzoni ditën e sotshme në mënyrë produktive, të jeni të sinqertë dhe të hapur me njëri-tjetrin dhe të gjeni sygjerime konkrete që do të ofronin ndryshime për qytetarët e Kosovës sa i përket sundimit të ligjit.

Presidenti i Kosovës është i rëndësishëm, siç është i rëndësishëm edhe në çdo vend tjetër.  Kryeministri është i rëndësishëm; Kuvendi është i rëndësishëm; shpresoj që gjatë mandatit të tyre ata do të ndërmarrin vendime të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.  Por, për Kosovën, përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendi – të vendit tuaj – si shtet.  Prandaj, gjatë marrjes së vendimeve në punë, mbajeni mend se paanshmëria, besnikëria ndaj ligjit dhe kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit nuk janë vetëm koncepte abstrakte, por janë thelbësore për suksesin e Kosovës.  Ju jeni ata që do të vendosni në çfarë shteti do të jetoni ju dhe fëmijët tuaj.

Llogaris në ju.  Por, ç’është më me rëndësi, pothuajse dy milionë qytetarë të vendit tuaj gjithashtu llogarisin në ju.

Ju faleminderit.