Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 5 dhjetor 2015

Zonja Presidente, Ministër Kuçi, gjyqtarë, prokurorë, kolegë të korit diplomatik, mysafirë të nderuar,

Ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot. E përgëzoj OSBE-në për mbështetjen e kësaj ngjarjeje gjatë pesë viteve të fundit dhe për përkushtimin e tyre për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.  Mendoj se konferencat e tilla vjetore për gjyqtarët janë jashtëzakonisht të rëndësishme.  Në Shtetet e Bashkuara, pothuajse çdo gjykatë e shtetit apo edhe federale gjen kohë çdo vit për tu takuar si grup, për t’i diskutuar çështjet me të cilat përballet gjyqësori dhe rreth planeve për vitin e ardhshëm.  Shpresoj që do ta shfrytëzoni këtë mundësi për t’i shkëmbyer hapur mendimet me kolegët tuaj.

Shumë prej jush veçse e dini se ndër objektivat e mia kryesore si ambasador është të ndihmoj në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.  Kjo kërkon përkrahje në zhvillimin e institucioneve të sundimit të ligjit të Kosovës dhe ta ndihmojmë vendin për luftimin e korrupsionit.  Luftimi i korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë sfida të madhe dhe sistemi i drejtësisë ka qenë në qendër të kritikave për vite me rradhë.  Pikërisht në këtë çast, perceptimi i opinionit publik është veçanërisht negativ.  Në fakt, në bazë të një ankete të UNDP-së të kryer në pranverë, niveli i kënaqshmërisë me drejtësinë është më i ultë se sa me të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.  Pa marrë parasysh a janë ngjarjet në Kuvend në vitin 2015 apo demonstratat para selisë së EULEX-it në vitin 2009, njerëzit brenda dhe jashtë Kosovës e kanë të vështirë ta kuptojnë se si rastet penale të kryera hapur dhe të regjistruara në kamerë mbesin të padënuara.

Studimi i njëjtë i UNDP-së ka ardhur në përfundim se korrupsioni mbetet njëri prej tri problemeve kryesore për kosovarët dhe 43% e respodentëve të anketës besojnë se gjykatat vuajnë nga korrupsionin në shkallë të madhe.

Shqetësimi i parë i qytetarëve natyrisht ishte papunësia.  Por, roli i gjyqësorit në përballjen me këtë çështje është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë roli i tij në luftimin e korrupsionit.  Kosovarët e papunë do të gjejnë punë vetëm kur investitorët të kenë ngritur bizneset e tyre në këtë vend.  Kjo nuk do të ndodhë nëse bizneset nuk janë të bindura me arsye se investimet e tyre do të mbrohen nga organet e sundimit të ligjit, nga një drejtësi e fuqishme dhe nga një mjedis operues pothuajse i pastër nga korrupsioni.

Zyrtarë të shumtë të huaj e vendorë më kanë thënë se nuk janë vetëm investitorët e huaj ata që po ngurrojnë që të investojnë për shkak të korrupsionit, por edhe vetë kosovarët që banojnë këtu apo edhe jashtë.

E di se porosia ime deri tash ishte e rëndë.  Nuk kam ardhur këtu për t’ju kritikuar juve apo profesionin që e keni zgjedhur.  Shumica e gjyqtarëve e kryejnë punën me aftësi.  Por, është vështirë të mirremi me një problem nëse nuk e dimë se sa i rëndë është ai.

Statistikat e UNDP-së rreth perceptimit të opinionit publik janë shqetësuese, por nuk do të duhej të na lënë pa shpresa. Së pari, ato pasqyrojnë rëndësinë e gjykatave dhe gjyqtarëve në tërë sistemin e drejtësisë.  Si gjyqtarë, roli juaj është thelbësor.  Ju jeni thelbësorë për t’i siguruar qytetarët kosovarë se trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të paanshme nga drejtësia.  Edhe si kolektiv, por edhe individualisht, ju jeni të aftë për t’i ndërmarrë hapat e domosdoshëm për ta përmirësuar llogaridhënien dhe për t’i ndryshuar ato perceptime.  Ju jeni të aftë që të siguroni zbatimin e ligjit dhe që bizneset ndjehen të mbrojtura në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetës i fuqishëm i sundimit të ligjit në Kosovë dhe gjatë vitit të ardhshëm ne do t’i dhurojmë më shumë se 12 milionë dollarë në ndihma dhe ekspertizë zhvillimore me theks në këtë çështje.  Më vjen mirë që sot mund ta bëj të ditur fazën e ardhshme të bashkëpunimit tonë: një program i ri i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) të quajtur “Projekti për forcimin e sektorit të drejtësisë”.  Ky program i sapomiratuar në vlerë prej 9.3 milionë dollarëve do të përqendrohet në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.  Po ashtu, ky projekt do të mbështesë punën e rëndësishme që nevojitet për integrimin e strukturave të drejtësisë së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit.

Mirëpresim vazhdimin e punës tonë me institucionet kosovare të drejtësisë, siç janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, ashtu që populli i Kosovës ta rrisë besimin në sistemin e drejtësisë. Ambasada ime dhe unë jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë përderisa punoni në forcimin e gjyqësorit dhe në luftimin e korrupsionit.

Do të dëshiroja t’i kthehem pak një institucioni tjetër thelbësor të Kosovës: Kuvendit.  Gjatë dy muajve të shkuar e kemi parë shpalosjen e ngjarjeve në Kuvend ku një grup i deputetëve ka zgjedhur që debatin dhe diskutimin ta zëvendësojë me gaz lotsjellës dhe sprej.  Ambasada dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës kanë qenë të zëshëm në shprehjen e pikëpamjes sonë se salla e Kuvendit, vetë djepit të demokracisë, nuk është vendi për armë dhe dhunë.  Këto veprime e dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe të drejtat e qytetarëve.  Më lejoni të jem i qartë: deputetët e kanë çdo të drejtë, në fakt edhe obligim, që të jenë zëri i atyre që i përfaqësojnë në Kuvend.  Por, ata e kanë përgjegjësinë e njëjtë për ta respektuar ligjin si çdo qytetar tjetër në Kosovë.  Një sistem ligjor i cili mundëson përjashtime për njerëzit me fuqi është i mëtuar të dështojë.

Po e them tërë këtë sepse në javët e ardhshme, disa prej jush do t’i shqyrtoni pikërisht rastet që dalin nga ato veprime.  Këto nuk do të jenë raste të lehta, sepse mund të viheni nën presion të stërmadh politik dhe vëzhgim të thellë të publikut.  Por, gjyqësori duhet të jetë plotësisht i pavarur nga çfarëdo ndikimi politik, përfshirë edhe nga i imi.  Shpresoj që do ta shfrytëzoni këtë mundësi për t’i treguar popullit të Kosovës se gjyqësori i Kosovës është i aftë ta kryejë punën e vet – që nuk do t’iu nënshtrohet ndikimeve të jashtme, por që do të jetë shembull i transparencës, llogaridhënies dhe pavarësisë në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Dëshiroj ta përmbylli këtë fjalim me një thënie të Presidentit amerikan Theodore Roosevelt: “Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin; as nuk e kërkojmë lejen e askujt kur dikujt i kërkojmë t’i bindet ligjit.  Bindja ndaj ligjit kërkohet si e drejtë, jo si favor”.

Ju i mbani disa nga postet më të rëndësishme në Kosovë.  E ardhmja e vendit tuaj me të vërtetë është në duart tuaja.  Ju dëshiroj gjithë të mirat në vitin e ardhshëm.  Ju faleminderit.